Lipi: Interi fiton Champions-in, Juve kampionatin
Marçelo Lipi, trajneri i Kombëtares italiane analizon lëvizjet më të fundit në skuadrat e Serisë A. Natyrisht që tema e ditës është kalimi i Eto‘o tek Interi. "Kamerunasi nuk është më inferior se Ibra. Përkundrazi, ka mesatare më të lartë golash", tha ai. "Milito është një lojtar të cilin e pëlqej shumë, një kampion që punon për skuadrën. Keni për ta parë që Murinjo do të arrijë t‘i transmetojë Interit mentalitetin e duhur për Europën. Mendoj se janë gati të fitojnë në aktivitetet ndërkombëtare". Lipi ka prekur edhe temën e krizës në futboll: "Mendoj se Reali i Madridit nuk është një rast normal, pasi të gjitha klubet e tjera i vuajnë pasojat. Nga kriza dilet vetëm duke rritur yje në skuadrat zinxhir". Nuk kishin si të mungonin fjalët për Milanin dhe Juventusin: "Milani? Skuadra është ende e paplotësuar. Nëse bëjnë blerje të goditura mund të rikthehen si protagonistë në Europë. Ky klub ka Champions-in në gjak. Juve? Mendoj se këtë vit janë gati për të fituar titullin në Serinë A. Më pëlqen gjithçka nga ky Juventus i re: Ferrara në stol, blerjet e reja, stafi teknik dhe euforia e tifozëve".