E Diel, 1 Nëntor 2026

Taçi blen Bolonjën, 20 milionë euro për 80% të aksioneve të klubit

Rezart Taçi, me shumë mundësi, do të jetë presidenti i Bolonjës, skuadrës së njohur të Serisë A. Lajmi u bë i njohur dje nga të gjitha mediat italiane, sipas të cilave klubi i Bolonjës "ia bën me sy" Shqipërisë. Mungon vetëm zyrtarizimi, por tratativa mes bosit shqiptar të naftës, Rezart Taçi, dhe familjes Menarini, për shitjen e paketës së mazhorancës së aksioneve të klubit, po shkon drejt mbylljes së suksesshme. Pas ditësh, në të cilat qarkullonin zërat për një tratativë të mundshme, familja Menarini, tradicionalisht shumë e rezervuar, ka thyer heshtjen më një komunikatë zyrtare, në të cilën thuhet: "‘Aktiva‘, shoqëria që ka në pronësi Bolonjën, në optikën e përforcimit të asetit ekonomiko-financiar të klubit, ka nisur tratativat me grupin e drejtuar nga Rezart Taçi, me qëllimin për të shitur paketën e mazhorancës së klubit, pasi të jetë verifikuar plotësimi i të gjitha kushteve". Operacioni ka avancuar shumë në bazë të një shifre, e cila rrotullohet te 20 milionë euro. Kanë mbetur edhe disa detaje të vogla dhe hedhja e firmës është vetëm çështje orësh. Kështu që Taçi do të bëhet aksioneri më i madh i Bolonjës, e thënë ndryshe pronari i saj. Inxhinieri shqiptar do të shkojë në Bolonjë të hënën dhe vetëm pas 3 gushtit do të ketë në dispozicion pronësinë e klubit. Nëse përfundohet marrëveshja, familja Menarini do të mbetet ortak në minorancë (me 20% për qind). Shitja e shumicës së aksioneve të Bolonjës bëhet në më pak se një vit pas blerjes nga Alfredo Kacola. Ardhja e Taçit nuk do të sjellë ndryshime në nivelin e stafit teknik dhe atij drejtues.

Fabrizio Salvatori do të mbetet drejtor sportiv dhe Papadopulo në postin e trajnerit. Xhanluka Paljuka, ish-portieri për shtatë sezone i kuqebluve thekson se "Taçi ka synime të mira". Menjëherë kanë filluar zërat për merkaton e Taçit, i cili mund të afrojë në skuadër argjentinasin e Interit, Julio Kruz, dhe bomberin e Torinos, Rolando Bianki.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›