E Diel, 1 Nëntor 2026

Juridiku “informal”, fakulteti i plasaritur nuk ka leje ndërtimi

Fakte të reja që hedhin hije dyshimi mbi plasaritjen e ndërtesës së Fakultetit të Drejtësisë kanë dalë dje nga kontrolli i kryer nga Universiteti i Tiranës. Ndërtesa në fjalë, që mund të kthehej në një tragjedi për qindra studentë e pedagogë, nuk ka pasur leje ndërtimi dhe leje shfrytëzimi, duke shkelur të gjitha ligjet mbi urbanistikën. Financimi i vitit 2004 i fondacionit “Soros” dhe Ministrisë së Arsimit, të drejtuar asokohe nga z. Luan Memushi, duket se është hedhur në një investim pa projekt, e si pasojë pa asnjë siguri mbi cilësinë e ndërtimit.

Pa leje!

“Jemi të habitur nga rezultatet e kontrollit, - u shprehën për “standard” burime nga Universiteti i Tiranës, - na ka rezultuar se nuk ka pasur leje ndërtimi, e si pasojë as leje shfrytëzimi në periudhën që është ndërtuar objekti”.

Mospasja e lejes së ndërtimit dhe të shfrytëzimit ka vendosur një sërë pikëpyetjesh mbi mënyrën se si është kryer investimi nga Ministria e Arsimit, që është institucioni administrator i objekteve në të cilat vendosen universitetet.

“Është i habitshëm, deri tani, fakti që një fondacion i huaj dhe një institucion shtetëror shqiptar kanë hedhur paratë në një investim, pa projekt”, - deklaruan për “standard” pedagogë të Universitetit të Tiranës, duke bërë publike një shkelje ligjore, që mund të ketë qenë e qëllimshme.

Rasti aktual, sipas shumë pedagogëve dhe studentëve të Drejtësisë, përbën një tragjedi të parandaluar, pasi të çarat në muret e Juridikut duket se kanë pasur një të fshehtë më të madhe pas tyre.

Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, si edhe Bashkia e Tiranës, nuk u përgjigjën ndaj interesimit të gazetës, për mënyrën se si janë kryer procedurat e ndërtimit të këtij objekti. Ndërkohë që burime jozyrtare nga bashkia bënë me dije se nuk ka pasur kërkesë për leje ndërtimi dhe se kjo leje duhej depozituar nga Ministria e Arsimit.

Projekti ishte financuar nga fondacioni “Soros” dhe nga Ministria e Arsimit në vitin 2004, si një shtesë që do t’i bëhej Fakultetit të Shkencave Sociale. Dekani i atëhershëm i këtij fakulteti, ministri aktual i Kulturës, z. Ylli Pango, deklaroi për “standard” se nuk ishte në dijeni të këtij fakti, pasi nuk është në tagrin e tij që të jetë i informuar.

“Unë isha dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale, e si pasojë, nuk mund të kisha dijeni nëse ka apo nuk ka leje ndërtimi. Kjo u takon instancave të tjera, pra Ministrisë së Arsimit, bashkisë. Ajo që mund të them, është se ky ishte një projekt që fondacioni “Soros” na financoi, duke na lehtësuar punën në atë kohë”, – deklaroi prof. dr. Ylli Pango.

Pezullohen studimet

Kontrolli i kryer nga Universiteti i Tiranës erdhi pas vendimit të senatit akademik të institucionit, që pezullon studimet me afat të pacaktuar, derisa të jepet verdikti mbi fatin e ndërtesës. Rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule, deklaroi se nuk do të zhvillohet mësim derisa të gjendet zgjidhja.

“Ne presim nga autoritetet shtetërore që të dërgojnë një institucion përkatës për të vendosur nëse ekziston apo jo rrezik, - deklaroi prof. Kule. - Ne kemi shtyrë pa afat procesin e mësimdhënies dhe i kemi dërguar letër ministrit të Arsimit dhe Kryeministrit duke u kërkuar zgjidhje të menjëhershme për çështjen”.

E pyetur nga “standard”, zyra e shtypit e Ministrisë së Arsimit, nuk reagoi në lidhje me këtë çështje.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›