E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia, përcaktohen pagat e reja sipas gradës e funksionit

22/06/2009  Miratohen edhe disa ndryshime për pagesat e studentëve të Akademisë së Policisë

TIRANË- Këshilli i Ministrave miraton rritjen e pagave të punonjësve të policisë së shtetit në bazë të funksioneve të tyre. Sakaq, janë përcaktuar edhe disa kritere për shkollën e policisë. Një nëninspektor do marrë pagën bazë prej 33600 lekësh sipas gradës. Ndërsa një inspektor paguhet 37000 lekë, kryeinspektori 42000 lekë, nënkomisari 51000 lekë, komisari 56000 lekë, kryekomisari 81000 lekë, drejtuesi 93000 lekë, drejtuesi i parë 96000 lekë, zv-drejtori i përgjithshëm 106000 lekë dhe drejtori i përgjithshëm 115000 lekë. Këto paga ndryshojnë me rritje ose zbritje në bazë të funksionit, pasi p.sh një inspektor do të paguhet më shumë nëse punon tek paraburgimi dhe paguhet më pak nëse ka funksion mbështetës.

Paga për studentët

Kështu është vendosur që punonjësi i policisë së shtetit, që pranohet në shkollën bazë të policisë, gjatë kohës së qëndrimit në shkollë përfiton trajtim me pagë, në masën 60 për qind të pagës së gradës “Nëninspektor”, kur ka përfunduar arsimin e mesëm, dhe 100 për qind të pagës së po kësaj grade, kur ka përfunduar arsimin e lartë. Punonjësi i policisë mund të trajnohet brenda ose jashtë vendit, në kuadër të programeve të trajnimeve, të parashikuara e të organizuara nga institucioni. Kur punonjësi i policisë së shtetit, kryen kurse shkollimi ose trajnimi, brenda vendit, gjatë kohës së shkollimit/trajnimit përfiton pagën mujore të vendit të fundit të punës, para fillimit të kursit të shkollimit/trajnimit. Pagesa bëhet nga struktura e policisë, ku ka qenë efektiv përpara fillimit të shkollimit/trajnimit. Kur punonjësi i policisë së shtetit kryen kurse shkollimi ose trajnimi jashtë vendit, për periudha deri në 6 (gjashtë) muaj, merr pagën mujore të vendit të punës, para fillimit të kursit të shkollimit/trajnimit, ndërsa për periudha trajnimi mbi 6 (gjashtë) muaj, punonjësit të policisë i ndërpritet paga, por familjes së tij i jepet një shpërblim, si më poshtë vijon, për punonjësit pa ose me një pjesëtar në ngarkim, 40 për qind të pagës mujore, për punonjësit me më shume se një pjesëtar në ngarkim, 50 për qind të pagës mujore. Pagesa bëhet nga struktura e policisë, ku ka qenë efektiv punonjësi përpara fillimit të shkollimit/trajnimit. Punonjësi i policisë së shtetit, që nuk është efektiv me kohë të plotë në institucionet e sistemit arsimor policor, por bashkëpunon me këto institucione si punonjës i jashtëm, për çdo orë mësimore 60- minutëshe, përfiton një pagë, si më poshtë vijon, në kurset e shkollimit/trajnimit për kursantët e nivelit zbatues, në masën 300 (treqind) lekë/për orë, në kurset e shkollimit/trajnimit për kursantët e nivelit të parë drejtues, në masën 400 (katërqind) lekë/për orë, në kurset e shkollimit/trajnimit për kursantët e nivelit të mesëm drejtues, në masën 500 (pesëqind) lekë/për orë. Vendimi nr. 605, datë 13.10.2001 i Këshillit të Ministrave “Për kurset e formimit profesional, të kualifikimit e specializimit në Akademinë e Policisë ‘Arben Zylyftari’”, shfuqizohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›