E Diel, 1 Nëntor 2026

“Hard case”



Artan Fuga

Shqipëria ka siguruar ratifikimin e plotë të anëtarësimit në NATO nga të gjitha vendet anëtare të saj. Tani që vendi bëhet anëtar me të drejta të plota, cilat mendoni se do të jenë përfitimet, po detyrimet e Shqipërisë?

Kam dëshirë të madhe të ndalemi gjatë në përgjigjen ndaj kësaj pyetjeje. Është e rëndësishme. Por, duke parë se ka një pyetje më poshtë, e dyta, që më intereson më shumë nga pikëpamja e pasionit intelektual, më provokon në kuptimin e mirë të fjalës, po përpiqem të shkruaj shkurt, me qëllim që t’i lejoj vetes më shumë hapësirë për përgjigjen e dytë.

Ratifikimi i hyrjes së Shqipërisë në NATO nga të gjitha vendet anëtare të saj dëshmon së pari se Shqipëria ka një pozitë gjeostrategjike shumë të rëndësishme për Perëndimin dhe në ballafaqimet dhe rivalitetet Lindje–Perëndim, të cilat janë larg së konsideruari se po zbuten. Shekulli në vazhdim, duket që tani, do të shprehë rivalitete në rritje midis këtyre botëve që shfaqen tashmë në forma të dukshme, në përpjekjet e ethshme nga disa vende të fuqishme të Lindjes për të pasur armatim bërthamor, për t’u ballafaquar me Perëndimin në këtë fushë, si edhe në atë të zotërimit të kozmosit, të burimeve energjetike etj. Tensione gjeopolitike të fuqishme duken në horizont. Duke hyrë në këtë aleancë, Shqipëria e sotme zgjedh anën e militimit politik, kulturor, ushtarak - përse jo, për brezat e saj të ardhshëm. Hyrja në NATO nuk është thjesht një atu elektorale për këtë apo atë forcë politike, është zgjedhja e kampit, me ndërgjegje, me përgjegjësi, për të gjithë shekullin që vjen, në konfrontimet botërore. Nuk është një shëtitje turistike, apo një mision eksplorimi njëqind apo dyqind vetash të organizuar në kompani ruajtësish paqeje në Afganistan. Është shumë herë më tepër se kaq.

Shqipëria është në Evropë, në Perëndim, nuk ka diskutim dhe në këtë konfrontim botëror forcash, herë paqësor dhe herë ushtarak, gjithmonë delikat, gjithmonë të tensionuar, ka justifikim që ajo e lidh fatin e vet me Perëndimin, sikurse thonë në rast martesash, në të mirë dhe në të keqe. E them këtë sepse te grupe të caktuara moshore të shoqërisë shqiptare, por që përbëjnë një shumicë popullsie, u përhap iluzioni se bota pas rënies së komunizmit dhe mbarimit të luftës së ftohtë, hyri përfundimisht në një epokë paqeje përfundimtare, bollëku, me një fjalë qejfi. Aq shumë është përhapur ky mentalitet saqë edhe hyrjen eventuale të Shqipërisë në NATO, ka grupe shoqërore, të cilat e shohin si një gjë të kotë, me indiferentizëm, ose si një konvencion pa ndonjë pasojë reale. Gati-gati iu duket një gjë po aq e kotë sa perceptoheshin bunkerët në pritje të një armiku që nuk vinte. Superideologjizimi kritik i këtij realiteti krijoi ide utopike, të dëmshme për një komb, pra të një pacifizmi dhe të një bote që bazohet gjoja në mënyrë iluzore thjesht vetëm te dashuria, seksi, tregtia konkurrenciale, shpikjet në të mirë të njerëzimit, duke harruar se vazhdojmë të jetojmë në një botë ku ende sipas Niçes drejtohet sipas vullnetit për pushtet: Kush do ta dominojë këtë botë? Rinia e Shqipërisë e ka vështirë ta kuptojë këtë situatë. Por po të shkojmë të pyesim të rinjtë shqiptarë që jetojnë në Maqedoni, në Serbi, në Kosovë, në Mal të Zi etj., ata janë më realistë mbi faktin e ballafaqimeve, tensioneve, vështirësive politike dhe çekuilibrimeve etnike, nga të cilat rrezikohet bota e sotme. Rinia e Shqipërisë në këtë plan është më e papërgatitur, do të thosha, sesa të rinjtë shqiptarë jashtë kufijve. Fajin nuk e kanë ata, por ne, brezi i rritur, që vendosim në themel të vlerave edukative vetëm disa ide pacifiste, duke mos qenë realistë se paqja dhe demokracia që duam nuk i ka rrugët e lehta as në plan rajonal e as në plan botëror. Kampet ideologjike kanë ndërruar, por jo realiteti i ballafaqimeve. Kriza e sotme financiare botërore ka ardhur në kohën që ne duhet të mbledhim mendjen dhe ta mendojmë botën më seriozisht. Hyrja në NATO është akt angazhimi që lidhet me një integrim ushtarak dhe politik me vende demokratike, por që ndodhen dhe do të ndodhen edhe në të ardhmen në ballafaqime të mundshme me fuqi të tjera.

Detyrat e Shqipërisë në këtë proces janë të shumta, të panumërta, e mbi të gjitha i duhet të zhvillojë një sistem të drejtë, një shtet ligjor, një demokraci, jo sipas një modeli të çfarëdollojtë, por të modelit demokratik perëndimor, në sfidat e problemet e tij, dhe në përpjekje për të ecur mbi vështirësitë e panumërta. Jemi ende shumë larg një drejtësie të reformuar.

Këtu ne vijmë te pyetja juaj e dytë, e cila lidhet shumë me të parën.

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar ligjin e lustracionit me gjithë konfliktin e deklaruar të interesit të disa prej anëtarëve të saj. Në gjykimin tuaj, si ndikon injorimi i parimit të “konfliktit të interesit” si precedent në standardet e drejtësisë shqiptare?

Që të jemi me “letra të hapura” e ritheksoj, ju e dini, se në gazetën tuaj jam shprehur disa herë se ligji që e quani i lustracionit, sipas meje, nuk ishte në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës, me Kushtetutën. Pra, jam shprehur kundër tij, dhe ju përsëris, se nuk kam ndërruar asnjë fije mendim. I mirëkuptoj edhe disa trishtime të lexuesve tuaj për këtë qëndrim, duke insistuar megjithatë se kam një kontratë morale me ju për të qenë i ndershëm dhe thënë fare hapur se çfarë mendoj për pyetjet tuaja. Ndërkaq nuk është se kam ndjerë ndonjë gëzim, përkundrazi kam qenë i trishtuar, që ligji për të cilin kisha mendim krejt kritik, është kritikuar edhe nga aktorë të rëndësishëm të skenës ndërkombëtare, aleatë tanë strategjikë, pikërisht edhe në NATO, pra vijmë tek ajo që nuk mund të shkëputet, aderimi në NATO, nga një model demokracie perëndimore. Meqë jemi këtu, individë të cilët në periudhën totalitare, për faj apo jo të tyre, kanë qenë të detyruar apo me dëshirë, të jenë në pikat më intensive, të nxehta të represionit politik e juridik, nuk besoj se ka vend të jenë edhe sot të propozuar apo të emëruar, apo të justifikuar në majat e hierarkisë. Tjetër punë që mekanizmi i seleksionimit të njerëzve të drejtësisë duhet të jetë i drejtë, demokratik, jo privues të drejtash politike. Nuk është fjala tek e drejta për punë, sikurse ankohet dikush, por tek të drejtat politike nga të cilat nuk mund të privohet retroaktivisht asnjë qytetar. Jo nëpërmjet një drejtësie që jep masa ndëshkuese kolektive. Gjykohet vetëm veprimi individual dhe jo mbi bazën se çfarë statusi burokratik ka pasur ai që dënohet. Drejtësia jepet vetëm nga një trup gjykues. Jo për veprime institucionale, jo në kundërshtim me ligjin e atëhershëm.

Po ashtu, ka qenë një periudhë kur nuk duhet reshtur asnjëherë së thëni se shoqëria shqiptare, individët, kanë vend të reflektojnë me përkushtim, të jenë me brejtje e borxh moral përpara të gjithë atyre viktimave të pafajshme, të cilat u dënuan pa gjyq ose me gjyqe mizore, që u privuan nga të drejta themeltare, gjatë periudhës totalitare. Kjo ndjenjë nuk duhet të përjetohet vetëm nga ata që punonin në sistemin represiv, por duhet të shtrihet në të gjithë shoqërinë që pranonte, kundronte, prehej mbi dijeninë e faktit të dënimeve të padrejta dhe që shkatërronin jetë njerëzish.

Këtu ndahen gjërat.

Pra, duke qenë parimisht për të bërë drejtësi, duke respektuar demokracinë dhe shtetin e së drejtës (e vetmja mënyrë për të dalë kombi shqiptar nga rrethi i hakmarrjes dhe dhunës së ripërsëritshme), e kam kuptuar angazhimin politik të Partisë Demokratike për ta konceptuar dhe aprovuar atë ligj. Tjetër është politika dhe tjetër është e drejta. Një parti politike mund të kërkojë të ndërtojë projekte politike që ndonjëherë mund të shkojnë edhe në kufijtë e kuadrit kushtetues. Kanë vend për interpretime. Një parti politike e ndërton projektin e vet në përputhje me strategjitë e veta elektorale. Fundi i fundit shumica në Kuvend mund ta konceptojë dhe aprovojë një ligj çfarëdo. A është apo jo i volitshëm për kombin, këtë e gjykon edhe Presidenti, është apo jo në përputhje me Kushtetutën, këtë e gjykon dhe e ndan Gjykata Kushtetuese.

Ju më pyesni për “konfliktin e interesit”? Pra, a mund ta gjykonin këtë çështje gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese, të cilët mendohen e konsiderohen nga shtypi se mund të preken, së paku disa prej tyre, nga ky ligj? Edhe një herë, më lejoni të them se ju ndofta më pyesni politikisht, kurse çështja kur gjykohet në sistemin e drejtësisë është juridike.

J – U – R – I - D – I – K- E.

Jo morale, jo politike.

Kritika ime ndaj tekstit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk lidhet me qortimin e mediatizuar se ata kanë gjykuar në “konflikt interesi”. Është kritikë tjetër. Do ta them pak më poshtë. Kini durim! Kurse për “konfliktin e interesit” çështja duhet analizuar në mënyrë profesionale dhe jo me pasione politike.

Nga njëra anë është e drejtë kërkesa që një gjyqtar nuk mund ta gjykojë një çështje kur aty implikohen interesa të tij. Kjo është në themel të ligjit, është një parim që në filozofinë e së drejtës quhet “parimi i rinjohjes”. Nuk është i shkruar, por kuptohet që gjyqtari nuk mund të jetë njëkohësisht edhe palë ose i prekshëm në vendimin që merr, sepse ai duhet të garantojë kushtet dhe parimet e paanësisë. Mirëpo kjo normë që është fare evidente, e thjeshtë, ndonjëherë, futet në ato që quhen “raste të vështira” (hard cases). Jo të lehta për t’u ndarë me një thikë. Përse?

Së pari, sepse në ndryshim nga një gjykatës i zakonshëm i një shkalle më poshtë, Gjykata Kushtetuese nuk mund t’i ndryshojë gjykatësit aq lehtësisht sepse për këtë kërkohen procedura të tjera. Mund ta heqësh thjesht një gjykatës nga një çështje gjyqësore, e ta zëvendësosh me një tjetër, por nuk mund ta bësh këtë aq lehtë me një anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

Së dyti, këta gjyqtarë nuk është se e zgjodhën lirisht të ishin apo të mos ishin në “konflikt interesi” në këtë rast, problemi erdhi dhe u krijua pa dëshirën e tyre.

Së treti, ata kanë pranuar të kenë mbi supe një detyrë kushtetuese, të dhënë e aprovuar nga kombi, si mund t’i ikin asaj duke mos gjykuar çështjet?

Së katërti, ku dihet se ata preken personalisht nga ai ligj? Juridikisht flas. Për këtë duhet, sipas ligjit, të shprehet komiteti që ligji parashikon të ngrihet. Deri atëherë ata, ligjërisht, mund t’i kryenin detyrat e tyre sepse juridikisht ishin të paprekur nga ligji. Ata prezumohen ligjërisht në krye të detyrës.

Së pesti, vetë ligji krijonte një situatë paradoksale meqë vetë ai krijonte atë që në jurisprudencë quhet “papërcaktueshmëri juridike”. Gjyqtarët që mund ta gjykojnë një çështje, u bënë edhe vetë “palë” në atë çështje! A duhet që ata ta gjykojnë atë çështje? Kjo është një pyetje juridikisht paradoksale, një “papërcaktueshmëri ligjore” për të cilën nuk ka përgjigje. Kjo nuk do të thotë se nuk duhet të marrë përgjigje. Por, në çdo rast përgjigjja është e gabuar. Gabim për gabim, ata zgjodhën për ta gjykuar atë çështje. Ta zëmë se një parti politike arrin të votojë një ligj sipas të cilit nuk mund të jenë gjykatës kushtetues individë meshkuj. Rast hipotetik. Atëherë, a do të duhet që anëtarët meshkuj të Gjykatës Kushtetuese ta gjykojnë këtë ligj pa rënë në konflikt interesi? Ky është pra paradoksi. Po ta gjykojnë, do të kritikohen se janë në konflikt interesi. Po të mos e gjykojnë, do të kritikohen se nuk bënë asgjë për ta ndaluar një ligj që nuk ishte në përputhje me Kushtetutën. Ose një rast tjetër hipotetik: një shumicë parlamentare arrin të aprovojë e votojë një normë ligjore sipas së cilës presidenti i Republikës nuk ka më të drejtë të kthejë mbrapsht ligjet e Kuvendit. Si do të bënte Presidenti? Po ta kthente mbrapsht këtë ligj do të kritikohej se ishte në konflikt interesi. Po të mos e kthente mbrapsht, do të akuzohej se nuk po bënte detyrën e tij dhe se nuk po mbronte Kushtetutën. Kjo quhet papërcaktueshmëri ligjore.

Së gjashti, pavarësisht se mund të dyshoheshin për anshmëri, kjo nuk do të thotë se gjykatësit do të ishin vërtet të paanshëm. Ata, juridikisht flas, mund ta aprovonin ligjin dhe ta quanin të drejtë. Nuk i dihej.

Pra, kjo çështja e konfliktit të interesit është shumë e ndërlikuar në këtë rast. Është rast i një papërcaktueshmërie ligjore, një “hard case”, që në vende demokratike mund të marrë zgjidhje pas procedurash që mund të zgjasin me vite, a mund të mos zgjidhen asnjëherë.

Problemi pra për mua nuk është aq ky që folëm, sesa vetë teksti që u prodhua nga Gjykata Kushtetuese në formën e një vendimi për të pezulluar atë që ju e quani ligji i lustracionit.

Për mua, tani kemi një përgjigje të padrejtë juridike për një ligj të padrejtë.

Cilët janë argumentet e mia që më bëjnë si qytetar kritik ndaj tekstit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese sipas variantit që është botuar në media?

Së pari, e thashë se nuk i paragjykoja gjykatësit e nuk mendoja se ata do të ishin të drejtuar nga interesa personale kur ta gjykonin këtë ligj, por besoja se do të niseshin vetëm nga e drejta. Nuk i hyj kësaj pune. Por, në tekstin e vendimit për pezullimin e ligjit, ata e kanë shkruar të bardhë mbi të zezë pikërisht se një nga arsyet e pezullimit të ligjit ka të bëjë me mbrojtjen e interesave profesionale e të punësimit të funksionarëve që mund të preken nga ky ligj. Ata kanë shkruar se një nga arsyet e pezullimit është se “përfundojnë marrëdhëniet e punës për funksionarët e lartë të shtetit”. Ku e dinë ata se ka funksionarë të shtetit që mund të preken nga ky ligj? Drejtësia është e verbër – thuhet – pra juridikisht ata nuk e dinë se kundër kujt drejtohet spontanisht ose me qëllim ky ligj. “Përfundojnë marrëdhëniet e punës për funksionarë të lartë të shtetit?!” E pastaj? Po ligji pikërisht këtë kërkon. Nëse duhet, këto marrëdhënie mund të përfundojnë. Pse mos është ndonjë dëm për shtetin nëse disa funksionarë të lartë, po qe se këtë e legjitimon e drejta, zëvendësohen nga të tjerë? Pse pak funksionarë te ne kanë marrë librezën e punës duke ikur në punë të vet? Ku është problemi këtu për të pezulluar ligjin? Argumenti i dhënë nuk qëndron. Është përdorur gabim. Po të hymë në këto marrëdhënie që studiohen jo nga drejtësia, por nga sociologjia e punës, atëherë arsyetimi duhet çuar deri në fund. A është argument kundër ligjit fakti se funksionarë të lartë të shtetit (pra ndofta edhe gjyqtarë) do të ndërpresin marrëdhëniet e punës, për ta pezulluar ligjin? Në asnjë mënyrë. Ky është konflikt i interesit tanimë jo i hamendësuar, por i shprehur në një tekst vendimi. Sipas meje, nuk duhet të kishte ndodhur.

Së dyti, në tekstin e vendimit thuhet: “Sipas kërkuesve, nga zbatimi i menjëhershëm i ligjit, interesave të rëndësishme shtetërore u shkaktohet një dëm shumë serioz dhe vështirësisht i riparueshëm”. Këtu është gjykuar për pasojat e veprimit të një ligji, pra për pasojat politike dhe shtetërore. Pyetja që lind është gjithmonë e bazuar te logjika e jurisprudencës: Drejtësia gjykon kryesisht për pasojat e një ligji, apo për faktin sesa është apo nuk është ai kushtetues? Kush e ka provuar se po të aplikohet ligji, ndodhin pasoja dhe dëme serioze për shtetin? Edhe mund të ndodhin, nuk përjashtohet, puna është gjetiu: Vlerësimi i këtyre pasojave është kompetencë e Gjykatës, apo e Kuvendit, apo partive politike etj.? Dikush tjetër mund të thotë: Përkundrazi, kështu shteti forcohet. Edhe ky i dyti mund ta ketë gabim. Edhe një herë, nuk është puna fare aty. Puna është se kështu ne dalim nga qerthulli i gjykimeve të së drejtës, që parimisht e gjykon një akt, veprim, kolektiv apo individual, politik, apo ekonomik, duke e krahasuar atë me një normë që quhet e drejtë, në këtë rast Kushtetuta, dhe hyjmë në sferën e gjykimeve politike dhe të opinioneve mbi pasojat që një ligj mund të ketë apo mund të mos ketë mbi shoqërinë. Nuk duket arsyetim juridik ky, por politik. Së treti, në vendim shprehet se “Cenohet apo kufizohet ushtrimi i veprimtarisë kushtetuese të Presidentit të Republikës, Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm si dhe të gjitha institucioneve të tjera të administratës publike, nga veprimtaria e Autoritetit të Kontrollit të figurave”. Është tjetër problem kur diskutohet nëse ligji i lustracionit cenon ose jo veprimtarinë kushtetuese të Presidentit etj. Nuk dua të hyj në këtë fushë në këtë çast. Ndonëse nuk e kuptoj sesi cenohet veprimtaria e organeve kushtetuese.

Nëse ky argument i tekstit të vendimit të Gjykatës së Kushtetuese është i saktë, atëherë lind një problem tjetër. Gjykata e paska marr vendimin e plotë për ligjin që ka shqyrtuar. Nuk kuptoj se përse nuk e quajtur direkt jokushtetues, por vetëm e ka pezulluar! Argumenti i dhënë më sipër në atë tekst nuk ka të bëjë me kohën, por është strukturor, ai e konsideron ligjin cenues për veprimtarinë e organeve kushtetuese! Atëherë përse ky argument që vlen për një shfuqizim ligjor është përdorur për një lloj tjetër vendim-marrjeje që është vendim pezullimi? Pra, nuk duket se ka koherencë midis shtresës argumentative të tekstit dhe shtresës që lidhet me llojin e vendimit.

Së katërti, vendimi i Gjykatës Kushtetuese shprehet se “shkaqet e parashtruara nga kërkuesit lidhur me kërkesën për pezullimin e ligjit, në kuptim të nenit 45 të ligjit organik të saj, i vlerëson si shkaqe të përligjura për të argumentuar parandalimin e pasojave që mund t’i vijnë funksionimit normal të shtetit të së drejtës si dhe të drejtave dhe lirive themelore të individëve”. Me një fjalë teksti rimerr integralisht arsyetimet dhe argumentet e palëve ankimuese, të cilat janë argumente politike, mbështetur mbi pasojat politike të pamatshme dhe i riprodhon ato. Ku është këtu autonomia kuptimore e ligjërimit juridik të gjykatës nga ligjërimi politik, i legjitimuar, por gjithmonë politik, i palës kryesore ankimuese? Nuk shfaqet. Teksti rimerr gjuhën e ankimimeve pa prodhuar vetë ai një ligjërim të dytë juridik të domosdoshëm. Ligjërimi juridik bëhet palë, mbivendoset ndaj një sintakse ligjërimore që është ajo e një pale. Kështu formalisht manifestohen simbolikisht parcialitete, të cilat nuk shkojnë në të mirë të një kuptimi të sistemit të drejtësisë si një pushtet autonom.

Kosova festoi përvjetorin e parë të pavarësisë. Një pjesë e ekspertëve ndërkombëtarë kanë paralajmëruar vështirësi në konsolidimin e shtetit. Ju si mendoni? Cilat mund të jenë sfidat kryesore, po përparësitë?

Në përvjetorin e pavarësisë kemi urimet, jo analizat. Në festë kemi nevojë të gëzojmë. Sfidat: të kapërcejnë veten duke krijuar një realitet të ri social, politik, diplomatik, kulturor. Të kapërcejnë veten. Përparësitë: përsëri vetja. Të kenë besim te vetja.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›