E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria: Mos nxitoni për të plotësuar Formularin A2

 

“Mos nxitoni për të plotësuar formularin A2”. Kjo është këshilla që specialistët e Ministrisë së Arsimit i japin maturantëve. Edhe pse formulari pritet të shpërndahet që nga sot në shkolla, nxënësit duhet të bëjnë kujdes. “Kandidatët mund të marrin një kopje të formularit, në mënyrë që të praktikohen në shtëpi për dhjetë preferencat e shkollës së lartë që do përzgjedhin, por më parë duhet të bëjnë llogaritë paraprake të pikëve. Për këtë u duhen notat e provimeve të detyruara. Ata tashmë kanë ato të letërsisë, por do ishte në favor të tyre të prisnin dhe ato të matematikës”, sqarojnë specialistët. Sipas tyre, pasi të kenë mbledhur pikët që fitojnë nga mesatarja dhe provimet D1 e D2 ata duhet të konsultohen me listën e pikëve minimale për çdo program studimi, që kanë bërë fitues kandidatët e një viti më parë. Këto të dhëna i gjejnë në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit, por edhe pranë shkollave. “Në këtë moment nxënësit do kenë një ide se çfarë programi studimi duhet të zgjedhin brenda 10 të mundshmeve”, shprehen specialistët e MASH. Pas kësaj, ata duhet të formojnë një listë ku programet e studimit t’i rendisin jo vetëm sipas preferencave, por edhe mundësisë që kanë për të fituar. “Pra, e para (programi i parë) do të jetë dega që kandidati preferon më shumë, e dyta ajo që preferohet nëse nuk do të fitohet në degën e parë, e kështu me radhë deri te preferenca 10”, sqaron MASH. Për të qenë sa më të qartë, bashkë me formularin A2, ministria do të bëjë publik edhe udhëzimin me detajet e plotësimit të tij si dhe afatet që do të kenë në dispozicion maturantët.

Këshillat

 Prisni notat e provimeve të detyruara
 Bëni llogaritje paraprake të pikëve
 Konsultohuni me pikët minimale të vitit të kaluar
 Rendisni preferencat mbi bazë të pikëve që keni
 Respektoni afatet e caktuara nga MASH
 Lexoni udhëzimin e ministrisë
 Mos dëmtoni formularin

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›