Diplomat e huaja, mbyllet procesi i ekuivalentimit për 100 vetë
Vetëm disa ditë më parë ministria i ka dhënë “ok” si të vlefshme, plot 100 diplomave të marra jashtë vendit nga studentët tanë. Por megjithë këtë lajm të mirë, në sektorin e njohjeve të diplomave janë në fazë shqyrtimi edhe 300 dosje të tjera. Të interesuarit ankohen se procesi është tejet i ngadaltë ndërsa ministria sqaron se çdo diplomë e huaj ka afatet e saj për t’u verifikuar. Por shpesh koha e gjatë që u duhet të presin për të pasur një diplomë, që njihet në Shqipëri u heq shanset për punësim të diplomuarve jashtë. “Ne po bëjmë të pamundurën të shpejtojmë procedurat, por afati kohor ligjor për njohjen e një diplome të huaj është 3 muaj, nëse dokumentacioni i dorëzuar është i legalizuar në përputhje me udhëzimin e ministrit për procedurat e njohjes së diplomave. Kjo kohë është e domosdoshme për verifikimin dhe konfirmimin nga institucionet që e kanë lëshuar diplomën”, sqaron MASH. Nga ana tjetër, ky dikaster bën me dije se komisioni për njohjen e diplomave është duke punuar me përparësi për procedimin e një numri sa më të madh të aplikimeve, me qëllim që mos t’i pengojmë aplikantët për punësim. Sipas specialistëve, nëse ka probleme si: mungesë e një përgjigjeje të institucionit që ka lëshuar diplomën, mungesë e legalizimit të diplomës, apo mosplotësim të kritereve që kërkohen nga MASH për njohjen e diplomave, atëherë ky afat zgjatet. Por për ata studentë që kanë kaluar këtë kalvar, ministria shpesh ka pretendime absurde. “Kur kam aplikuar për njohje diplome, më kanë kërkuar që dosja personale të vulosej në çdo faqe. Kjo në kohën kur vula e universitetit ishte në faqen e parë të saj”, pohon Albana, e cila ka mbaruar në Itali universitetin. Ndërkaq, sipas specialistëve të Ministrisë së Arsimit, miratimi i udhëzimit për njohjen e diplomave ka lehtësuar procedurat. Nga sa bëhet me dije, të paktën një nga dokumentet bazë që konfirmon diplomimin apo mbarimin e suksesshëm të kursit të studimit që do njihet, duhet të jetë i legalizuar me vulën apostille, ose nga ambasada shqiptare. Ata aplikantë që nuk kanë marrë vulën apostille, apo legalizimin nga ambasada shqiptare, mund të provojnë të kontaktojnë dhe të procedojnë me postë. Në shumicën e shteteve, legalizimi kryhet me vulën apostille. Në 5 shtete si Gjermani, Itali, Greqi, Belgjikë dhe Spanjë, për shtetasit shqiptarë nuk aplikohet vula apostille.