E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëllezërit në gjyq, vranë gabimisht fëmijën 3 vjeç gjatë përleshjes

 

TIRANE - Dy persona, vëllezër mes tyre, dërgohen në gjykatë me akuzën se kanë vrarë nga pakujdesia një fëmijë 3-vjeçar gjatë një konflikti të ndodhur disa muaj më parë në kryeqytet. Bexhet e Sali Vogli, janë të pandehur në dosjen penale nr. 1498, e cila është dërguar për gjykim nga Prokuroria e Tiranës. Kjo e fundit ka përfunduar hetimet për incidentin e ndodhur në Shkozë, periferi e kryeqytetit rreth dy muaj më parë, kur një fëmijë 3-vjeçar gjeti vdekjen pas përleshjes mes të akuzuarve. Babai i fëmijës u ka kërkuar dy vëllezërve Bexhet e Sali Volgi të mos ecnin me shpejtësi me automjetin e tyre, pasi rrezikonin fëmijët. Dy të akuzuarit, sipas Prokurorisë, kanë reaguar menjëherë duke ushtruar dhunë ndaj babait të djalit 3-vjeçar. I mituri ka qenë i pranishëm në skenën e krimit kur dy personat kanë rrahur babanë e tij. Duke ikur me makinë nga vendi i ngjarjes, të akuzuarit kanë goditur 3-vjeçarin, i cili fillimisht u plagos, por më pas nuk arriti të mbijetonte nga dëmtimet e marra duke humbur jetën në spital. Policia e Tiranës arrestoi më pas për "vrasje nga pakujdesia" dhe "plagosje të lehtë me dashje" Sali dhe Bexhet Voglin, përkatësisht 24 dhe 33 vjeç, të dy banues në Shkozë dhe vëllezër mes tyre. Sipas hetimeve, ata ishin duke lëvizur me automjetin e tyre kur 40-vjeçari Ilir Faslliu, banues i zonës së Shkozës, u ka kërkuar të ulnin shpejtësinë e mjetit pasi zona ishte e banuar. Dy vëllezërit që ishin bashkë në makinë, kanë reaguar keq duke ushtruar dhunë ndaj babait të fëmijës, shtetasit Ilir Faslliu. I mituri 3-vjeçar me iniciale K.S. ka parë gjithë skenën e ngjarjes. Pasi kanë ushtruar dhunë ndaj të atit, dy të akuzuarit kanë hipur në makinë me qëllim që të largoheshin nga vendi i ngjarjes. "Në vendin e ngjarjes kanë shkuar specialistë të Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, të cilët kanë arrestuar vëllezërit Vogli dhe kanë nisur punën për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes së 3-vjeçarit", tha policia në një deklaratë pas ngjarjes. Sipas hetimeve të zhvilluara më pas, i mituri ka vdekur si pasojë e një goditjeje të fortë, e cila i është dhënë atij gabimisht gjatë përleshjes ose nga goditja me makinë në ecje e sipër si pasojë e shpejtësisë. Nga ana tjetër, veç dëmtimeve të marra në trup, fëmija sipas ekspertizës mjeko-ligjore ka pasur edhe atak në zemër si pasojë e frikës kombinuar me dëmtimet e marra nga goditja. Prokuroria tha se dy vëllezërit Volgi janë marrë të pandehur me akuzën për "vrasje nga pakujdesia" të fëmijës 3-vjeçar dhe "plagosje të lehtë me dashje" ndaj babait të tij. Në gjykatën e Tiranës mësohet se çështja do të gjykohet nga gjyqtari Martin Deda. tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›