Ujkani te Novara, Vila te Lokomotiva
Vetëm një muaj pas transferimit të bujshëm te Dinamo e Zagrebit, Emiljano Vila është larguar përkohësisht nga gjigantët kroatë. Prej tri ditësh, talenti i Kombëtares shqiptare ka filluar të stërvitet me skuadrën e dytë të bluve, Lokomotivën. Edhe ekipi i ri i mesfushorit militon në Prva HNL (kampionati elitar në Kroaci). Vendimi për të transferuar durrsakun 21-vjeçar te Lokomotiva u mor nga stafi teknik i bluve, duke qenë se aktualisht konkurrenca te Dinamo është shumë e madhe dhe për Vilën nuk ka hapësira në skuadër. Edhe pse nuk do të luajë me ekipin më të suksesshëm kroat, Vila mund t‘i gëzohet faktit se ka në dispozicion një sezon për t‘u ambientuar me aventurën e re. Një tjetër huazim zyrtar për futbollistët shqiptarë është edhe ai i Samir Ujkanit. Portieri kuqezi u largua për një sezon nga Palermo dhe tashmë do të luajë me Novarën në Lega Pro (ish-Seria C1). Ai do të jetë numri 1 i skuadrës dhe ky huazim ishte kërkuar nga vetë 21-vjeçari, që kërkonte më shumë aktivizim.