E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peshkopi katolik mohon Holokaustin

Peshkopi katolik Riçard Ulliamson, që i përket shoqërisë ultra-tradicionale të Shën Piut X dhe që muajin e kaluar u reabilitua nga Papa Benedikti XVI, në një intervistë të nëntorit të kaluar për televizionin suedez SVT, ka mohuar shifrat e mëdha të Holokaustit. Peshkopi Ulliamson, i lindur në Britaninë e Madhe, ka deklaruar se beson që nuk ka pasur krematoriume gazi në kampet naziste të përqëndrimit dhe jo më shumë se 300 mijë hebrenj janë vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ulliamson i ka bërë këto komente gjatë një interviste në seminarin e Shoqërisë Shën Piu X, në Zaixkofen të Bavarisë. "Besoj se nuk ka pasur krematoriume gazi. Me çfarë kam parë nga të dhënat, mendoj se jo më shumë se 200 deri në 300 mijë hebrenj janë shfarosur në kampet naziste të përqëndrimit, por asnëri nga ata nuk ka vdekur nga gazi apo dhomat e krematoriumit", është shprehur Uilliamson. Ndërkohë që gjatë ditës së mërkurë, Vatikani ka urdhëruar peshkopin tradicionalist që të qartësojë dhe të publikojë një falje për qëndrimin e tij, në qoftë se donte të vazhdonte të shërbente si klerik i lartë në Kishën Katolike Romane. Vatikani në qëndrimin e tij, tha gjithashtu se Papa Benedikti XVI nuk ishte në dijeni të deklaratave mohuese të Peshkopit Uilliamson për Holokaustin, kur vendosi për ripranimin e tij dhe të katër peshkopëve të tjerë tradicionalë në gjirin e kishës katolike. Mohimi i Holokaustit përbën një krim në Gjermani dhe autoritetet shtetërore në Bavari po hetojnë mbi deklaratat e Uilliamsonit. Pas më shumë se 60 vjetësh nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, gjermanët akoma luftojnë për pranimin e Holokaustit, në të cilin nazistët vranë gjashtë milionë hebrenj europianë. Marrëdhëniet mes gjermanëve dhe komunitetit hebre janë akoma të tendosura. Javën e kaluar këshilli Qëndror i Hebrenjve të Gjermanisë lajmëroi se do të ndërpriste marrëdhëniet diplomatike me Kishën Katolike për lëvizjen e fundit të Atit të Shenjtë. Ndërkohë që edhe kancelarja gjermane Angela Merkel ka reaguar në lidhje me reabilitimin nga ana e Vatikanit të peshkopit Ulliamson. "Duhet qartësuar në mënyrë të plotë nga ana e Papës dhe Vatikanit se nuk mund të mohohet në asnjë mënyrë Holokausti dhe se duhen krijuar marrëdhënie pozitive me botën hebreje", ka deklaruar kancelarja gjermane Merkel gjatë një konference për shtyp në Berlin. Merkel është shprehur se nga ana e Vatikanit dhe e Atit të Shenjtë duhet afirmuar edhe më shumë se nuk do të ketë asnjë mohim në lidhje me shfarosjen e miliona hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sipas saj, sqarimet e deritanishme kanë qënë të pamjaftueshme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›