E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomat e bujqësorit,në protestë 200 studentë

 

Më shumë se 2000 studentë të Universitetit Bujqësor kanë protestuar dje për formatin e diplomave të tyre. Fillimisht ata janë grumbulluar përpara zyrës së Rektorit Fatos Harizaj. Sipas tyre, Harizaj as nuk ka denjuar t’i presë e jo më t’i sqarojë studentët për diplomat që po lëshohen. Edhe pse i përkasin sistemit të vjetër, studentët e Fakultetit Ekonomik në Kamëz janë pajisur me diploma sipas Bolonjës. Me parulla në duar, rreth mesditës ata kanë protestuar sërish edhe përpara Ministrisë së Arsimit. Ata insistojnë në kërkesat e tyre dhe pohojnë se nuk kanë ndërmend të ndalen deri sa t’u plotësohen. ”Është e papranueshme që ne të ndjekim studimet me sistemin e vjetër dhe diplomën ta marrin sikur kemi kryer Bolonjën. Ne nuk jemi vlerësuar me kredite por me nota. Ndaj e gjithë kjo është e pakuptimtë”, shprehen studentët. Sipas tyre, nga ana e Rektoratit po ushtrohet presion çka është krejtësisht e paligjshme. Disa ditë më parë ata dorëzuan në MASH edhe Peticionin ku kërkonin zgjidhje sa më të shpejtë për kërkesat e tyre. ”Jemi të gjithë studentë të vitit akademik 2004-2009, të sistemit të vjetër 5-vjeçar. Ne na është mohuar e drejta për të pasur diplomën e sistemit që kemi ndjekur. Universiteti Bujqësor na ka pajisur me një certifikatë të pavlefshme, që i përket sistemit të Bolonjës me kredite me të cilat ne nuk jemi vlerësuar asnjëherë”, thuhet në ankesën dërguar MASH. Në të theksohet se Rektori i Universitetit, Fatos Harizaj, ka refuzuar t’i presë studentët e t’i sqarojë. Studentët bëjnë me dije se nuk kanë ndjekur sistemin e kartës së Bolonjës, e për rrjedhojë është e pavlefshme. ”Në kërkojmë që marrja e diplomës të jepet sipas sistemit të vjetër, pasi ne kemi konkurruar që në vitin 2004. Kërkojmë që të vendoset titulli si specialist në fushën përkatëse, të ketë elementë sigurie dhe të jetë e vlefshme për tregun e punës. Gjithashtu, njësoj si më parë, diploma jonë të njihet brenda e jashtë vendit si dhe të ketë fotografi”, saktëson ankesa. Nga ana e tij, i pyetur për këtë problem, Rektori i Universitetit Bujqësor të Kamzës, Fatos Harizaj shpjegoi se ka respektuar ligjin e Arsimit të Lartë për pajisjen e studentëve me diploma. “Sipas ligjit të Arsimit të Lartë përcaktohet që edhe diplomat e vjetra do të quhen nivelet e nivelit dhe me të drejtë për të vazhduar nivelet e tjera”, tha  Harizaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›