E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE,kontrollon ndihmat e Greqisë për fermerët

Greqia ka pranuar që Komisioni Europian të kontrollojë projektin e ndihmës urgjente prej 500 milionë eurosh për fermerët, edhe pse Athina thekson se ky projekt respekton rregullat e BE-së. "Ministri grek i Bujqësisë, Sotiris Haxigakis, që u takua me komisioneren europiane të Bujqësisë, Marian Fisher Boel, do t'i japë përparësi informacioneve që kanë të bëjnë me masat që do të merren nga qeveria", njoftoi një zëdhënës i Komisionit Europian në përfundim të takimit. "Komisioni Europian do të ekzaminojë masat konform procedurave normale të Bashkimit Europian që inkuadrojnë dhënien e ndihmave publike për të mënjanuar gjithë shtrembërimet e konkurrencës mes vendeve", theksoi ai. Qeveria greke konfirmoi se ndihma urgjente është zhbllokuar, ndërkohë që fermerët manifestojnë që prej dy javësh për uljen e çmimeve të prodhimeve. Greqia vuan pasojat e një kaosi rrugor nga bllokimi i autostradave kryesore të veriut të vendit nga ana e fermerëve të prekur nga kriza. Ata, prej ditësh kanë bllokuar edhe pikën doganore me Bullgarinë, duke shkaktuar radhë kilometrike, si dhe bllokimin e transportit të mallrave. Ndërkohë që në portin e Pireut ka pasur disa përleshje të fermerëve me policinë, e cila është detyraur të përdorë gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës. Pjesa më e madhe e sektorit të bujqësisë në Greqi, që përbën pesë përqind të GDP-së, mbahet nga fremerë të vegjël që mbështeten nga investimet qeveritare për të mbijetuar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›