Porto Romano, një histori korruptive
Historia e TEC-it të Durrësit është e shkurtër, e korruptuar dhe e lidhur ngushtë me zhvillimin e parqeve të energjisë dhe industrisë në Shqipëri. Në vitin 2003, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Shqipërisë aprovoi ndërtimin e një parku industrial dhe energjetik pranë qytetit të Vlorës. Ky park prej 500 hektarësh do të përfshinte disa termocentrale, një terminal nafte, terminalin trans-ballkanik të AMBO-s dhe ndërtime të tjera industriale. Nga plani origjinal vetëm një TEC 97 MW me cikël të kombinuar dhe një terminal nafte morën miratimin e autoriteteve shqiptare; termocentrali përfitoi kredi nga tre institucione financiare ndërkombëtare. Në vitet e mëvonshme, të dy projektet pësuan kritika të forta nga popullata lokale dhe nga ambientalistët për impaktet negative që mund të kishin për gjirin e Vlorës, dëmin që mund t’i shkaktonin ekonomisë lokale, që bazohet në turizëm dhe bujqësi dhe për mungesën e konsultimeve me publikun. Ndërmjet protestave të opinionit publik, Partia Demokratike në pushtet njoftoi në mars 2007 se nuk e mbështeste me planin për një zonë energjetike në shkallë të gjerë në Vlorë, siç ishte planifikuar nga qeveria e mëparshme Socialiste. Duke deklaruar që “nuk kemi ndër mend ta kthejmë Vlorën në një bahçe energjie për gjithë Ballkanin”, qeveria i kërkoi Këshillit të Rregullimit të Territorit të Shqipërisë që ta rishikonte miratimin e dhënë për parkun industrial dhe energjetik të Vlorës. Si rezultat statusi i këtij parku u modifikua në “industrial” më 22 maj 2007. Ky vendim ndaloi çdo investim të ri në kapacitete gjeneruese në këtë park. Shumë kohë para se të merrej vendimi final për të mos ndërtuar me kapacitete gjeneruese energjie në Vlorë, qeveria Shqiptare po studionte mundësitë e ndërtimit të një TEC-i diku tjetër, duke konsideruar veçanërisht idenë e lëvizjes së komponentëve të prodhimit të energjisë nga parku energjetik i Vlorës për në zonën e planifikuar energjetike të Porto Romanos, pranë qytetit të Durrësit, qyteti i dytë më i madh në Shqipëri me 200.000 banorë. Me gjithë famën e keqe të Porto Romanos si një nga zonat më të ndotura të Shqipërisë si rezultat i kontaminimit toksik nga mbetjet e ndërmarrjes kimike aty pranë, kryeministri Sali Berisha deklaroi publikisht se qeveria e ka konsideruar këtë lëvizje nga Vlora në Porto Romano që në vitin 2006. Në tetor 2008, mediat shqiptare zbuluan se një biznesmen nga Bosnja, Damir Fazlliç, kishte blerë tokën ku do ndërtohej centrali i Durrësit. Ky fakt u zbulua gjatë një investigimi për pastrimin e parave që përfshinte biznesin e Fazlliçit, kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha dhe ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha. Ndërsa kryeministri Berisha përpiqej t’i bënte presion prokurores së Përgjithshme, e cila po investigonte aferat korruptive, pronat e Fazlliçit në Durrës u bllokuan. Më 5 nëntor u bë një seancë dëgjimore për çështjen “Fazlliç”. Më 7 nëntor, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, me anë të një note zyrtare, mohoi “akuzat false që kanë qarkulluar së fundi në mediat shqiptare” rreth korrupsionit për pronat e Porto Romano.
16 Shkurt 2009