Hana: Kemi përmirësuar shërbimet dhe rritur rrogat
Reforma e nisur dy vjet më parë në kujdesin shëndetësor parësor rezulton të jetë e suksesshme. Të dhënat e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor raportojnë tregues në përmirësim për 413 qendrat shëndetësore të kontraktuara nga (ISKSH) duke vlerësuar rritje me disa herë, në një kohë shumë të shkurtër.
Treguesit dhe sfidat për të ardhmen në këtë hallkë të rëndësishme të sistemit shëndetësor u prezantuan dje në një takim me pjesëmarrje të gjerë, të organizuar nga ISKSH-ja dhe USAID-i me temë "Reforma financiare në shërbimin shëndetësor parësor, çështjet dhe sfidat".
Në fjalën e saj, drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, tha se "viti 2007 do të shënonte fillimin e një reforme të thellë në shërbimin shëndetësor, e cila do të niste me shtrirjen e skemës së sigurimeve shëndetësore në nivelin e shërbimit shëndetësor parësor".
Gjithashtu, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, vlerësoi arritjet duke theksuar se reforma do t’u ofrojë qendrave pajisjet mjekësore të duhura për shërbim normal, si dhe do të standardizojë shërbimin parësor në të gjithë vendin.
Më tej, duke u ndalur në arritjet e reformës dy vjet pas nisjes së saj, ajo përmendi autonominë e qendrave shëndetësore në drejtim, organizimin e menaxhimin, krijimin e një burimi kryesor financimi, kalimin nga kontratat individuale në ato në ekip, që ka si qëllim financimin e një pakete standard shërbimesh për popullatën e regjistruar, aplikimin e një metode të re financimi (sipas raportit 85% pagë, 10% performancë dhe 5% bonus) etj. Rritja e nivelit të të ardhurave dytësore është një tjetër arritje e kësaj reforme, gjë që u krijon mundësi qendrave shëndetësore të përballojnë kostot e mirëmbajtjes.
Nga ana tjetër edhe kryetari i Komisionit Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, Tritan Shehu, tha se me këtë reformë u krijua modeli i autonomisë dhe decentralizimit të sistemit.
Ndërkohë që znj. Hana tha: "Qendrat shëndetësore përcaktojnë dhe prokurojnë vetë nevojat për mallra e shërbime, në ndryshim nga vitet e mëparshme, kur prokurimi bëhej nga komunat e Drejtoritë e Shëndetit Publik". Sipas saj, në këtë mënyrë, të gjitha qendrat shëndetësore kanë bërë të mundur ofrimin e listës së shërbimeve te miratuara, me te gjitha mallrat e shërbimet e nevojshme, pa mungesa, pa krijuar stoqe dhe pa krijuar borxhe. Ajo konsideroi arritje aplikimin e shpërblimeve të diferencuara për personelin, deri në dy paga vjetore, bazuar në arritjen e treguesve të performancës e bonusit.