E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inter, më në fund vjen Eto‘o

Samuel Eto‘o është lojtar i Interit. Mungon ende zyrtarizimi i transferimit, por sulmuesi kamerunas dhe klubi zikaltër kanë arritur marrëveshjen. Pas afro dy orë bisedimesh me zv/presidentin Rinaldo Gelfi, menaxheri i 28-vjeçarit, Hoze Maria Mesales deklaroi: "Mbaroi! Pas bisedimeve gjetëm akordin me Interin. Samuel bisedoi dje me Murinjon dhe është shumë i lumtur për këtë kalim. Gjetëm gjuhën e përbashkët për të gjitha detajet e kontratës". Fjalët e Mesales u konfirmuan edhe nga burime pranë kampionëve të Italisë. Eto‘o pranoi ofertën për rrogë 10.5 milionë euro neto në sezon, ndërsa menaxheri i tij theksoi se tashmë mbetet për t‘u zgjidhur një ngërç: "Problemi i vetëm është shifra financiare për prishjen me konsensus të kontratës me Barcelonën, megjithatë ajo pritet të zgjidhet brenda javës". Lojtari pretendon 5 milionë euro, shifër të cilën katalanët nuk kanë pranuar ta paguajnë. Sulmuesi do të paraqitet të hënën në Milano, për të kryer testet mjekësore dhe më pas të firmosë kontratën 5-vjeçare me skuadrën e re. Në anën tjetër, marrëveshja i ka hapur rrugën transferimit të Zlatan Ibrahimoviç nën urdhrat e Pep Guardiolës. Menaxheri i suedezit, Mino Raiola, ishte në Barcelonë, ku ka punuar për perfeksionimin e kontratës që do të lidhë Ibrën me kampionët e Europës për pesë vitet e ardhshme.

Në këtë mënyrë, Eto‘o, një prej heronjve të finales së Romës përballë Mançester Junajtid, i ka dhënë fund telenovelës. Kontradiktat me trajnerin Guardiola nuk ishin të panjohura dhe kjo bëri që sulmuesi të largohej nga "Kamp Nou". Në sezonin e fundit me "blaugranat" ai realizoi 30 gola në La Liga dhe 6 në Ligën e Kampioneve. Kamerunasi i jep lamtumirën Barçës, pas 130 rrjetave të shënuara në 200 ndeshje të luajtura në të gjitha aktivitetet. Eto‘o është një "bomber" i mirëfilltë: duke llogaritur edhe aktivizimin me Espanjolin, Majorkën dhe Kombëtaren e vendit të tij (ku ka shënuar 39 gola dhe është shënuesi më i mirë i të gjitha kohërave), në total ka realizuar 242 gola në 379 ndeshje. 28-vjeçari është futbollisti i vetëm afrikan që ka shënuar dhe fituar dy finale të Champions: në vitin 2006 me Arsenalin dhe në maj të këtij viti kundër Junajtid të Sër Aleks Ferguson. Shifra mbresëlënëse për Interin dhe tifozët e kësaj skuadre, që pas dominimit në Itali tashmë ëndërrojnë triumfin në kontinent.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›