E Diel, 1 Nëntor 2026

Kioska pa leje në Durrës, nis aksioni i prishjes



Kanë nisur sërish problemet me abuzimet në zonat bregdetare të Durrësit. Nga vëzhgimet e bëra rezulton se në bregun e detit, përgjatë vijës nga Bërryli deri në Currila syri të sheh përgatitjet që po kryhen nga disa subjekte për të vendosur lokale të tipit kioskë. Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjel Dako, deklaroi për “standard” se “asnjë subjekt nuk ka kërkuar leje provizore për vendosje lokalesh në këtë pjesë të Durrësit, kështu që rezulton se përgatitja e shesheve prej betoni për vendosjen e kioskave është veprim i jashtëligjshëm”.

Në fakt, ngritja e lokaleve në bregdetin e Currilave është një histori e vjetër e cila po përsëritet edhe këtë sezon. Vitin që shkoi Policia Ndërtimore e Tiranës rrafshoi një numër objektesh pa leje në këtë vend, por megjithatë edhe sivjet po tentohet të ndërtohet sërish duke shfrytëzuar sezonin elektoral. Por, bashkia nuk lëshon leje, pasi sipas saj, zona është përfshirë në një studim urban.

Përgjatë vijës bregdetare nga Bërryli në Currila, e cila është pothuajse 1.5 km e gjatë, por edhe gjatë plazhit publik, ka nisur lulëzimi i objekteve pa leje. Para disa viteve, pasi rëra e bregdetit u mbush në mënyrë të qëllimshme me mbeturina inerte nga ato të pallateve në ndërtim, u kalua në fazën e dytë, në atë të ndërtimit të lokaleve, që të gjitha u ngritën pa lejen e bashkisë.

Vitin e kaluar Policia Ndërtimore e Tiranës ndërhyri dhe prishi pjesën më të madhe të këtyre lokaleve, por brenda pak ditësh, pa u shuar jehona e aksionit, një pjesë e lokaleve u ringrit sërish. Edhe këtë fillim pranvere tendenca është për ndërtimin e disa lokaleve të reja, gjithashtu pa leje.

Nuk është e vështirë të konstatosh rrethimin e trojeve me tela si dhe shtrimin me beton të platformave mbi të cilat pas pak do të mbijnë lokalet. Bashkia e Durrësit me kohë ka deklaruar se nuk do të japë asnjë leje provizore për vendosje kioskash në këtë pjesë të qytetit pa u përfunduar studimi urbanistik i zonës. Pjesa e bregdetit nga Bërryli deri në Currila bën pjesë në zonën B të qytetit të Durrësit e cila po i nënshtrohet studimit urban.

Sipas projekteve të bashkisë, e njëjta vijë është gjithashtu pjesë e studimit të “Uotërfrontit”, i cili përfshin vijën bregdetare nga muri rrethues i portit detar deri në Currila. Në këtë zgjatim integrohet edhe segmenti në fjalë. Por asnjëri prej subjekteve që po ngrenë lokale te Bërryli, nuk ka ndërmend që të presë përfundimin e këtij studimi, por synon që të shfrytëzojë stinën e ngrohtë për të bërë biznes.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›