DioGuardi: "Kosova më keq se Bosnja"
Beteja e të ardhmes së Kosovës nuk do të jetë në rrugë, por në shtypin dhe parlamentet e vendeve të tjera, ka vlerësuar, Shirley Cloyes DioGuardi, këshilltare për çështjet e Ballkanit në Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane. Në një intervistë dhënë për Zërin e Amerikës DioGuardi ka thënë se, duhet kuptuar se Beogradi nuk ka menduar ndonjëherë se do të bllokonte pavarësinë e Kosovës, pasi sipas saj, synimi ka qenë ndarja e Kosovës, respektivisht marrja e veriut të saj.
"Unë jam e shqetësuar për klauzolat e planit gjashtëpikësh të Ban Ki-moonit që do ta lejonin një gjë të tillë. Plani lejon vendet e EULEX-it që të mos ta pranojnë sovranitetin e Kosovës, me idenë e qëndrimit të paanshëm ndaj statusit. Nga ana tjetër, si u rikthye në lojë rezoluta 1244 sipas së cilës Kosova është pjesë e Serbisë? Ndërkohë veriu nuk është nën kontrollin e autoriteteve të qeverisë. Nëse vazhdon kjo, do të bëhet fjalë për struktura paralele dhe një vend të ndarë etnikisht, edhe më keq sesa Bosnja. Ky nuk është drejtimi i duhur", ka thënë dioguardi. Gjithashtu ajo ka kritikuar bashkësinë ndërkombëtare për sistemin e krijuar në Kosovë, i cili lehtëson krijimin e shumë lloj lidhjeve të ligjshme dhe jashtëligjshme mes serbëve të Kosovës dhe Beogradit. Është koha që të vihet para përgjegjësisë komuniteti ndërkombëtar, duke pasur parasysh edhe çfarë po ndodh në Bosnje. Është një sistem i dështuar i cili nuk duhet përsëritur në Kosovë. Komuniteti ndërkombëtar duhet t'i bëjë ballë Beogradit dhe të kthehet tek parimet e deklaratës së pavarësisë, duke vendosur një demokraci të vërtetë në Kosovë", ka shtuar DioGuardi. Me tej ajo kritikoi udhëheqësit e Kosovës për pasivitetin që kanë treguar kundruall ofensivës serbe.