E Shtunë, 31 Tetor 2026

Limaj ndez debatet. Hetimi absurd. Gashi Ka imunitet deputeti

Deklarata e deputetit Fatmir Limaj se është gati të heqë dorë nga imuniteti për t’iu nënshtruar hetimeve, ka hapur debat në Kosovë, ndërsa EULEX shprehet se nuk ka kërkuar heqjen e imunitetit për   për deputetin. Edhe pse misioni i BE-së ka lëshuar fletë arresti për Limajn nën akuzën e krimeve të luftës, çështja e imunitetit ndodhet ende në sqarim.

Prokuroria e Kosovës vlerëson se nuk ka bazë ligjore për të kërkuar heqjen e imunitetit për ndjekje penale “për të cilën deputeti nuk gëzon imunitet”. Por ndryshe mendon kryetari i Komisionit për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete, Arben Gashi i cili sqaron për “Albanian Screen” procedurën që duhet ndjekur në këtë rast.

“Normalisht që nuk është dashur të hetohet një deputet i Parlamentit të Kosovës që ka imunitet sepse Ligji për Imunitet dhe Privilegje i Deputetëve të Kosovës parashikon se deputetët e Parlamentit të Kosovës janë të mbrojtur nga çdo hetim apo ndjekje penale, përveç në rastin kur kjo bëhet në flagrancë për vepër penale që dënohet me pesë vjet burg. Andaj do të duhet paraprakisht të kërkohej heqja e imunitetit të tij dhe me heqjen e imunitetit të hapej rruga për një procedim penal për cilindo deputet të Parlamentit të Kosovës” tha Gashi.

Avokati i deputetit Limaj, Tomë Gashi, thotë se EULEX-i, me lëshimin e fletë-arrestit ka ndërmarrë një veprim të kundërligjshëm, meqë nuk mund të lëshohet fletë-arrest ndaj një deputeti.

Limaj si Komandant i Brigadës “Kumanova” akuzohet së bashku me njëmbëdhjetë pjesëtarë të tjerë të ish- UÇK-së që i përkisnin brigadës së tij se kanë kryer krime lufte në fshatin Kleçkë në vitin 1999.

Bul Salihu

Azhornuar së fundi ( e premte , 18 mars 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›