E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinjo gjuan me kunja Ançelotin

Për ata që mendojnë në mënyrë malinje, në fjalët e prononcuara nga Ronladinjo mund të shikohen kunja të hidhur në drejtim të ish-trajnerit Karlo Ançeloti, i cili shihet si përgjegjësi i një sezoni të dështuar të brazilianit, pasi e ka aktivuar pak ose në pozicionin e gabuar, duke mos shfrytëzuar më së miri karakteristikat dhe duke e penalizuar për gjatë gjithë sezonit.

Por nëse do të donim të ishim romantike, në deklaratat e tij mund të shikonim një premtim për besnikëri ndaj trajnerit të ri, me të cilin ndan jo vetëm bluzën kuqezi, por edhe atë verdhjeshile të Brazilit. Por cilat janë fjalët e Dinjos? Pak a shumë mund të përmblidhen kështu: "Ne humbëm në ndeshjen kundër Klub Amerika, por unë më në fund luajta atje ku dëshiroja dhe si dëshiroja, jo siç ndodhte me Ançelotin". Kjo është një mënyrë interpretimi. Ronaldinjo është i gatshëm të luajë në çfarëdo pozicioni në të cilin do të dojë ta vendosë Leonardo, por thekson se "në qendër të mesfushës, prapa sulmuesve, është shumë më argëtuese". Kështu është shprehur braziliani në fund të ndeshjes së humbur në Atlanta kundër Klub Amerika, në ndeshjen e parë të kuqezinjve në turneun "World Football Challenge". Kundër meksikanëve, Ronaldinjo ka goditur edhe një traversë dhe i ka dhënë një asist Inzagit për golin e vetëm të Milanit në humbjen 2-1. Trajneri e ka përdorur atë në qendër të mesfushës, por edhe në të majtë. "Në të majtë, apo në qendër për mua është njëlloj, ka thënë braziliani, luaj ku të mendojë Leo së është më mirë. Sigurisht që kur luaj në qendër, pas dy sulmuesve, mendoj se është më argëtuese". Talenti brazilian është i kënaqur nga forma e tij pas fazës së parë të përgatitjeve. "Ndihem mirë. Të luajturit futboll më bën shumë të lumtur, më bën të ndihem në formë. Kam luajtur nga 90 minuta në dy ndeshjet e fundit, avash-avash, po gjej formën më të mirë dhe po ambientohem me skuadrën, e cila gjithmonë demonstron dëshirën e saj të madhe për të fituar. Pas 15 ditësh punë ndihem shumë mirë dhe kam dëshirë të vazhdoj kështu për gjatë gjithë sezonit". Ndërkohë që më pas konfirmon edhe dëshirën e tij për të marrë mbi vete më shumë përgjegjësi se sezonin e fundit. Vetëm pak ditë më parë atij i është kërkuar nga presidenti Silvio Berluskoni, që të marrë ekipin për dore dhe ta udhëheqë drejt fitimit të trofeve të rëndësishëm. Dhe ai ka shprehur gatishmërinë e tij.

"Prandaj këtë vit synojmë të japim maksimumin për skuadrën dhe për tifozët tanë ka deklaruar ai. Kemi dëshirë të fitojmë, edhe pse këtë herë nuk ia dolëm, ashtu siç e prisnim", nënvizon ylli i Milanit, i ardhur në radhët e kuqezinjve në verën e 2008 nga Barcelona. Në vazhdim të prononcimit të tij, edhe Ronaldinjo komenton zërat për një përforcim të mundshëm, i cili mund të vijë për repartin e sulmit: "Luis Fabiano e Trezege? Të gjithë janë lojtarë të mëdhenj, ashtu si Pato që kemi në skuadër. Nëse vjen Fabiano do të jetë një i madh më shumë te Milani. Gjëja që më bën të lumtur është se tashmë luaj dhe ndihem mirë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›