E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karzai ,kritika ndaj SHBA-së dhe NATO-s

Presidenti afgan Hamid Karzai, gjatë një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun, ka shtuar kritikat ndaj SHBA-së dhe drejtuesve të forcave të NATO-s si dhe ka deklaruar se administrata e tij do të merrtë një rol më të madh në shpërndarjen dhe punën e trupave ndërkombëtare. Muajin e kaluar qeveria e Karzait i paraqiti një draft NATO-s me një listë masash që synonin parandalimin e shtimit të viktimave civile. "Kërkesat tona janë të qarta dhe synojnë ndalimin e vrasjeve dhe arrestimeve të civilëve afganë. SHBA-ja dhe NATO-ja po na bëjnë presion neve që të heshtim dhe të tërhiqemi nga kërkesat tona. Por kjo është e pamundur", tha Karzai. Kombet e Bashkuara njoftuan të martën se numri i civilëve të vrarë gjatë vitit 2008-të në Afganistan është rritur me rreth 40 përqind, duke kapur shifrën 2 100 dhe më shumë se 1/3 e tyre janë vrarë nga forcat afgane të sigurisë dhe trupat ndërkombëtare. Teksa dhuna në vend rritet, rriten edhe tensionet mes Karzait dhe përkrahësve të tij perëndimorë. Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të dislokojnë më shumë se 25 mijë trupa të tjera në Afganistan, por zyrtarët e Pentagonit dhe NATO-s thonë se rritja e numrit të forcave ushtarake nuk do të ketë shumë vlerë në luftën ndaj rebelëve. Ndërkohë që Ban Ki Mun është shprehur në takimin me Karzain se ndante të njëjtat shqetësime me liderin afgan dhe se duheshin bërë më shumë përpjekje për një koordinim më të fortë mes civilëve dhe forcave ushtarake për reduktimin e të vrarëve. "Ndaj të njëjtat shqetësime dhe zhgënjime me Presidentin Karzai për numrin e madh të vikitmave. Si Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së, për mua rritja e numrit të viktimave civile në Afganistan, ka sjellë shqetësime të mëdha", theksoi Ban Ki Mun. Presidenti afgan Hamid Karzai tha gjithashtu se akoma nuk kishte marrë një përgjigjje për draftin që i ka dërguar NATO-s, por se nuk do ta linte këtë çështje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›