SHKB nis hetimet pas arratisjes së 26-vjeçarit nga Rinasi
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka nisur hetimet pas arratisjes nga policia të 26-vjeçarit Flamur Toskaj të transferuar nga Italia pas kërkesës së bërë nga drejtësia shqiptare. Sipas burimeve, ka filluar procedimi penal ndaj punonjësve të policisë, të cilët kishin për detyrë që ta ruanin atë, ndërkohë që po hetohet kjo ngjarje dhe mënyra se si ai ia ka dalë që të largohet nga aeroporti. Ende nuk ka ndonjë pistë konkrete në lidhje me këtë çështje dhe mënyrën se si 26-vjeçari ia ka dalë mbanë që të largohet. Toska kishte kërkuar që të lëvizte për të kryer disa nevoja personale, por ka arritur që të dalë nga aeroporti, të hipë mbi një makinë që po e priste dhe të largohet me shpejtësi. Menjëherë janë vënë në gatishmëri uniformat blu, të cilat janë organizuar dhe pas operacionit të zhvilluar, kanë vënë në pranga 26-vjeçarin. Ai ishte i dënuar nga drejtësia shqiptare me një vit e gjysmë heqje lirie dhe u ekstradua nga Italia, pas kërkesës së shtetit shqiptar.
Arrestimi
Pas arratisjes së të riut Flamur Toskaj u angazhuan menjëherë forcat e policisë, të cilat nisën nga puna për gjetjen dhe vënien në pranga të tij. Ai ishte larguar nga aeroporti me një makinë që po e priste jashtë. Agjentët ngritën postblloqe të shumta në rrugët kryesore, ndërkohë që nisën edhe kontrollet tek të afërmit e të kërkuarit. Ai u gjet ndërsa qëndronte i fshehur në një banesë të një të afërmi të tij në periferi të kryeqytetit. Pas pesë orësh “lirie”, atij i janë vënë sërish prangat rreth orës 01:30 minuta dhe është shoqëruar për në qelitë e burgut.
Ngjarja
Rreth orës 19:00 të së dielës, Flamur Toskaj u soll nga policia e Bolonjës, Itali me avion pasi është dënuar me 1 vit e gjysmë burg nga gjykatat shqiptare. Ndërsa ishte brenda ndërtesës së aeroportit të Rinasit, Toska i kërkoi punonjësit të policisë që e shoqëronte që të
dilte pak jashtë për të kryer nevojat personale. Sipas burimeve nga policia, dyshohet se arratisja ka qenë e planifikuar, pasi 26-vjeçari ka mundur të largohej nga Rinasi i hipur në një fuoristradë, ku e prisnin dy persona. Kur punonjësit e policisë kanë vënë re se 26-vjeçari nuk gjendej, ata menjëherë kanë dhënë alarmin për arratisjen e tij, ndërkohë që u organizuan për të bërë të mundur edhe kapjen e tij. 26-vjeçari arriti që të largohej me shpejtësi, duke iu shmangur postblloqeve të kontrollit, ndërkohë që u fsheh në banesën e një të afërmi ku edhe u gjet, në periferi të kryeqytetit.
Precedenti
Arratiset 29-vjeçari nga mjediset e paraburgimit në Kavajë, më 11 mars
Rreth orës 13:00 të 11 marsit, 29-vjeçari Edmond Teferiçi u ka kërkuar punonjësve të paraburgimit që të mund të dilte nga qelia. Duke përfituar nga një moment pakujdesie, ai është larguar me shpejtësi nga mjediset e paraburgimit dhe ka dalë në portën kryesore duke vrapuar dhe duke u zhdukur në drejtim të paditur. Forca të shumta policore kanë rrethuar zonën dhe kanë ngritur postblloqe. 29-vjeçari ka arritur që të largohet, me gjithë reagimin e shpejtë të forcave të policisë, të cilat rrethuan zonën menjëherë pas marrjes së lajmit të arratisjes, gjë që tregon se ai është treguar shumë “i shpejtë” gjatë ikjes. Sipas burimeve policore, i riu ka qenë duke u marrë në pyetje para se të kërkonte të largohej për në tualetin e qelive të paraburgimit. 29-vjeçari u kap pas një dite në një banesë në Durrës.