E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomacia per Kosoven. Axhende e perbashket per njohjet

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë hartuar një axhendë të përbashkët të punës për vitin 2011 për t’i sjellë më shumë njohje shtetit të Kosovës. Kështu kanë deklaruar shefi i diplomacisë shqiptare Edmond Haxhinasto dhe homologu i tij kosovar Enver Hoxhaj, pas takimit në Prishtinë.
Haxhinasto i cili ndodhet në vizitën e tij të parë zyrtare tha se bashkimi i Kosovës me Shqipërisë duhet të bëhet vetëm në Bashkimin Evropian ndërsa sfida kryesore tani për të dyja vendet ai tha se është shtimi i njohjeve për Kosovën.

“Një sfidë shumë e madhe e bashkëpunimit tonë do të jetë mbështetja e pakursyer dhe më efikase e Republikës së Shqipërisë,  në mënyrë të veçantë e diplomacisë së saj për të rritur numrin e njohjeve të Kosovës. Kjo është një bindje e jona sepse është një realitet se pavarësia e Kosovës është një e drejtë e saj , është një zhvillim I jashtëzakonshëm në rajon që vetëm ka kontribuar në rritjen e paqes dhe stabilitetit të tij” tha Haxhinasto.

Shefi i diplomacisë kosovare Enver Hoxhaj ka konfirmuar axhendën e përbashkët për rritjen e njoheve për Kosovën.
“Ne jemi duke bërë një analizë të veçantë për secilin shtet veç e veç , cilat janë motivet e këtij shteti i cili nuk e njeh ose do ta njoh Kosovën, cilët janë faktorët e brendshëm të këtij shteti, pozita e tij rajonale pozita në një kontinent të caktuar meqë pavarësia e Kosovës kuptohet edhe lexohet në pjesë të botës në forma të ndryshme” tha Hoxhaj.

Ministri Haxhinasto ka takuar edhe Kryeministrin Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit Jakup Krasniqi.

Bul Salihu

Azhornuar së fundi ( e premte , 18 mars 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›