Sejdiu:Bisedime vetëm si të barabartë

Presidenti kosovar Fatmir Sejdiu ka deklaruar se Kosova mund të hyjë në bisedime teknike me Serbinë vetëm në cilësinë e dy shteteve të barabarta, ku do të trajtohen çështje të interesave reciproke. Ndërsa po vizitonte doganat e Kosovës, presidenti Sejdiu tha gjithashtu se Prishtina nuk do të pranojë asnjë formë të bisedimeve që ka për qëllim trajtimin e çështjeve të statusit dhe sovranitetit të Kosovës. Ai shtoi se me Serbinë, mund të bisedohet vetëm në kuadër të vendosjes së marrëdhënieve reciproke, sikurse veprohet edhe me vendet tjera të rajonit. "Në asnjë situatë, në asnjë vend, në asnjë hapësirë dhe në asnjë temë nuk mund të bisedohet për tema që kanë për qëllim hapjen e çështjeve të statusit, çështje që duan të ndërhyjnë në punët e brendshme të Kosovës, në sovranitetin, integritetin dhe funksionimin e institucioneve të saj. Prandaj, ne kemi thënë se asnjëherë nuk do të merremi me tema me këtë lloj ambicieje", nënvizoi Fatmir Sejdiu. Pozicioni i Kosovës në bisedimet teknike me Serbinë, që po përgatiten nga Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, pritet t'i prezantohet të enjten shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zanier. Që nga e premtja e kaluar, Zannier ka kërkuar që të takojë presidentin dhe kryeministrin e Kosovës, për t'u paraqitur përmbajtjen e një takimi që kishte zhvilluar me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremic, në Nju Jork, dhe në lidhje me angazhimet e Kombeve të Bashkuara për dialogun mes Kosovës e Serbisë. Presidenti Sejdiu u shpreh se nuk pret diçka të veçantë nga ai takim, por se do t'i ritheksohet UNMIK-ut edhe një herë pozicioni i Kosovës në lidhje me këto bisedime teknike. Teksa nga qeveria e Kosovës përjashtohet çdo mundësi për bisedime me Beogradin pa përcaktuar qartë axhendën dhe nivelin teknik të këtij dialogu. Zëdhënësi i qeverisë, Memli Krasniqi, theksoi se ky dialog duhet të përkufizohet me qëllimin e qartë pse zhvillohet ose nuk mund të ketë bisedime fare.