Vllaznia, lamtumira vjen me një tjetër humbje
Vllaznia që nuk di të shënojë, i thotë lamtumirë Europa League në mënyrën më të shëmtuar me një tjetër humbje të hidhur ndaj Rapidit të Vjenës: 0-3 në shtëpi, pasi ishte mundur 5-0 në Vjenë. Rreth 100 tifozë austriakë e ndjekin Rapidin edhe në Shkodër dhe ndezin atmosferën në "Loro Boriçi", ku interesi i vendasve ka qenë i pakët. Rapidi ka ardhur me të njëjtin formacion si në ndeshjen e parë, por me vetëm dy ndryshime. Në minutat e para luhet vetëm në mesfushën tonë, por rasti i parë vjen me shumë vonesë. Sigurisht nuk ishte Vllaznia, por austriakët, të cilët dominojnë fushën: kanë humbur një mundësi të artë për të kaluar në avantazh. Një pjesë e parë pa shumë histori, ku mund të evidentohet fakti se, miqtë ndiheshin të vetëm në fushë. Pjesa e dyta nis aty ku përfundoi e para, me Rapidin në sulm. Dhe goli nuk vonon: në minutë e 66-të, pas një aksioni nga e majta e sulmit austriak, Hofman merr një asist dhe shënjestron saktë portën nga kufijtë e zonës. Bishani nuk mundet ta ndalë topin që përfundon në rrjetë. Pas pësimit të golit, Vllaznia kërkon të reagojë dhe në minutën e 70-të kërcënon portën kundërshtare me një gjuajtje spektakolare të Belishës, që grushtohet me vështirësi nga portieri Payer. I vetmi rast i shkodranëve në këtë ndeshje. Por në minutën e 79-të Majerhofer ndëshkon për herë të dytë vendasit me një goditje me kokë në zonë. Në minutën e 93-të Hofman vulos rezultatin 3-0. Ndërsa për shkodranët ngelet tabu goli në turin e dytë të Kupave të Europës, pasi në tri sezonet e fundit ka pësuar 26 gola dhe nuk ka shënuar asnjë.