E Diel, 1 Nëntor 2026

Leje për të burgosurit, ja kushtet

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Të dënuarit që sillen sipas rregullores në qelitë e vuajtjes së dënimit, mund ta lënë qelinë për disa ditë dhe të shkojnë pranë familjeve. Po këtë fat mund të kenë edhe të dënuarit, të cilët kanë përfunduar më shumë se gjysmën e dënimit.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk privon asnjë të dënuar që plotëson kushtet e parashikuara në ligj për leje disaditore. Në një intervistë për gazetën “Ballkan”, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmed Dibra, ka shpjeguar procedurat e lejes, mënyrën e trajtimit të të dënuarve, projektet i institucionit që ai drejton, si dhe problemet që hasen në këtë institucion.
Si paraqitet gjendja në burgje pas marrjes së drejtimit të tyre nga ju, Dibra, problemet dhe mbipopullimi?
Me dëshirën për të arritur një proces të mirëfilltë transformimi dhe për të qenë më aktivë në përmbushjen e objektivave të Qeverisë Shqiptare dhe standardeve të Këshillit të Evropës, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve gjatë vitit të kaluar ka ndërmarrë një sërë iniciativash duke u bazuar në rekomandimet e dhëna nga KE si dhe në Master Planin për sistemin penitenciar në Shqipëri.
Gjatë vitit 2008, vit në të cilin u emërova si Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, u menaxhuan 20 institucione penitenciare me një kapacitet për 4480 persona. Si nevojë më prioritare e sistemit të burgjet u pa kryerja e një reforme të mirëfilltë që do të përshinte krijimin e një baze ligjore, e cila garantonte respektimin e të drejtave të personave me liri të kufizuar, përmirësimin e kushteve infrastrukturore nëpërmjet ndërtimeve të reja dhe rikonstruksionit të institucioneve ekzistuese si dhe krijimin e një sistemi eficient në të cilin merreshin në konsideratë jo vetëm të drejtat e të dënuarve dhe të paraburgosurve, por edhe të stafit që punon në këtë shërbesë mjaft të veçantë.

Për sa i përket problematikave të sistemit që shoqërojnë punën tonë, pikë së pari, do të ndalesha në mbipopullimin e burgjeve. Është një problem i vazhdueshëm i ngritur nga DPB dhe institucione të tjera, prej së cilës burojnë edhe shumë probleme sociale. Aktualisht, në vendin tonë ndodhen rreth 5040 persona të dënuar dhe akuzuar për krime të ndryshme. Shifra mesatare e mbipopullimit është rreth 520, kjo varion nga hyrjet edhe lirimet e personave. Për të ulur mbipopullimin në institucionet penale, me financim të Komisionit Evropian dhe Qeverisë Shqiptare, gjatë vitit 2008 janë hapur 4 institucione të reja. Me financim të Bashkimit Evropian janë hapur tre institucione të reja penitenciare në Vlorë (kapaciteti 115 persona), Fushë-Krujë (kapaciteti 350 persona) dhe Korçë (kapaciteti 350 persona), me një vlerë totale prej 13.3 milionë euro.

Një investim mjaft i rëndësishëm i Qeverisë Shqiptare ka qenë ndërtimi i paraburgimit të ri në Durrës (kapaciteti 245 persona) si dhe rikonstruksioni i spitalit të të sëmurëve mendorë me mjekim të detyruar në territorin e ish-KFOR-it (kapaciteti 69 persona), ku vlera e plotë e objekteve është 157 621 000 lekë. Në dhjetor të vitit 2008 ka përfunduar dhe ngritja e Institutit të të Miturve në Kavajë, që për mua është një nga projektet më ambicioze. Ky institut do të shërbejnë si një qendër këshillimi dhe rehabilitimi për të miturit shqiptarë që, për arsye të ndryshme, ndodhen në institucionet penale. Po bëjmë të gjitha përgatitjet e nevojshme për marrjen në dorëzim të këtij instituti dhe vënien në eficensë të plotë.

Ministria e Drejtësisë ka përfunduar ndryshime të “Kodit Penal” dhe ligjit “Për ekzekutimin e vendimeve penale” me synim vendosjen e sistemit të provës dhe dënimit alternativ. Këto financime dhe iniciativa mjaft të rëndësishme kanë zbutur problemin e mbipopullimit në institucionet penale.

Me shumë kriticizëm është parë dhe zgjedhja e stafit që do të shërbejë në institucione dhe rritja e kapaciteteve menaxhuese është ndjekur si një problematikë më vete. Fryma që duam të shpërndajmë në të gjitha institucionet tona është që burgjet të mos shihen si vende ndëshkuese, por si institucione ku zbatohen të drejtat e njeriut dhe mundësia për riintegrimin e tyre në shoqëri. Ndoshta për disa mund të duket e papranueshme, por institucionet penale përbëjnë një komunitet mjaft të veçantë, ku nëse arrihet të punohet mirë, atëherë mund të krijojmë një realitet mjaft ndryshe për të gjithë shoqërinë ku jetojmë. Pra, të gjitha përpjekjet e bëra në kuadër të rritjes së kapaciteteve menaxhuese të stafit dhe mënyrën e trajtimit të personave me liri të kufizuar, si dhe iniciativat e ndryshme ligjore që janë ndërmarrë, janë tregues realë të reformës së kryer në sistemin e burgjeve shqiptare dhe krijimin e një imazhi tjetër për sistemin e burgjeve.

Shqetësim i vazhdueshëm i konstatuar nga DPB ka qenë ardhja me vonesë e urdhrave të ekzekutimit të vendimeve të gjykatës pranë këtyre institucioneve, në kundërshtim me parashikimet e Kreut VI “Afatet e Ekzekutimit të Vendimeve”, të ligjit nr. 8331, datë 21.04.1998 “Për ekzekutimin e vendimeve penale”. Ardhja me vonesë e këtyre urdhrave ka bërë që shumë të dënuar të mbahen dhe të vuajnë dënimin në mënyrë të padrejtë në ambientet e paraburgimit dhe si rezultat janë organizuar një sërë grevash urie. Për zgjidhjen e këtij problemi ka pasur një lloj indiferentizmi nga ana e organeve kompetente, me gjithë dëshirën e mirë nga ana e DPB për bashkëpunim dhe ofrimin e gjithë asistencës së nevojshme.

Projektet e reja për ndërtimin e institucioneve të vuajtjes së dënimit dhe kushtet në ato ekzistuese?

Ngritja e institucioneve të reja të hapura gjatë 2008 ka ndikuar mjaft pozitivisht për rehabilitimin dhe riedukimin e personave me liri të kufizuar. Këto institucione plotësojnë standardet evropiane me kushte optimale për trajtimin e personave me liri të kufizuar sipas konventave ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut. Kanë filluar parashikimet për vitin 2009 për burgje dhe paraburgime të reja në Shkodër dhe Fier si dhe ka filluar hartimi i projekteve për qendra të reja paraburgimi në Berat, Elbasan, Gjirokastër dhe Kukës. Studioja projektuese është kontraktuar nga BE.

Për sa u përket kushteve të institucioneve ekzistuese do t i ndaja në dy kategori: Institucione të cilat janë të trashëguara nga sistemi i kaluar si psh. 302 tek ”Mine Peza”, Tepelena, Burreli, 313 tek “Jordan Misja”, etj., dhe institucione të cilat janë ngritur pas viteve 90. Të gjitha institucionet që janë trashëguar nga sistemi i kaluar kanë një infrastrukturë të dobët dhe që nuk përmbushin standardet optimale për trajtimin e personave me liri të kufizuar. Megjithatë, janë bërë ndërhyrje për rikonstruksionin e këtyre institucioneve dhe adaptime të ambienteve për të krijuar kushte sa më normale për personat që janë duke vuajtur dënimin. Edhe gjatë vitit 2009 janë hartuar detyra projektimi për rikonstruksionin e plotë të këtyre institucioneve.
Institucionet e që janë ndërtuar pas viteve 90 janë konceptuar jo vetëm si qendra dënimi, por si qendra që mund të shërbejnë për rehabilitimin e personave me liri të kufizuar, duke filluar me ndërtimin e kulteve fetare në institucion, klasave për kurse të ndryshme, biblioteka, fusha sportive, qendër shëndetësore, fushat e ajrimit, etj.

Ideja e ndërtimit të burgjeve private
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, aktualisht nuk ka asnjë projekt ose është duke bashkëpunuar me ndonjë institucion për ndërtimin e burgjeve private.

Sa persona janë larguar nga qelitë gjatë fundvitit me leje nga burgu dhe çfarë procedurash ndiqen për dhënien e këtyre lejeve?

Çdo person që ndodhet në vendet e dënimit, në bazë të ligjit 8328 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim”, ka të drejtën të përfitojë leje. Gjatë fundvitit janë dhënë rreth 125 leje shpërblyese. Në vazhdim lejet janë dhënë sipas planifikimeve të bëra nga drejtuesit e institucioneve dhe sipas kritereve të përcaktuara në ligj.

Projektet e DPB-së për vitin 2009?
Fushat kryesore ku aspirohet të punohet gjatë 2009 përfshijnë përmirësimin e infrastrukturës nëpërmjet ndërtimeve të reja dhe rikonstruksionit, krijimi i programeve të veçanta për trajtimin sa më dinjitoz të personave me liri të kufizuar si dhe menaxhimi me efikasitet i burimeve njerëzore dhe financiare.

Reforma në legjislacionin shqiptar për sistemin penitenciar është një qëllim në vetvete, pasi normojnë punën në institucione dhe sigurojnë një trajtim sa më njerëzor të të dënuarve dhe të paraburgosurve. Gjatë vitit 2009 e në vazhdim synohen të ndërmerren këto iniciativa ligjore:
Hartimi i Rregullores së Disiplinës të Policisë së Burgjeve
Ndryshimin e Rregullores së Brendshme të Drejtorisë së Përgjithshme
Hartimi i Rregullores së Zyrës së Gjendjes Gjyqësore
Akte të tjera nënligjore për Policinë e Burgjeve
Rregullorja e Komisionit të Mbikëqyrjes së Ekzekutimeve të Vendimeve Penale
Sfida kryesore e së ardhmes së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në kuadër të trajtimit dhe respektimit të të drejtave të personave me liri të kufizuar mbetet punësimi i të dënuarve dhe përfshirja e tyre në sigurimet shoqërore. Rregullorja (në fuqi) e Përgjithshme e Burgjeve nuk zgjidh problemin e punësimit të të dënuarve. Rregullorja e re e Përgjithshme e Burgjeve e cila është dërguar për miratim në Ministrinë e Drejtësisë, rregullon këtë marrëdhënie. Janë përcaktuar në detaje vendet e punës që punësohen të dënuarit dhe të paraburgosurit, si dhe përfshirjen e tyre në sigurimet shoqërore dhe çdo lloj përfitimi që ka një qytetar i lirë i punësuar. Gjithsesi, kërkohet një angazhim tepër serioz nga të gjitha institucionet përkatëse për realizimin me sukses të këtij projekti.

Një projekt tjetër i rëndësishëm mbetet shtrirja e procesit mësimor në të gjitha institucionet. Pas nënshkrimit të marrëveshjes midis Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Drejtësisë, filloi procesi mësimor në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimit Penal (IEVP) në Peqin, ku aktualisht po ndjekin procesin mësimor 44 të dënuar. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve po vazhdon bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit për fillimin e procesit mësimor edhe në 4 institucione të tjera: IEVP Burrel ku kanë shprehur dëshirën për t u arsimuar 13 persona, Fushë-Krujë, 34 persona, Rrogozhinë 18 persona dhe Korçë, 31 persona. Gjatë vitit 2009 synojmë që të krijojmë një sistem i cili garanton respektimin e të drejtave të personave me liri të kufizuar, të krijojmë një marrëdhënie të respektueshme me të gjithë bashkëpunëtorët dhe të sigurojmë shndërrimin e sistemit penitenciar në një mundësi riedukimi duke ringjallur shpresën në të gjithë shoqërinë.

Amnisti dhe falje për të dënuarit nuk është aplikuar fundvitin që kaloi në ndryshim nga vitet e tjera. Pse ndodhi ky përjashtim?

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk është institucion që planifikon falje apo amnisti për të dënuarit. Është institucioni i Presidencës që përcakton kriteret për falje dhe merr këtë vendim. Kërkesat për falje i drejtohen Presidentit të Republikës, institucioni i të cilit bën të gjitha verifikimet e nevojshme. Ndërsa kërkesat për amnisti i dërgohen Parlamentit dhe është ky institucion që merr këtë vendim. DPB-ja bashkëpunon me institucionet përkatëse për të lehtësuar këtë proces nëpërmjet dhënies së informacionit mbi bazën e dokumentacionit që disponon dhe çfarëdolloj asistence të nevojshme.
Ky lajm është publikuar: 07/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›