E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli i përgjigjet opozitës për kartat e identitetit: “Mos kini frikë nga zgjedhjet”



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është përfshirë dje në debatin për kartat e identitetit. Duke iu drejtuar opozitës, ajo është shprehur se pajisja e qytetarëve me karta identiteti është një proces që po ecën normalisht, ndërsa deklaratat e opozitës, sipas saj, vijnë për shkak të frikës që ka nga zgjedhjet e qershorit. “Pas anëtarësimit në NATO, ne do të kemi zgjedhjet. Unë jam shumë e lumtur që procesi i shpërndarjes së kartave të identitetit po ecën shumë normalisht. Unë jam shumë e kënaqur që pas 18 vitesh, si asnjë herë tjetër, në zgjedhjet e ardhshme ne do të shkojmë me infrastrukturën më moderne. Unë uroj që politikanë që drejtojnë partitë ditën e zgjedhjeve ta shohin si një ditë feste. Unë nuk mendoj që ata që drejtojnë partitë duhet të kenë frikë nga zgjedhjet, nuk mendoj që ata duhet të kenë fobi nga zgjedhjet, siç ndodh me disa. Ajo ditë duhet të jetë ditë feste dhe unë jam shumë e sigurt që dita e zgjedhjeve do të jetë ditë feste”, - është shprehur Topalli.

Berisha në Bruksel: “Do të negociojmë me Çekinë për aplikimin në BE”

Aplikimi i Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira e demokratike në Shqipëri ishin temat kryesore të diskutimit të kryeministrit Berisha gjatë pjesëmarrjes në samitin e partive popullore të djathta europiane, ku merrnin pjesë homologët Merkel, Karamanlis, presidenti i Komisionit Barrozo, ai i Parlamentit Europian Pottering etj. I pyetur për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, kryeministri Berisha është shprehur se nuk do të ketë aplikim pa negociata me Çekinë dhe vendet e tjera të BE-së. Një deklaratë e tillë e Berishës tregon për një tërheqje të tij nga vendimi për të aplikuar para zgjedhjeve të qershorit. Madje, Berisha ka shtuar se zgjedhjet janë test për Shqipërinë. “Gjithçka bëhet në ujdi dhe unë nuk do të bëja një hap pa presidencën çeke. Ajo është normale që konsultohet me të gjitha vendet e tjera. Por, a qëndrojnë zgjedhjet një problem për Shqipërinë? Plotësisht. Dhe unë e pranoj atë dhe Shqipëria duhet të testojë vullnetin e hekurt për zgjedhje të lira dhe të ndershme, sepse ka ngelur i vetmi vend me zgjedhje të diskutueshme. Kjo nuk mund të vihet në diskutim”, - tha Berisha.

Manjani: “Berisha po shkatërron sistemin e Drejtësisë”

Partia Socialiste ka akuzuar sërish kryeministrin Berisha për ndërhyrje politike në sistemin e Drejtësisë. Kryetari i Komisionit të Ligjeve në selinë rozë, Ylli Manjani, tha se si rezultat i sulmeve të Berishës ndaj sistemit gjyqësor, ky i fundit konsiderohet nga shqiptarët si më pak i besueshëm.
“Shqiptarët çdo ditë e më shumë, me të drejtë, perceptojnë se Drejtësia nuk ekziston dhe se ligji i të fortit është triumfues. Këtë model, pra modelin e të fortit, e përçoi dukshëm Sali Berisha me qeverisjen e tij arrogante”, - tha Manjani. Ai akuzoi kryeministrin Berisha se shkatërroi çdo element pavarësie të sistemit gjyqësor në vend. “Sali Berisha erdhi në qeverisje me premtimin që Drejtësia do të pavarësohej dhe do t’u shërbente shqiptarëve. Tashmë ai jo vetëm që nuk e mbajti premtimin, por shkatërroi çdo element të pavarësimit të sistemit duke futur politikën e tij në çdo dosje gjyqi apo hetimi. Ministria e Drejtësisë së Sali Berishës prej 4 vitesh sillet me arrogancë të pashembullt ndaj çdo gjykatësi dhe prokurori që guxon të hetojë apo gjykojë korrupsionin e Sali Berishës. Kjo sjellje e qeverisë i ngjan më shumë një bande kriminale sesa një qeverisjeje përfaqësuese të interesave legjitime të shqiptarëve. Shqiptarët janë të interesuar në mënyrë legjitime për Drejtësi, kurse kryeministri ynë është i interesuar për t’i shpëtuar Drejtësisë”, - tha Manjani.

21 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›