E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Diplomat e Bolonjës, të vlefshme për punësim”

Autori i Lajmit: red.
Rreth 98 studentë shqiptarë që kanë kryer ciklin e parë të studimeve pranë Universitetit "Zoja e Këshillit të Mirë", në Tiranë, morën dje në dorë diplomat e para të njohura në vendet e Bashkimit Evropian. Në ceremoninë e organizuar në mjediset e Universitetit, ishin të pranishëm kryeministri Sali Berisha, rektori i këtij Universiteti, Paulo Ruotti, ministri i Arsimit dhe i Shkencës, Fatos Beja, rektorë të universiteteve italiane, etj. Diplomat u lëshuan nga Universiteti "Zoja e Këshillit të Mirë" dhe universitetet italiane të Barit dhe "Tor Vergata" të Romës, në përfundim të studimeve të përbashkëta për degët: Ekonomi dhe Administrim Ndërmarrje, Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Fizioterapi dhe Infermieristikë. Duke vlerësuar rëndësinë e kësaj dite, rektori i universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë”, Paulo Ruotti, vuri në dukje se "ky universitet ka krijuar mundësinë që studentët e tij të kenë në dorë një diplomë të përbashkët me universitetet italiane". "Janë rreth 450 profesorë italianë që japin një kontribut të jashtëzakonshëm pranë këtij universiteti. Kjo është risia që ne u ofrojmë studentëve tanë. Nëpërmjet kritereve tona serioze, ne synojmë të krijojmë profesionistë të aftë për shoqërinë shqiptare", - u shpreh zoti Ruotti. Ndërsa, ministri i Arsimit, Fatos Beja, vlerësoi se "këto diploma janë dëshmi e gjallë e suksesit të zbatimit të procesit të Bolonjës dhe vendosjes së standardeve evropiane në arsim". "Diploma Bakelor është tërësisht e vlefshme për të gjetur punë në Shqipëri dhe në sajë të standarteve të Bolonjës, edhe jashtë saj", - deklaroi dje ministri i Arsimit dhe i Shkencës, Fatos Beja, gjatë ceremonisë së diplomimit të 98 studentëve, që përfunduan studimet e ciklit të parë në universitetin "Zoja e Këshillit të Mirë". Duke i uruar studentët për ditën e veçantë të diplomimit, Beja tha se “këto diploma janë dëshmi e suksesit të përfshirjes së arsimit të lartë në procesin e Bolonjës, që dëshmojnë se studenti mund te gjejë punë në Shqipëri dhe jashtë saj”. Kjo, sipas ministrit, dëshmohet edhe prej faktit se "nga 98 të diplomuarit në këtë Universitet, gjysma e tyre kanë gjetur punë, madje disa prej tyre, edhe në Itali”. Standardi i Bolonjës, i vendosur për emërtimin e diplomës sipas nivelit dhe fushës së studimit të kryer është më i mirë se standardi i vjetër, pasi krijon shanse më të gjera punësimi për çdo të diplomuar, në krahasim me modelin e mëparshëm me tituj profesionalë. Për këtë qëllim, krahas diplomës, çdo student pajiset edhe me suplementin e diplomës, i cili jep hollësi për programin dhe nivelin e studimit të kryer, të dobishme për mundësitë konkrete të punësimit.
Ky lajm është publikuar: 14/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›