Sot letërsia, rregullat për të mos u penalizuar në proviim
zirina llambro
Rreth 40 mijë maturantë japin sot provimin e letërsisë, i pari i detyrueshëm i Maturës Shtetërore. Shpërndarja e testeve ka përfunduar tashmë sipas grafikut të caktuar nga Ministria e Arsimit në të gjithë vendin. Provimi nis në orën 10:00 dhe do të zgjasë 2 orë e gjysmë. Nxënësit do të kenë përpara tezat me 25 pyetje, 13 prej të cilave me alternativa dhe 12 me zhvillim. Nga sa bën me dije MASH, të rinjtë duhet të jenë në shkollë një orë para dhe të pajisur me dokument identifikimi. Ministria e Arsimit ka përcaktuar listën me administratorët e provimit për secilën shkollë. Si rregull mësuesit do të monitorojnë klasa me nxënës që nuk i përkasin shkollës ku japin mësim. Drejtoritë arsimore në secilin rreth kanë bërë gati listat. Pas përfundimit, testet do të korrigjohen brenda 10 ditësh dhe rezultatet do t’u jepen maturantëve. Korrigjimi do të bëhet në katër qendra përkatësisht në Shkodër, Tiranë, Elbasan e Fier. Edhe këtë vit pritet që Ministria e Arsimit të publikojë çelësin e provimit me përgjigjet e sakta. Në këtë mënyrë maturantët do të bëjnë paraprakisht llogaritë për pikët që kanë marrë. Për t’u vlerësuar me notën maksimale, ata duhet të grumbullojnë 50 pikë. Por do të jenë korrigjuesit e testeve, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, që do të caktojnë edhe pragun për ta marrë notën pesë. Më shumë vëmendje maturantët duhet t’i kushtojnë pyetjeve me zhvillim. Nëse për përgjigjet e 13 pyetjeve me alternative ata do të vlerësohen vetëm me nga një pikë për secilën, për pyetjet me zhvillim çdo pyetje do të ketë nga 3 pikë. Pra në total mund të grumbullojnë plot 37 pikë. Nxënë-sit duhet të jenë shumë të kujdesshëm në zbatimin e rregullave gjatë provimit. Në rast se kapen duke kopjuar, ata përjashtohen automatikisht nga procesi i Maturës Shtetërore, duke humbur për një vit të drejtën për të nisur një shkollë të lartë. Gjithashtu ndalohet komunikimi me kandidatët e tjerë, celularët apo shënimet në fletën e provimit. Të forta janë rregullat edhe për ata nxënës që mund të mos ndihen mirë gjatë provimit. Në rast se për një arsye apo një tjetër ata duan të dalin nga klasa, pasi kanë probleme me shëndetin, automatikisht përjashtohen nga provimi. Për rrjedhojë humbin edhe shansin për të konkurruar në universitet pas daljes së rezultateve të provimit.
Rivlerësimi i testit
Këtë vit për herë të parë kandidatëve u jepet mundësia e rivlerësimit të testit nëse kanë ankesa. Secili prej tyre në këtë rast do të ketë mundësi të tërheqë një kopje të testit në qendrën e vlerësimit kundrejt një tarife prej 1600 lekësh. Krahasuar me vitet e mëparshme, ajo është 4 herë më e lartë. Me dorëzimin e ankesës, çdo kandidat do të shikojë pikët që ka marrë dhe mënyrën sesi janë vlerësuar përgjigjet.
Shpërndarja e testeve
Shpërndarja e testeve në të gjithë shkollat e vendit nisi mesnatën e djeshme, duke përfunduar sot herët në mëngjes. Kutitë e vulosura sipas rregullit janë shoqëruar jo vetëm nga përfaqësues të AVA, por edhe nga forcat e policisë. Ato janë transportuar në masa të rrepta sigurie. Nga sa pohon Ministria e Arsimit për të çuar testet në rrethet e largëta të vendit është përdorur një helikopter, i cili është vënë në dispozicion nga Ministria e Brendshme.