Dioguardi:Serbia të ndalë politikën e dhunës ndaj shqiptarëve
Shirley Cloyes DioGuardi, e cila është Këshilltare për Çështje të Ballkanit pranë Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, deklaroi se Beogradi po vazhdon politikën e dhunës ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. " Dallimi midis të drejtave të garantuara për serbët që jetojnë në veri të Kosovës, që përfshinë edhe lidhjet e tyre me institucionet në Serbi dhe mohimit të të drejtave njerëzore dhe qytetare të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke përfshirë qasjen në institucione në Kosovë dhe Shqipëri është jo i drejtë, shkel standardet ndërkombëtare dhe është krejtësisht i paqëndrueshëm",deklaroi DioGuardi. Sipas saj, komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë qëndrim publik në përkrahje të të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe të insistojë që Beogradi të përfundojë abuzimet e tij nëse dëshiron pranim në Bashkimin Europian. Ndërkaq në të tjera zhvillime politike në Kosovë, Ministri i Shërbimeve Publike, Arsim Bajrami ka pritur të mërkurën në takim, Bjorn von Sydow, anëtar i Asamblesë së Këshillit të Europës, i cili shoqërohej nga kryesuesja e Zyrës së KE-së në Kosovë. Sydow sqaroi se në Kosovë ndodhet me një mision faktmbledhës, i cili ka për bazë disa rekomandime që janë miratuar në Asamblenë e përgjithshme në Këshillin e Europës dhe nga Këshilli i Ministrave. Misioni ka të bëjë me mbledhjen e fakteve për jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës, zbatimin e ligjshmërisë, të drejtat e njeriut etj, përmes të cilit do të bëhet një raport që do të paraqes pikëpamjet dhe gjendjen në fushat që janë në fokus të Asamblesë së Këshillit të Europës, gjë që do të ndihmojë të krijohet një panoramë të qartë.