E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji për vetëdeklarimin e bizneseve të barnave



Për fillimin e biznesit të tregtimit të barnave me shumicë, farmaci, agjenci farmaceutike, firmat e import-eksportit të tyre, gjithë personat apo subjektet e interesuar do të vetëdeklarojnë për përmbushjen e kërkesave ligjore. Qeveria miratoi kohët e fundit formularët e vetëdeklarimit për të gjithë personat, vendas dhe të huaj, apo subjekte, që kërkojnë të pajisen me licencë për këtë aktivitet nga Ministria e Shëndetësisë. Të gjitha subjektet farmaceutike që kërkojnë të punojnë në këtë fushë duhet të deklarojnë se përmbushin kërkesat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi. Nga ana tjetër, Drejtoria e Shëndetit Publik Rajonal bën verifikimin brenda 20 ditëve nëse vërtet subjektet i përmbushin kushtet sipas deklarimeve të bëra. Formularët e vetëdeklarimit u përgatitën në zbatim të ligjit “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, kryesisht të ndryshimeve të fundit në të. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ndryshimet në ligjin për farmacinë u ndërmorën me qëllim liberalizimin e tregut në heqjen e monopoleve si dhe rritjen e sigurisë dhe të cilësisë të barnave që tregtohen në vend. Formularët parashikojnë kriteret që duhet të plotësojnë personat fizikë dhe juridikë që kërkojnë të ushtrojnë këto veprimtari të tregtimit të barnave.
Farmacia lejohet të ushtrojë veprimtari vetëm në prani të drejtuesit teknik ose të farmacistit të punësuar, të cilët duhet të regjistrohen pranë DSHP-ve përkatëse. Në zonat rurale, ku nuk ka farmaci, MSH-ja propozon hapjen e Agjencive Farmaceutike, me drejtues teknik ndihmësfarmacist, mbi bazën e vetëdeklarimit të tij për plotësimin e kritereve të kërkuara. Shërbimi i hapur farmaceutik në vend është privat. Ai monitorohet nga MSH-ja dhe Qendra Kombëtare të Kontrollit të Barnave. Sipas të dhënave, në vend operojnë rreth 80 depo dhe 900 farmaci e agjenci farmaceutike.

Adoleshenti 13-vjeçar përfundoi me sukses transplantimin

Adoleshenti 13-vjeçar nga Shkodra, Sadam Begovi, ka dalë me sukses nga operacioni për transplantimin i veshkave. Begovi iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale dy ditë më parë në Spitalin Amerikan, i vetmi që realizon transplantime në vendin tonë. Pak minuta pasi ka lënë sallën e reanimacionit ai u vendos në dhomën e tij, ku do të qëndrojë disa ditë. Veshka tjetër iu dhurua nga tezja e tij, e cila aktualisht është në gjendje të mirë shëndetësore. Ekipi i mjekëve të Spitalit Amerikan është kryesuar gjatë transplantimit nga profesori turk, Sadik Orsëz, i cili deklaron se operacioni është realizuar me sukses. Sadik Orsëz u shpreh se Sadami është pacienti i parë në këtë moshë i transplantuar në Shqipëri. “Mund të them që nga ana teknike operacioni ka kaluar me shumë sukses. Çdo gjë është shumë mirë tani për të dy pacientët. Të gjitha funksionet e veshkës i ka shumë normale dhe duke qenë një pacient që nuk ka pasur funksion veshke aspak deri sot, ai ka urinuar 4 litra që ditën e parë. Ky për ne është tregues i suksesit të operacionit”, - u shpreh mjeku. Nëna e 13-vjeçarit ka falënderuar ministren e Shëndetësisë, Anila Godo, për ndihmën që i dha duke mundësuar kryerjen e transplantimit. Me kërkesën e prindërve pranë këtij institucioni, së fundi Ministrisa e Shëndetësisë mundësoi kryerjen e operacionit që rezultoi i suksesshëm.

Përfundon rikonstruksioni i rrugës “Kol Idromeno”

Shkodër - Përfundon rikonstruksioni i një prej rrugëve kryesore në qytetin verior. Qytetarët shkodranë, por edhe vizitorët e huaj, tashmë do të mund të shëtisin në këmbë në zonën muzeale që ndodhet në rrugën “Kol Idromeno”. Në këtë qytet përfunduan punimet për rikonstruksion e saj falë një fondi prej 45 milionë lekësh të dhënë nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Drejtori i Degës së Monumenteve të Kulturës në Shkodër, Ervin Gjini, u shpreh se punimet e nisura në fund të vitit të kaluar, kanë përfunduar dhe qytetarët shkodranë po shijojnë ambientet me elementë të shumtë dekorativë, si gjelbërimi, ndriçimi, vazot e mëdha me lule, stolat. Sipas tij, kërkesa për ta shndërruar këtë rrugë vetëm për këmbësorët ekzistonte prej shumë kohësh për faktin se duke qenë e ndërtuar e tëra me një stil venecian, ku në anët saj gjenden ndërtesa shumë të hershme, ajo vizitohej vazhdimisht nga turistët vendas dhe sidomos ato të huaj. Kjo rrugë është projektuar nga piktori dhe arkitekti, i njohur Kol Idromeno, nga i cili ka marrë edhe emrin. Në të dyja anët e rrugës gjenden banesa dy apo trekatëshe të stilit venecian, që datojnë 100 vjet më parë. Në rrugën “Kol Idromeno”, krahas banesave private, ku kanë jetuar familjet më të vjetra shkodrane, gjenden edhe disa nga bizneset e zejtarisë të hershme të qytetit verior si argjendari etj.

16 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›