E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomat e Bolonjës, Gjonaj: “Udhëzimi i ri, të hënën në universitete”

Rrëzohet kërkesa e studentëve për pajisjen e diplomës me titullin përkatës. Kaçani: “Diplomat e reja nuk ndryshojnë, do të kenë elemente shtesë”

Jonida Tashi

Udhëzimi i ri për diplomat e Bolonjës do të mbërrijë nesër në universitete. Lajmi bëhet i ditur nga zëvendësministrja e Arsimit, Adriana Gjonaj, e cila pohon se “në fillim të javës që vjen do të çojmë në universitete suplementin e diplomës, që është një dokument, pjesë e procesit të Bolonjës, ku studenti, bashkë me diplomën, merr edhe një suplement, ku përshkruhen të gjitha njohuritë që ka marrë në shkollë”. Sipas Gjonajt, ky suplement është i dobishëm për punëdhënësin, sepse kuptohen qartë njohuritë e punëmarrësit.
Udhëzimi
Ndërsa përsa i përket përmbajtjes së udhëzimit, zëvendësministrja e Arsimit, Adriana Gjonaj, sqaron se udhëzimi i ri për diplomat ka një përmirësim, në kuptimin e shmangies së disa elementeve, të cilat mund të mos ishin të domosdoshme. “Por ne po respektojmë gjithmonë të drejtën e universiteteve që në një hapësirë të caktuar, ata të zgjedhin formën e diplomës, hapësirë që ka ekzistuar edhe në udhëzimin e mëparshëm”, - shprehet numri dy i Arsimit. Duke konfirmuar se MASH-i ka lehtësuar udhëzimin nga ato pak elemente që u kërkuan nga studentët, Gjonaj shpjegon se senatet e universiteteve, në përputhje me udhëzimin e MASH-it, kanë mundësinë të zgjedhin diplomat e tyre duke ruajtur gjithmonë standardet shtetërore bazë që duhet të ketë çdo diplomë. Së fundi, Adriana Gjonaj thekson se diplomat e Shqipërisë do të mbajnë të njëjtin standard si të gjitha vendet e BE-së.
Diplomat
Diplomat e reja të Bolonjës nuk do të ndryshojnë, por do të pajisen me elemente shtesë. Kështu ka deklaruar dje kryetari i Konferencës së Rektorëve, Jorgaq Kaçani. Megjithëse kërkesa kryesore e studentëve ishte pajisja e diplomës me titullin e studimit të kryer, Kaçani konfirmon se diplomat e reja do të jenë pa tituj, por do të shoqërohen nga suplemente përkatëse që lidhen me fushën e studimit. Dy ditë pas deklaratës së ministrit të Arsimit, Fatos Beja, se pavarësisht protestave të studentëve për ndryshimin e formatit dhe përmbajtjes së diplomave të reja të ciklit trevjeçar ato nuk do të ndryshojnë, kreu i Konferencës së Rektorëve shpjegon se vendimi për mosndryshimin e diplomave të reja është konform ligjit. “Elementet që përmban diploma që lëshohet tani në arsimin e lartë është një diplomë e cila njihet nga elementet që ajo përmban. Në të gjitha sistemet europiane të shkollimit kudo në botë, titujt nuk janë më pronë e studimeve universitare, por janë pronë e studimeve pasuniversitare”, - pohon Kaçani. Gjithashtu, kryetari i Konferencës së Rektorëve, njëkohësisht edhe rektori i Universitetit Politeknik (UP), thotë se universiteti që ai drejton i ka gati diplomat e nivelit të parë po ashtu edhe ato të nivelit të dytë të cilat presin miratimin.

/////////////

Italia: Shqipëria po mbron baronët e saj të drogës

Bari - Artan Shabani, Eno Prifti, Haliv Fici, Skënder Jusufi, Artur Vaqo, Nako Uta, Krenar Çobaj dhe Akil Dardhanjori. Këta janë baronët e trafikut të drogës në Shqipëri, “transituesit e shenjtë“ drejt Italisë dhe Europës të heroinës dhe së fundi edhe të kokainës. Në qendër të hetimeve më të mëdha të Drejtorisë Investigative të Antidrogës së Barit, të kryera në harkun kohor prej vitit 1997 deri në vitin 2008, të cilat janë shoqëruar shpesh dhe me arrestime, rezulton se ka ende disa “kokrra të rëndësishme” të këtyre hetimeve, që jetojnë në liri të plotë mes Durrësit dhe Vlorës, në qetësi dhe paprekshmëri totale. Por njësoj si këta kapo të rëndësishëm mendohej se ka gjithsej 148 shqiptarë të kërkuar nga Drejtësia italiane, që janë duke kaluar “dënimin” e tyre nëpër oborret e shtëpive të tyre në Shqipëri. Bëhet fjalë për persona të hetuar apo të dënuar për shumë krime të kryera në Itali. Mes dy vendeve ka një marrëveshje domethënëse, që parashikon shkëmbimin reciprok të kriminelëve. Por Shqipëria i ka punët më keq se kurrë, pasi në vitet 2007-2008 mundi të kapë 89 shqiptarë për llogari të organeve gjyqësore italiane, duke dërguar në Itali vetëm 72 prej tyre. Në të njëjtën periudhë shteti ynë, në bazë të urdhrave të Gjyqësorit shqiptar, mundi të arrestojë 232 shqiptarë duke kryer dërgimin në Shqipëri të 116 prej tyre. Shpirti bashkëpunues i karakterizon të dyja vendet, por kur vjen puna në ekzekutimin e këtyre marrëveshjeve, çështja komplikohet përherë. Faktet tregojnë se mëngjesin e djeshëm, përpara gjykatësve të Gjykatës së Barit, togeri i karabinierëve, Mikele Dikolanxheo, u paraqit me gjashtë dosje të rënda, që përmblidhnin etapat më kryesore të hetimeve tashmë të unifikuara dhe të mbiquajtura “Stafeta 2” dhe “Stafeta 3”. Këto dosje lidhen me narkotrafikun nga Shqipëria drejt Italisë dhe nga hetimet rezultoi se trafiku drejtohet nga Artan Shabani, Eno Prifti, Haliv Fici, Skënder Jusufi, superbosët në liri. Në të njëjtën çështje penale janë të përfshirë dhe 16 të pandehur të tjerë, ndërsa 24 prej tyre kanë zgjedhur gjykim të shkurtuar. Katër “bosët” në qendër edhe të hetimeve të tjera janë të gjithë të arratisur dhe jetojnë të qetë në Shqipëri, ku me sa duket, në Shqipëri kanë investuar edhe të ardhurat e tyre nga trafiku në biznese të ligjshme në vendin e tyre. Prokuroria e Barit po pret prej kohësh ekstradimin e tyre në Itali, por deri tani nuk ka asgjë konkrete. Ndërkohë që puna e hetuesve shkon përpara dhe, për pasojë, këto hetime kanë nxjerrë dhe emrat e bosëve të rinj të narkotrafikut shqiptar. Nga vërejtjet e hetuesve rezulton se ka ndodhur një “ndërrim brezash” në drejtimin e narkotrafikut, ndërsa është rritur më shumë dhe cilësia e operimit të këtyre organizatave. Trafikantët e “vendit të shqiponjave”, të konsideruar si transitorët më të mëdhenj të heroinës drejt Europës, tashmë po shtrijnë influencën e tyre edhe në tregun e kokainës. Në 10 vitet e fundit Antidroga Italiane ka bërë në këtë kontekst me dhjetëra operacione, duke hetuar në mënyrë komplekse më shumë se 400 persona në Shqipëri.

16 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›