Diplomacia ekonomike dhe ajo kulturore
”Diplomacia politike ka të bëjë me procesin e komunikimit në mes të aktorëve ndërkombëtarë që kërkojnë t’i zgjidhin konfliktet apo mosmarrëveshjet nëpërmjet negociatave” (Brian White). Përpos kësaj, diplomacia merret edhe me forcimin e kontakteve mes shteteve të ndryshme, përfaqësimin e një vendi në shtete të tjera dhe organizata ndërkombëtare, pastaj negocimet e ndryshme, komunikimet e përgjithshme etj. dhe në këtë kuadër, dy fusha të rëndësishme të saj janë ajo ekonomike dhe kulturore. Çka është diplomacia ekonomike dhe si mund të bëhet? Diplomacia ekonomike mund të përkufizohet si përdorimi i ndikimit dhe pushtetit politik, si dhe marrëdhënieve në mes të shteteve për të promovuar ekonominë e një vendi, për të tërhequr investimet e jashtme, për të arritur kontakte ekonomiko-tregtare (p.sh. kontaktet zyrtare, seminaret, forumet e bizneseve, panairet, vizitat studimore etj.), pastaj për të përmirësuar funksionimin e tregjeve, për të rritur zhvillimin në fushën e tregtisë, energjisë, bujqësisë, transportit, për të rritur nivelin e përgjithshëm të bashkëpunimit në mes të vendeve etj. Diplomacia ekonomike, pra, avancon politikat dhe interesat ekonomike të shtetit, diplomatët ekonomikë bëjnë promovimin e ekonomisë së një vendi, por ata po ashtu monitorojnë dhe raportojnë mbi politikat ekonomike të jashtme të një vendi në raport me vendin tonë dhe japin këshilla se si duhet të reagojë qeveria e atij vendi dhe si të negociohet apo ndikohet në vendime të tilla që mund të prekin interesat ekonomike të vendit. Diplomacia ekonomike është vendimmarrje, politikëbërje dhe evokim i interesave shtetërore dhe ekonomike të bizneseve vendore. Diplomacia ekonomike përfshihet në kontakte me shtetet dhe institucionet dërguese në vendin tonë, me biznese dhe organizata ndërkombëtare për të avancuar interesat ekonomike dhe tregtare të vendit. Disa nga këto interesa më konkretisht do të ishin: Krijimi i kontakteve tregtare dhe marrëveshjeve, bashkëpunimi ekonomik mes bizneseve dhe qeverive përkatëse, angazhimi për të zgjidhur mosmarrëveshjet tregtare dhe të negociojë me partnerët rajonalë dhe globalë për liberalizim të tregtisë, formulimi dhe përfaqësimi i politikës zyrtare për zhvillim ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të jashtme në vend, lehtësimi i negociatave lidhur me marrëveshjet tregtare dhe traktatet ndërkombëtare, identifikimi dhe paraqitja e nevojave për asistencë financiare në një vend, bashkëpunimi në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve në të dy vendet e përfshira në negociata, promovimi i ekonomisë dhe koordinimi i politikave tregtare, kontrolli i eksporteve dhe investimet e përbashkëta etj. Kuptohet që përveç qeverisë që bën promovimin e interesave ekonomike të Kosovës në bazë të ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës, diplomacia ekonomike mund të bëhet edhe nga vetë bizneset dhe kontaktet e tyre me biznese të vendeve të tjera, pastaj nga diaspora jonë e fuqishme në vendet perëndimore, nga mediet, nga intelektualë, nga shoqëria civile dhe miqtë e Kosovës në përgjithësi. Duhet thënë se ekonomia dhe tregtia ndërkombëtare janë bërë shumë të rëndësishme, por edhe sfiduese në shekullin 21. Tregjet globale janë gjithnjë e më të integruara, kompanitë multinacionale, por edhe të tjerat, po zgjerohen dhe po investojnë në vende të ndryshme të botës gjersa qeveritë janë të përfshira në negocimin e marrëveshjeve ekonomike-tregtare si në aspekte rajonale, po ashtu edhe ato globale. Qeveria dhe bizneset duhet të bisedojnë me qeveri dhe biznese të tjera, vendet e të cilave kanë ligje të tjera, institucione të tjera, praktika të tjera të bizneseve, gjuhë dhe kultura të tjera. Ekonomia e re globale kërkon specialistë qeveritarë dhe të bizneseve, të cilët do të dinë të menaxhojnë situata të tilla komplekse në ekonominë ndërkombëtare si dhe do të krijojnë kontakte, të tërheqin investime në vendet e tyre dhe të arrijnë marrëveshje partneriteti ekonomik duke sjellë dobi për bizneset e veta dhe për shtetin, qoftë nëpërmes punësimit, pagesës së tatimeve, zhvillimit ekonomik etj. Qeveria dhe institucionet shtetërore kanë nevojë për zyrtarë që do të negociojnë marrëveshjet ekonomike-tregtare dhe të cilët do të ndihmojnë për krijimin e kontakteve dhe zvogëlimin e dallimeve ndërmjet shteteve, qoftë në fushën ekonomike, sociale, të ambientit, edukimit etj. Diplomacia ekonomike po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për shkak se tregtia dhe investimet e jashtme janë bërë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të shumë vendeve, reformat dhe kalimi nga ekonomitë socialiste të planifikuara në ekonomitë e tregut për vendet e ish-Evropës Lindore, ku bënë pjesë edhe Kosova dhe ku janë bërë përpjekje për integrimin e këtyre ekonomive në ekonominë globale, qoftë nga këto shtete, qoftë nëpërmes asistencës nga vendet e zhvilluara perëndimore. Rritja e prodhimit në vende të zhvilluara dhe procesi i globalizimit e kanë shtruar nevojën për koordinim më të mirë në mes të shteteve dhe firmave të ndryshme për plasman produktesh dhe për fitime të reja, negociatat dhe marrëveshjet rajonale dhe globale për eliminimin e barrierave tregtare dhe investive mes vendeve të ndryshme siç është p.sh. Unioni Evropian etj. ka shtuar rëndësinë e arritjes së unioneve ekonomike dhe tregtare në përgjithësi. Marrëveshjet tregtare dhe ekonomike në mes vendeve të ndryshme në fakt forcojnë lidhjet politike, ekonomike dhe ato të sigurisë me vendet në fjalë, sikurse edhe bashkëpunimin e përgjithshëm në të ardhmen. Diplomatët nga Hong Kongu p.sh. janë të njohur si specialistë që praktikojnë shumë mirë dhe me sukses diplomacinë ekonomike. Si përfundim, lidhur me diplomacinë ekonomike, është me rëndësi të thuhet se pas kryerjes së procesit të njohjeve dhe anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe organizma të tjerë politiko-ekonomikë, ekonomia do të zërë vendin primar në kontaktet me vendet e tjera (përveç aspekteve të tjera strategjike nacionale dhe atyre të sigurisë) dhe do të jetë jetike për Kosovën që të arrijë një zhvillim ekonomik, një përmirësim të standardit të qytetarëve, një jetë më të mirë dhe këtu diplomacia jonë ekonomike dhe politike mund të bëjë shumë në këtë drejtim për ta përshpejtuar këtë proces vital dhe me rëndësi vendimtare për Kosovën dhe qytetarët e saj. Por promovimi dhe lobimi ekonomik do të duhej të bëhej tani edhe më shumë dhe paralelisht me lobimin politik për njohje të shtetit të Kosovës, varësisht nga kapacitetet dhe mundësitë praktike prezente, por të angazhohen edhe institucionet e tjera sikurse p.sh. MTI-ja etj. Diplomacia kulturore apo paraqitjet, kontaktet dhe njohjet kulturore janë shumë të rëndësishme për promovimin e vlerave të një shteti, sikurse edhe për krijimin e kontakteve dhe bashkëpunimin në këtë fushë. Këtu do të bënin pjesë p.sh. këmbimi në fushën e artit, pastaj të informatave, sistemin e vlerave, stileve të jetës, këmbimin e ideve, traditave, besimit dhe aspekte të tjera kulturore. Zakonisht, diplomacia kulturore udhëhiqet, koordinohet nëpërmes Ministrisë së Punëve të Jashtme, në këtë rast të Kosovës, dhe më konkretisht të atasheve kulturorë që do të angazhohen në ambasadat tona apo përmes zyrtarëve të tjerë në këtë fillim. Por edhe institucionet e tjera, sikurse Ministria e Kulturës, mediat, shoqëria civile, artistët mund të bëjnë edhe më shumë promovime kulturore përkundër kufizimeve buxhetore dhe vështirësive praktike e logjistike. Dy shembuj të tjerë konkretë të diplomacisë kulturore dhe promovim të kulturës dhe vlerave shqiptare në botë do të ishin shkrimtari i njohur Kadare dhe tash së fundi aktorja Arta Dobroshi. Ismail Kadare, shembull janë librat e tij të përkthyer në frëngjisht, anglisht, spanjisht, gjermanisht, suedisht etj. Kuptohet se shkrimtari ynë i njohur është një rast ideal për promovimin e kulturës, shkrimeve dhe inteligjencës shqiptare dhe ai me të vërtetë ka bërë shumë për shqiptarët. Mjafton të shihet se shumica e librave të tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe disa nga ata edhe janë filmatizuar nga autorë shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Dëshiroj të theksoj një shembull nga Suedia këtu. Në çdo bibliotekë ku kam qenë, ndoshta edhe në ato fare të vogla që mbulojnë rreth 300-500 banorë dhe me ekzemplarë modestë, më ka ndodhur të gjej libra të Kadaresë të përkthyer në suedisht e mos të flasim për bibliotekat në Stokholm apo në qytetet e tjera të mëdha si Geteborgu apo Malmoe, p.sh. që nuk besoj se mund të gjesh ndonjë të tillë pa libra të shkrimtarit tonë të mirënjohur edhe ndërkombëtarisht. Shembulli i dytë është aktorja Arta Dobroshi dhe filmi i saj ”Heshtja e Lornës” që është një diplomaci tipike kulturore për Kosovën dhe në fakt, kjo i mungon Kosovës në arenën ndërkombëtare kur flasim për kulturën. Ishte shumë pozitive të lexohet për suksesin e Artës në shtypin perëndimor në përgjithësi, si p.sh. Belgjikë, Francë, Gjermani, Angli, Suedi dhe në këtë të fundit ishte gazeta kryesore “DN” – “Dagens Nyheter” (“Lajmet e Ditës” - gazetë që lexohet nga miliona suedezë) që kishte shkruar një kritikë shumë të mirë dhe kishte bërë një intervistë me Artën. Kosovës i duhen artistë dhe promovime të tilla kulturore nëpër kinematë, shtypin dhe teatrot e Evropës për të paraqitur një imazh pozitiv dhe sa më të mirë. Natyrisht se ka edhe aktorë/e, shkrimtarë/e, këngëtarë/e të tjera, por unë mora vetëm si shembuj ilustrues këto dy raste më lart. Kemi edhe fushën e sportit ku kemi ambasadorë sportivë si p.sh Lorik Cana, Valon Behrami, Luan Krasniqi etj. dhe ne si Kosovë në bashkëpunim ndoshta edhe me Shqipërinë, duhet të organizojmë promovime kulturore dhe sportive jashtë vendit, duhet të koordinohemi edhe me diasporën dhe të bëjmë më shumë qoftë nëpërmes vizitave apo takimeve, qoftë nëpërmes marketingut dhe organizimeve kulturore-sportive, por edhe nëpërmes takimeve spontane dhe varësisht nga rastet e krijuara. Për fund, një shembull tjetër. Më ka ndodhur në disa takime dhe konferenca ndërkombëtare ku diplomatë apo zyrtarë të vendeve të ndryshme kanë ardhur dhe më kanë thënë: “A bën t’ju urojmë për pavarësinë dhe të prezantohemi se nuk kemi takuar ndonjë person apo zyrtar nga shteti juaj i ri”, p.sh. diplomatë/e dhe profesorë nga Evropa, zyrtarë të tjerë qeveritarë nga Azia dhe Afrika etj. dhe përgjigjja ime natyrisht ka qenë pozitive dhe miqësore. Me këtë shembull po dua të them që është shumë e rëndësishme që Kosova të prezantohet ndërkombëtarisht jo vetëm në aspektin politik dhe zyrtar (që është prioritare kuptohet), por edhe në atë individual-shoqëror dhe atë në fusha të tjera si p.sh. në fushën akademike, kulturore, ekonomike, sportive, sociale dhe të tjera aty ku të mundemi përkundër vështirësive logjistiko-praktike dhe të krijojmë kontaktet dhe njohje të reja të cilat do të ishin të rëndësishme për të ardhmen e bashkëpunimit por edhe për krijimin e një imazhi të mirë dhe modern të shtetit më të ri në botë, pra, të Republikës së Kosovës.