Humbja e parandjerë e PD-së
Lulëzim Krasniqi/Studiues i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë
-E majta ka fituar, jo si rezultat i një opozitarizmi pragmatik duke treguar vlera të një demokracie të mirëfilltë, por pikërisht për shkak të dështimit të së djathtës. Jam i sigurt, se po të kishte qenë e majta opozitë pragmatike, nuk do të kishte dështuar kaq thellë e djathta, por realisht, nuk do të kishte stagnuar Shqipëria në proceset politike, ekonomike dhe sociale. Prandaj, e majta është votuar nga qytetarët në mungesë të një fryme reale demokratike në Shqipëri. Ajo është votuar sepse qytetarët e Shqipërisë tashmë kanë qenë të lodhur nga Sali Berisha dhe qeverisja e tij, e cila pati uzurpuar dhe kufizuar lirinë e tyre politike dhe socio-ekonomike. Edi Rama e ka kuptuar tashmë se fitorja e së majtës kundër të djathtës ka qenë shumë e lehtë, më e lehtë sesa e ka parashikuar edhe vetë ai. Edi ka kuptuar se më lehtë e ka patur të mundë Saliun, sesa të qeverisë shtetin. Qeverisja do të jetë shumë më e vështirë, do të ketë shumë punë, sidomos në pavarësimin e plotë të sistemit të drejtësisë, i cili do të jetë baza e demokracisë dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Edi duhet ta dijë se demokracia do të lulëzojë vetëm nëse menaxhon pasurinë e shtetit dhe taksapaguesve shqiptarë në interes të tyre; demokraci funksionale do të thotë sistem i pavarur i drejtësisë, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie sociale për qytetarët. Që nënkupton liri politike dhe socio-ekonomike për qytetarët. Që nënkupton integrim më i shpejtë në BE. E kundërta do ta kthejë në pikën zero Shqipërinë. Sali Berisha humbi. Ai shkoi për të mos u kthyer më. Shqipëria nën udhëheqjen e tij ka qenë larg demokracisë së proklamuar si e tillë edhe nga vet pozita me të njëjtin emër Partia Demokratike e Shqipërisë. Sali Berisha ka udhëhequr një sistem, i cili nuk ka pasur të bëj me demokracinë. Demokracia nuk nënkupton që pakica të udhëheq me shumicën. Demokracia nuk nënkupton që sistemi qeverisës në praktikë të jetë një trup politik, sipas idesë së Zhan Zhak Ruso. Ndërsa, në letër i pa prekur i pati mbetur sistemi demokratik i ndarjes së pushteteve sipas Monteskjesë. Demokracia nuk nënkupton pabarazi kushtetuese. Demokracia nuk nënkupton nepotizëm. Personalisht, nuk kam qenë i befasuar aspak me sjelljet e Sali Berishës, i cili kontrollonte në tërësi PD-në, por edhe qeverinë , duke pas parasysh se ai doli nga partia komuniste i mbështjellë nën petkun e demokracisë. Ishte shërbëtor i denjë i diktatorit Enver Hoxha, i clii për ta mbajtur pushtetin deri sa vdiq ka qenë në gjendje ta mbajë Shqipërinë të izoluar nga bota demokratike. Vetëm për ta mbajtur pushtetin, as më shumë e as më pak. Një njeri i tillë nuk është dashur që të marrë pushtetin në Shqipëri qysh në vitin 1992, sepse pasojat për ta mbajtur pushtetin u panë në vitin 1997. Volteri ka thënë se të jesh patriot nënkupton se je kundër tjetrit. Këtë demokracia nuk e lejon. Qeverisë së Saliut i ka munguar intelekti. Prandaj, nuk ka qenë vështirë të parashikohej humbja e tij dhe e të djathtës.