E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomat; Ministria pranon formatin e vjetër



Një diplomë të re, të përputhshme me tregun e punës dhe mbi të gjitha me titull do të kenë pas pak ditësh në duar të sapodiplomuarit. Në një lëvizje të papritur, ministri i Arsimit, z. Fatos Beja, revokoi udhëzimin e mëparshëm të ish-ministrit Pollo, duke nënshkruar një udhëzim të ri, tërësisht të përputhshëm me kërkesat e studentëve, universiteteve, por edhe ligjit.

Kështu, ka marrë fund çështja e formatit dhe përmbajtjes së diplomave, me anë të një udhëzimi të ministrit të Arsimit, që i jep të drejtë senateve akademike të modelojnë diplomat e reja. Ministri i Arsimit, z. Fatos Beja, ka dërguar para dy ditësh në të gjitha universitetet udhëzimin e ri, që abrogon të vjetrin dhe përcakton se janë senatet ato organe që do të përcaktojnë modelimin grafik të diplomave dhe do të mund të shtojnë edhe elementë të tjerë.

Pas dy javësh, të gjithë studentët do të kenë në dorë diplomën e re, së bashku me suplementin e diplomës, së bashku me titullin dhe një format që mund ta pranojë tregu, sipas rektoratit të Universitetit të Tiranës. Rektori i këtij universiteti, prof. dr. Dhori Kule, falënderoi dje Ministrinë e Arsimit për miratimin e udhëzimit të ri, që është tërësisht në përputhje me ligjin e arsimit të lartë.

“Në përputhje me udhëzimin e ri të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe me standardet e Bolonjës, Universiteti i Tiranës, senatet akademike dhe studentët do të hartojnë një model të ri diplome”, – tha prof. Kule, duke paralajmëruar se diplomat e reja do të jenë pak më të kushtueshme, por do të jenë cilësore për të diplomuarit.

Pas shumë vitesh, Ministria e Arsimit është tërhequr përpara pretendimeve të universiteteve të Tiranës, duke pranuar gabimet e udhëzimit, të nënshkruar nga ish-ministri Pollo. Në udhëzimin e ri, ministri Beja, duke iu përputhur kërkesave të ligjit të arsimit të lartë, u ka lënë në dorë universiteteve që të modelojnë grafikisht diplomat, duke hequr kriteret e peshës së fletës dhe të ngjyrave që do të hidheshin mbi të.

Ministri Beja ka udhëzuar që universitetet të mund të shtojnë elemente të tjera në diploma, përveç atyre të përcaktuara në udhëzim, duke përmbushur në këtë mënyrë, atë çka parashikon ligji. Madje, në udhëzimin e ri është hequr stema e Ministrisë së Arsimit nga diplomat universitare, duke i bërë ato të pajtueshme me diplomat në tregun evropian universitar.

Në ndryshim nga udhëzimi i mëparshëm, në udhëzimin e ri është përcaktuar se ministria regjistron diplomat e reja dhe nuk i ka dhënë këtij institucioni kompetencën e miratimit, që ligji ua akordon universiteteve. Duket se si ish-kryetar i Komisionit të Ligjeve, ministri Beja ka hequr nga akti nënligjor të gjitha ato pjesë që nuk përputheshin me ligjin dhe i ka detyruar universitetet edhe për pajisjen e studentëve me suplementet e diplomave.

Tashmë pritet vendimi i senatit akademik të universitetit për të përcaktuar modelin e diplomës që do u serviret studentëve në fund të viteve të shkollimit, si edhe suplementi i diplomës me të gjitha detajet e këtyre studimeve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›