Diplomat e Bolonjës, zbardhet përmbajtja e suplementit
Jonida Tashi
Formati i ri i diplomave të Bolonjës që ofron Universiteti i Tiranës pritet të miratohet javën e ardhshme. Burime zyrtare nga Universiteti i Tiranës (UT) bëjnë të ditur se miratimi i diplomave do të kryhet në datën 25 mars, në mbledhjen e radhës të Senatit të këtij universiteti. Sakaq, drejtuesit e Universiteti të Tiranës kanë përcaktuar të dhënat që do të përmbajë suplementi i diplomës së Bolonjës. Sipas drejtuesve të UT-së, të gjitha diplomat e lëshuara nga ky universitet do të shoqërohen me suplementin e diplomës, i cili përmban informacion për të diplomuarin, për diplomën që merret, për ciklin (nivelin) e programit studimor, për përmbajtjen e programit dhe rezultatet etj.
Mbledhja
Përveç miratimit të formatit për diplomat e Bolonjës, në mbledhjen e Senatit të UT-së pritet të diskutohen edhe disa çështje të tjera si: shqyrtimi i vërejtjeve të ministrit të Arsimit, Fatos Beja për projekt Statutin e UT-së; zgjedhja e 5 anëtarëve të Këshillit të Etikës të UT-së; miratimi i marrëveshjes me Universitetin e Torinos (Itali) etj. Sipas burimeve nga ky universitet, në këtë mbledhje pritet edhe rishqyrtimi i udhëzimit “Për veprimtarinë e personelit akademik në institucionet publike të Arsimit të Lartë”. Një udhëzim ky i kundërshtuar nga mjaft pedagogë në vend për ngarkesën e lartë mësimore që i është caktuar trupës akademike. Kërkesa e pedagogëve për lehtësimin nga orët mësimore është përkrahur edhe nga vetë rektori i Universitetit të Tiranës, i cili pak kohë më parë ka bërë të ditur se do t’i kërkojë Ministrisë së Arsimit që të rishikojë udhëzimin “Për veprimtarinë e personelit akademik në institucionet publike të arsimit të lartë”. Shqyrtimi i propozimit të Këshillit të Fakultetit të Shkencave Sociale për ndarjen e Departamentit të Filozofisë dhe Sociologjisë do të jetë një tjetër çështje në rend të ditës që do të kalojë mbledhja e Senatit.
Senati
Senati akademik është organ i lartë drejtues i UT-së. Ai përbëhet nga anëtarë, personel akademik, personel joakademik dhe studentë, të cilët zgjidhen drejtpërdrejt nga grupet përkatëse të anëtarëve të institucionit. Anëtarët e Senatit që përfaqësojnë personelin mësimor shkencor duhet të gëzojnë së paku gradën shkencore “Doktor”. Anëtarët e Senatit Akademik përfaqësues të administratës dhe ata studentë zgjidhen përkatësisht, nga administrata dhe studentët, sipas një procedure të përcaktuar në Rregulloren e Zgjedhjeve. Senati përbëhet nga 41 anëtarë si më poshtë: Rektori i Universitetit, i cili është dhe Kryetari i Senatit, 4 përfaqësues të personelit mësimor shkencor të secilit fakultet të UT-së, 2 përfaqësues të stafit jo akademik të institucionit, 6 përfaqësues të studentëve.
Sipas parashikimeve të bëra në ligj, Senati ka edhe disa kompetenca të rëndësishme për mbarëvajtjen e punës në universitet.
Të dhënat që do të përmbajë diploma suplement
Të gjitha diplomat e lëshuara nga UT-ja shoqërohen me suplementin e diplomës, i cili përmban informacionin e mëposhtëm si dhe të tjera që parashikohen në aktet nënligjore përkatëse:
Informacion mbi të diplomuarin
Mbiemri;
Emri;
Datëlindja (dita/muaji/viti);
Numri i amzës i studentit.
Informacion mbi diplomën
Emri i diplomës dhe titulli që i jepet të diplomuarit;
Fusha(t) kryesore e studimeve;
Emri dhe statusi i institucionit që lëshon diplomën;
Emri dhe statusi i institucionit që administron procesin e studimeve n.q.s. është i ndryshëm nga ai i parashikuar në 2.3;
Gjuha në të cilën janë zhvilluar studimet.
Informacion mbi ciklin (nivelin) e programit studimor
Cikli (niveli) i programit;
Kohëzgjatja e programit;
Kriteret e përzgjedhjes në hyrje.
Informacion mbi përmbajtjen e programit dhe rezultatet
Sistemi (mënyra e studimit);
Veçoritë akademike të programit;
Detaje në lidhje me programin përfshi lëndët e studiuara dhe notat e kreditet e marra nga i diplomuari;
Titulli i marrë në përfundim të programit.
Informacion mbi qëllimin e programit
Mundësitë për arsimim të mëtejshëm;
Statusi profesional i të diplomuarit.
Çështjet kryesore që do të zhvillohen në mbledhjen e senatit
Shqyrtimi i vërejtjeve të ministrit të Arsimit për projekt Statutin e UT-së (materialin për stafin akademik e kanë marrë dekanët);
Zgjedhja e 5 anëtarëve të Këshillit të Etikës të UT-së;
Miratimi i formës së diplomave që ofron UT;
Miratimi i marrëveshjes me Universitetin e Torinos (Itali);
Rishqyrtimi i udhëzimit 20, datë 09.05.2008 të MASH-it “Për veprimtarinë e personelit akademik në institucionet publike të arsimit të lartë”;
Shqyrtimi i propozimit të Këshillit të Fakultetit të Shkencave Sociale për ndarjen e Departamentit të Filozofisë dhe Sociologjisë;
Miratimi i propozimit për dhënien e titullit “Doctor Honoris Causa” për ish-Presidentin e Çekisë, z.Vaslav Havel dhe për Prof. Michel Belanger (i propozuar nga Këshilli i Fakultetit të Drejtësisë).
21 Mars 2009