Diplomat e reja, titulli, në pikëpyetje
Diplomat e reja të Universitetit të Tiranës pritet të miratohen më 25 mars, ndonëse asnjë takim zyrtar nuk është planifikuar për senatin akademik. Burime nga universiteti bëjnë të ditur për gazetën “standard” se ende nuk është vendosur nëse titulli do të jetë pjesë përbërëse apo jo e diplomës, por në çdo rast, ai do të jetë i nënkuptuar. Në këtë mënyrë, diplomat mund të kenë në vend të togfjalëshit “i jepet titulli”, fjalën “diplomohet”, sipas propozimeve paraprake.
Titulli
Qendra e debatit për diplomat ka qenë nëse do të vendosej titulli të cilin do të marrin studentët, pas përfundimit të studimeve. Ministria kishte propozuar që diploma të kishte vetëm fushën e studimeve dhe jo të jepej një titull (për shembull historian, mësues, jurist etj.), çka u kundërshtua nga studentët. Drejtori i Komunikimit në Universitetin e Tiranës, z. Ervin Demo, bëri të ditur se titulli do të nënkuptohet, por nuk do të vendoset si fjalë.
“Jemi ende në diskutime me nxënësit dhe pedagogët, por asgjë nuk është vendosur ende. Titulli i diplomës do të jetë në formë të tërthortë, duke vendosur për shembull ‘Diplomohet: Ekonomist i përgjithshëm’, por jo në formën ‘merr titullin: ekonomist’”, – bëri të ditur z. Demo.
Universiteti ka përcaktuar deri tani vetëm një format bazik që përmban të gjitha detajet e kërkuara nga udhëzimi i Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, ndërkohë që elemente të tjera, si titulli i diplomës apo paraqitja grafike do të vijnë vetëm pas propozimit të studentëve. Për këtë arsye, rektorati bëri të ditur se ende pret sugjerime të shkruara nga studentët, por edhe nga grupe të interesit për formatin se si ata duan diplomën e re. Sinergjinë studentë-universitet për diplomën e re e kishte paralajmëruar përpara disa ditësh rektori Kule.
“Në përputhje me udhëzimin e ri të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe me standardet e Bolonjës, Universiteti i Tiranës, senatet akademike dhe studentët do të hartojnë një model të ri diplome”, – ka thënë për “standard” prof. Kule, duke paralajmëruar se diplomat e reja do të jenë pak më të kushtueshme, por do të jenë cilësore për të diplomuarit.
Diplomat
Pas shumë vitesh, Ministria e Arsimit është tërhequr përpara pretendimeve të universiteteve të Tiranës, duke pranuar gabimet e udhëzimit, të nënshkruar nga ish-ministri Pollo. Në udhëzimin e ri, ministri Beja, duke iu përputhur kërkesave të ligjit të arsimit të lartë, u ka lënë në dorë universiteteve që të modelojnë grafikisht diplomat, duke hequr kriteret e peshës së fletës dhe të ngjyrave që do të hidheshin mbi të.
Ministri Beja ka udhëzuar që universitetet të mund të shtojnë elemente të tjera në diploma, përveç atyre të përcaktuara në udhëzim, duke përmbushur në këtë mënyrë, atë çka parashikon ligji. Madje, në udhëzimin e ri është hequr stema e Ministrisë së Arsimit nga diplomat universitare, duke i bërë ato të pajtueshme me diplomat në tregun evropian universitar.