E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamoja insiston për Beqirajn

Gjiganti kroat, Dinamo Zagreb e kërkon me ngulm sulmuesin kosovar me nënshtetësi malazeze, Fatos Beqiraj. Lajmin e ka bërë të ditur e përditshmja kroate, Jutarnji List, që të premten ka shkruar se 22-vjeçari vazhdon të jetë objektiv i Dinamos gjatë këtij afati kalimtar të verës. Kampioni i Kroacisë të premten ka huazuar sulmuesin brazilian, Dodo, te rivali i tyre, Lokomotiva Zagreb me shpresë se ai do të zhvillohet më tepër pas rikthimit nga kjo aventurë.

Kjo thuhet se i ka hapur rrugë Beqirajt për të kaluar te Dinamoja, megjithatë mbetet të shihet nëse do të realizohet ky transferim meqë në të kaluarën sulmuesi i lindur në Pejë ka bërë të ditur se kërkohej nga klube më të mëdha si Valencia dhe Udinese. Ndërsa Beqiraj ka shënuar gol në humbjen e Buduçnostit kundër Brondbyt 1:2, në kuadër të rrethit të tretë të Europa League.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›