E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prefekti Keçi: ”10 ditë afat për t’u shprehur për vlefshmërinë e buxhetit”

Procedurat ligjore që duhet të ndjekë prefekti për firmosjen e buxhetit. Dokumentacioni voluminoz për buxhetin po shqyrtohet nga ekspertët

Emanuela Sako

Pas dorëzimit të dokumentacionit për buxhetin, prefekti i Qarkut të Tiranës, Ruzhdi Keçi, sqaron procedurat ligjore që duhen ndjekur. Sipas tij, ekspertët në Prefekturë kanë nisur shqyrtimin e dokumentacionit voluminoz për buxhetin. Keçi ka shpjeguar se prefekti ka 10 ditë afat për t’u shprehur për vlefshmërinë ligjore të dokumentacionit. Ndërsa përfaqësuesi i LSI-së, kryetari i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj, deklaroi se votimi i kryer së fundi është i parregullt. Ai theksoi se kjo forcë politike nuk është tërhequr nga qëndrimi i saj për buxhetin.
Nga ana tjetër, Dervishaj i ka dhënë të drejtën për firmë nënkryetarit të Këshillit Bashkiak, Petraq Simo, i cili, tri ditë më parë i hapi rrugë buxhetit të Bashkisë.
Procedurat
Ruzhdi Keçi sqaroi se ekspertët kanë filluar të shqyrtojnë një për një të gjithë materialin voluminoz që përmban buxheti. Sipas tij, ligji i jep 10 ditë kohë për t’u shprehur në lidhje me vlefshmërinë ligjore, kohë e cila do të shfrytëzohet plotësisht duke pasur parasysh kontestimet e shumta në adresë të këtij buxheti. Nëse prefekti nuk e miraton, dokumentacioni i kthehet prapë Këshillit Bashkiak dhe nëse vërejtjet e bëra merren parasysh, atëherë prefekti e kalon buxhetin. Nëse ndodh e kundërta, prefekti i drejtohet gjykatës. “Në datë 12 ka mbërritur buxheti i firmosur nga nënkryetari i Këshillit, i cili është autorizuar nga kryetari, pra ligjërisht është e rregullt, tani topi është hedhur në anën e prefektit”, - theksoi Keçi.
Zgjidhja
Pas peripecive të shumta dhe konstatimeve të forta që u bënë për buxhetin e këtij viti, gjithçka përfundoi në favor të Bashkisë dhe të qytetarëve të Tiranës, pasi mbajtja peng e buxhetit po bllokonte punën dhe po rrezikonte afatet e përcaktuara për ndërhyrjen në disa sektorë të posaçëm. Buxheti i vitit 2009 për Bashkinë e Tiranës u votua 3 herë, por 2 herët e para nuk gjeti konsensusin e palëve. Ndërsa herën e tretë arriti të kalojë me 29 votat e nevojshme. Dervishaj e konsideroi të pavlefshëm votimin për shkak se nuk u numëruan votat kundër dhe abstenim. Ndërsa për kryetarin e Bashkisë buxheti kishte marrë miratimin e shumicës së anëtarëve të Këshillit. Tashmë pritet vetëm firma përfundimtare e prefektit dhe gjithçka përfundon. Në këtë mënyrë do t’u hapet rrugë investimeve që janë parashikuar për t’u bërë këtë vit, ku një pjesë e tyre janë projekte për zhvillimin e disa zonave të rëndësishme të kryeqytetit. Këtu mund të përmenden projektet për qendrën e kryeqytetit, projekti për Unazën e Madhe, projekti për Korpusin Universitar, projekti për ish-Fushën e Aviacionit etj.

16 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›