E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinjo në Milano, por përgatit lamtumirën

E ardhmja Ka mbyllur përfundimisht kontratën për vilën e tij personale në qytetin italian

Një shëtitje në Milano, një bisedë e shkurtër me Galianin dhe, për surprizë, një avion është tashmë gati për ta rikthyer në Brazil. Ronaldinjo, i cili ka mbërritur në Malpensa, duke marrë një dalje dytësore, është gjithnjë e më larg Milanit. Një lajm i fundit shumë domethënës vjen nga njeriu që menaxhonte vilën e brazilianit në Vareze: klubi kuqezi, sipas disa të përditshmeve, e ka ndërprerë kontratën duke filluar nga muaji gusht. Shenjë kjo e një ndarjeje të afërt. Por të flasim për rikthimin torturues në Itali. Ronaldinjo pritej të mbërrinte që të premten. Më vonë u shty për të shtunën, të dielën dhe më në fund për dje. Për këto vonesa të brazilianit, Milani ishte informuar. Por çështja mbyllet këtu dhe nuk do të hapë asnjë polemikë. Mbi të gjitha, më e vështirë do të jetë të zhvillojë tratativat me Galianin. Administratori kuqezi pritet të takohet me Roberto de Assis, vëllain-menaxher të Dinjos, dhe nga ai të dëgjojë ofertat e ardhura nga Flamengo dhe Galaksi. Të dyja klubet janë gati ta mbulojnë me ar Ronaldinjon (6 milionë propozimi i rrogës nga Flamengo, ndërsa 10 milionë ajo e Los Anxhelosit), por të dyja skuadrat nuk kanë ndërmend të derdhin shumë para në arkat e Milanit. Dhe kjo është pengesa kryesore e realizimit të këtyre tratativave: kuqezinjtë, që kanë edhe një vit kontratë me “Gaucho”-n, nuk duan ta lëshojnë falas dhe pretendojnë për shitjen e Dinjos dhjetëra miliona. Gjithsesi, gjithçka pritet të vendoset në ditët e ardhshme.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›