Mijëra në protestën e opozitës, Rama: Jemi në udhëkryqin e një mbretërie të pashpallur
Aristir Lumezi
Opozita zbriti dje në protestën e dytë të madhe të saj për transparencën e zgjedhjeve. Por ashtu si dhe në protestën e 20 nëntorit 2009, nuk munguan dhe incidentet mes protestuesve dhe policisë, kryesisht protestues të qarkut të Shkodrës. Mijëra protestues, të ardhur dhe nga rrethet, kishin mbërritur në Tiranë që pak para mesditës, ndërsa pjesa më e madhe e tyre u grumbulluan në sheshin "Skënderbej" dhe pranë ministrive, aty rreth orës 17:00, kur dhe nisën të organizoheshin për t'iu drejtuar Bulevardit "Dëshmorët e Kombit" dhe godinës së Kryeministrisë. Sipas një skeme të përcaktuar qartë, protestuesit u vendosën në të gjithë gjatësinë e Bulevardit, ndërsa pjesa më e madhe e tyre u vendos afër godinës së Kryeministrisë. Policia nga ana e saj, me forca të përforcuara, kishte marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e kësaj proteste, që nga ana e opozitës ishte paralajmëruar për disa ditë. Autobusët që kishin sjellë protestuesit nuk janë lejuar të hyjnë në rrugën e Durrësit, nga ku ishte prurja më e madhe e protestuesve nga rrethet e tjera.
Nisja
Ishte ora 18:00, kur me protestuesit u bashkua dhe kryetari socialist Edi Rama dhe përfaqësues të lartë të PS, si dhe krerët e partive aleate të majta dhe të djathta. Rama, Ruçi, Xhafaj dhe deputetë të PS ishin mbledhur më parë në selinë rozë në zyrën e kryetarit, për t'i dhënë dorën e fundit skenarit të ditës së parë të protestës, i cili gjithë këto ditë ishte i njohur vetëm nga 2-3 persona. Rama u prit me shumë entuziazëm në shesh, ndërsa ky i fundit i përshëndeti të gjithë protestuesit e ardhur nga qarqet jugore dhe veriore të vendit. Më pas turma e njerëzve është drejtuar përmes Bulevardit, para parkut "Rinia", për të ndaluar para godinës së Kryeministrisë. Rama dhe drejtuesit e tjerë opozitarë i janë drejtuar podiumit, ku do të mbaheshin fjalimet e rastit. Siç ndodh në raste të tilla, entuziazmi i protestuesve rritej gjatë fjalimeve. Por jo të gjithë ishin rezistentë për të ndjekur këtë protestë. Gjatë fjalës së Ramës, një grua e rreshtuar në radhën e parë të protestuesve, u largua në gjendje të fikti. Por pjesëmarrësit në protestë pritën me entuziazëm lajmin e nisjes së grevës së urisë nga deputetët socialistë dhe simpatizantët e tyre.
Incidenti
Protesta e djeshme kishte më shumë protestues nga rrethi i Shkodrës, kryesisht të rinj. Pas mbylljes së fjalimeve dhe deklarimit të grevës së urisë nga Fatmir Xhafaj, një tension i pakuptuar u krijua para hyrjes kryesore të godinës së Kryeministrisë, aty ku kordoni i policisë ishte më i ngjeshur. Të rinjtë nga Shkodra protestuan kundër policisë, duke kërkuar lirimin e shokëve të tyre. Lajmi i një incident të disa minutave më parë, në Unazë pranë "ETC", kishte mbërritur edhe te turma para Kryeministrisë, e cila u elektrizua menjëherë. Nuk munguan sharjet dhe hedhjet e objekteve plastike në drejtim të policisë, të cilët, falë dhe ndërhyrjes së deputetëve socialistë, Ilir Beqja, Eduard Shalësi, nuk reaguan ndaj protestuesve. Ky elektrizim u transferua dhe në të dy kalimet e Unazës pranë Urës së Lanës, kur policia kishte lejuar qarkullimin e automjeteve. Protestuesit, në shumicë nga Shkodra, u ulën në rrugë dhe bllokuan qarkullimin duke i kërkuar policisë t'u garantojë atyre sigurinë dhe të mos lejojë kalimin e makinave në atë segment. Më pas çdo gjë vijoi qetë, deri në nisjen e grevës së urisë nga deputetët socialistë, të cilët gjatë gjithë kohës ishin në kontakt me protestuesit.
Qëllojnë me shishe, ndalohen në polici 15 protestues të PS-së
TIRANE - Një incident ka ndodhur dje në mbrëmje rreth orës 22:10, mes protestuesve të Partisë Socialiste dhe policisë, në afërsi të Bulevardit "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë. Sipas policisë, protestuesit kanë goditur me gurë dhe shishe plastike në drejtim të forcave të rendit, që ndodhen të pozicionuara për ruajtjen e rendit dhe zhvillimin paqësor të protestës. Më pas grupi i të rinjve, që vinin nga vendi i protestës përgjatë Bulevardit "Bajram Curri" është përplasur pranë Rrugës së "Elbasanit" me shërbimet e policisë së rendit. Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës thanë se të rinjtë kanë nisur të godasin dhe thyejnë reklamat ndriçuese përgjatë rrugës dhe shërbimet e rendit kanë ndërhyrë, duke kryer shoqërimin e 15 prej tyre për në ambientet e Komisariatit nr.1 të Policisë së Tiranës. Deri në orët e vona të mbrëmjes të rinjtë ndodheshin ende në ambientet e shoqërimit të komisariatit dhe nuk ishte vendosur se si do të procedohej më tej ndaj tyre. Përfaqësuesit e Partisë Socialiste kanë pretenduar se protestuesit nuk kanë thyer asnjë xham reklamash, pasi sipas tyre incidenti është iniciuar nga forcat e rendit dhe shoqërimi i të rinjve është i paligjshëm. Disa prej deputetëve të PS-së, Ilir Beqja, Tom Doshi e të tjerë kanë ndërhyrë në këtë situatë, duke u kërkuar protestuesve të mos konfrontohen. e.d
Bllokohet disa orë qarkullimi, Forcat Speciale te Kryeministria
Tiranë, 1 mijë policë për ruajtjen e protestës
TIRANE - Forca të shumta të Policisë së Tiranës dhe reparteve të Forcave Speciale janë angazhuar dje në garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë protestës së opozitës në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë. Masat operacionale kanë filluar që në orët e drekës, me kufizimin e qarkullimit rrugor në disa prej akseve kryesore të Tiranës. Pas orës 16:00, lëvizja e automjeteve është ndaluar në dy krahët e unazës tek Ura e Madhe e Lanës para Piramidës. Më tej qarkullimi është kufizuar edhe në hyrje-daljet dhe rrugët dytësore, në dy anët e Bulevardit "Dëshmorët e Kombit" deri tek Sheshi "Nënë Tereza". Sipas burimeve nga policia, më shumë se një mijë efektiva janë angazhuar dje në operacionin e sigurisë dhe në zbatimin e planit të masave për protestën. Tek Kryeministria dhe kryesia e Kuvendit, dy kordonë me efektiva policie janë vendosur në mes të protestuesve dhe godinës së Kryeministrisë. Aty pranë kanë qëndruar edhe më shumë se 150 efektiva të Forcave Speciale të pajisur me mjetet e nevojshme për ndërhyrje në situata të rrezikshme dhe përballimin e turmave. Shërbimet e përforcuara të policisë kanë vazhduar deri pas mesnatës së djeshme dhe më pas, numri i efektivave të policisë është reduktuar me ndryshimin e turneve. Në orët e mbrëmjes policia ka lejuar rikthimin e trafikut rrugor në bulevard tek ish-hotel "Dajti" dhe më tej si dhe në dy krahët e unazës tek Ura e Madhe e Lanës, duke mbajtur të bllokuar vetëm aksin nga kjo urë deri tek Sheshi "Nënë Tereza".
Grevë urie, 200 deputetë e militantë
Aristir Lumezi
Deputetët e PS dhe simpatizantët e saj nisën dje grevën e urisë pa afat deri në hapjen e kutive. Vendimi u mor dje gjatë një mbledhjeje që zhvilluan të gjithë deputetët socialistë, ku ishte i pranishëm dhe kryetari Rama. 22 deputetë socialistë, mes tyre dhe deputete gra dhe 180 mbështetës të tyre, simpatizantë, nisën që mbrëmë një grevë urie që do të ndërpritet kur të plotësohen kërkesat e tyre për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ishte kreu i grupit socialist, Gramoz Ruçi, i cili që në fillim të mbledhjes përcolli propozimin e disa deputetëve për të hyrë në një grevë urie. Pasi ka pyetur se cili duhet të jetë qëndrimi i grupit socialist, Ruçi ka shprehur edhe një mendim që ka ardhur nga disa deputetë, që sipas tij mendojnë se qëndrimi i tyre duhet të radikalizohet deri në sublim. Të parët që e kanë mbështetur këtë ide ishin dy sekretarët, sekretari juridik Fatmir Xhafaj dhe ai organizativ, Blendi Klosi. Më pas kanë pasuar kryesisht deputetët e porsazgjedhur në zgjedhjet e 28 qershorit. Deputeti Ben Blushi, një nga oponentët e kryetarit Rama dhe përfaqësues i mendimit ndryshe, nuk ka qenë dakord me këtë ide, duke thënë se kjo rrugë nuk çon në rezultatin e kërkuar. Ky qëndrim i Blushit ka krijuar reaksion dhe reagime nga disa deputetë. Gjithashtu edhe Kastriot Islami nuk mbështeti idenë e hedhur nga Ruçi për grevë urie, duke e votuar madje kundër këtë qëndrim të grupit të deputetëve. Ndërsa deputeti Arben Malaj, anëtar i kryesisë së PS, shprehu dëshirën që të hyjë në grevë urie bashkë me deputetët e tjerë. Mësohet se simpatizantë të tjerë do ti bashkohen grevës në ditët në vijim. Ishte iniciatori i kësaj nisme, Fatmir Xhafaj, që bëri pas mbledhjes vendimin e grupit të deputetëve socialistë. "Na ka mbetur vetëm një rrugë, vetëm rezistencë për transparencë. Berishës i ka mbetur vetëm një zgjidhje, të hapë kutitë ose të largohet. Grupi PS-së zhvilloi një takim duke vendosur që protesta do të vazhdojë. Sonte 22 deputetë do të fillojnë grevën e urisë. Janë solidarizuar edhe rreth 180 qytetarë që janë të vendosur të çojnë deri në fund kauzën e një populli të tërë", u shpreh Xhafaj, i cili publikoi edhe listën e deputetëve që do të nisin grevën në çadrat e ngritura në bulevardin përpara selisë së Kryeministrisë. Deputetët që do të fillojnë sonte grevën e urisë janë: Arben Malaj, Blendi Klosi, Olta Xhaçka, Shegushe Ligori, Enkelejda Shkreli, Gazmir Bizhga, Armando Subashi, Ermonela Felaj, Fatmir Xhafaj, Ledi Shamku, Arben Ahmetaj, Besnik Bare, Artan Gaçi, Taulant Balla, Agim Leka, Ervin Koçi, Asllan Dogjani, Ilir Beqja, Pirro Lutaj, Gjovalin Kadeli, Skënder Hasa, Fatos Tushe. Xhafaj nënvizoi se protesta do të vazhdojë ditë e natë, në diell e në shi. "Do rezistojmë deri në fund ndaj çdo vështirësie. Jemi të vendosur t'i shkojmë deri në fund qëndresës sonë. Kërkesa jonë është e thjeshtë dhe e qartë, hapja e kutive për të siguruar lirinë e zgjedhjes", u shpreh Xhafaj.
22 deputetët grevistë
Besnik Bare
Enkelejda Shkreli
Artan Gaçi
Ermonelaj Felaj
Blendi Klosi
Gaz Bizga
Shega Ligori
Taulant Balla
Agim Leka
Skënder Hasa
Armando Subashi
Piro Lutaj
Ervin Koçi
Olta Xhaçka
Arben Ahmetaj
Gjovalin Kadeli
Arben Malaj
Fatmir Xhafaj
Eltar Deda
Ilir Beqja
Asllan Dogjani
Fatos Tusha
Pas orës 1:00, bie qetësia në Bulevardin qendror të Tiranës
Atmosfera në mesin e natës, protestuesit flenë në rrugë
Në mesin e natës, qetësia filloi të mbizotërojë te protestuesit e opozitës, ndonëse muzika nuk pushonte nga podiumi ku folën liderët e saj. Disa prej të moshuarve kishin shtruar poshtë posterat dhe ishin shtrirë në rrugë. Disa të tjerë kishin zënë një vend në lulishte, ndërsa në parkun "Rinia" ishin zënë të gjithë stolat, ku disa prej protestuesve kishin filluar të flinin gjumë. Nga ana tjetër, disa grupe të rinjsh tentonin të mbanin atmosferën sa më gjallë. Ata hidhnin parulla dhe tentonin të kalonin përtej urës së Lanës, ku ndodhej Policia Rrugore e cila tentonte t'i kthente mbrapsht të rinjtë, pasi aty kalonin makina. Afër kullave binjake ku ndodheshin liderët e opozitës, një grup personash filluan të ndajnë ushqime për protestuesit. Copa picash, ujë, si dhe freskuese u servirën për protestuesit. Nga ana tjetër, disa të rinj shijonin muzikën dhe kërcenin, ndërsa më të moshuarit kishin zënë stacionet e autobusit për të pushuar. Muzika e lokaleve të zonës së ish-bllokut dëgjohej në sheshin e protestës, ndërsa shumë të rinj, që kishin ardhur në protestë nga rrethet, filluan të largohen për të frekuentuar lokalet dhe muzikën e zonës. Në mesin e natës, punonjësit e bashkisë kishin filluar nga puna për pastrimin e sheshit. Mbeturinat, kanoçe, postera në rrugët e etj, fillonin të shfaqeshin që në fillim të sheshit "Skënderbej". Mesi i natës kishte në shesh dhjetëra të rinj, ndërsa më të moshuarit po tentonin të gjenin një vend më të rehatshëm, qoftë edhe për t'u çlodhur pak nga protesta e gjatë që nisi që në orën 18:00.
Rama: Jemi gati mbretëri e pashpallur
adi shkembi
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama tha dje se vendi ndodhet në udhëkryqin e një mbretërie të pashpallur, e cila ka rrënuar ekonominë. Kjo, sipas tij, është arsyeja përse qytetarët përkrahën opozitën në mitingun përpara Kryeministrisë. Në fjalimin, i cili zgjati rreth 45 minuta, kreu i opozitës falënderoi qytetarët që dolën dje në shesh për të protestuar, duke theksuar se "sot Shqipëria është në udhëkryqin mes një mbretërie të pashpallur, ku pushteti i një oborri grabit votat, rrëmben pasurinë e përbashkët, shkel liritë e të drejtat e njerëzve, duke e kthyer popullin në rob të keqqeverisjes, dhe një republikë kushtetuese, ku Qeveria është e njerëzve, me njerëzit e për njerëzit". Sipas tij, qytetarët kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe opozitën sepse refuzojnë të pranojnë se mbretëria e pashpallur po paralizon demokracinë dhe gjunjëzon sistemin e drejtësisë. Në të njëjtën kohë, ai theksoi se pjesëmarrësit janë mbledhur në shesh për të hapur një faqe të re, e cila sipas Ramës do të jetë një sakrificë e pandalshme, deri në çastin e bërjes së transparencës së zgjedhjeve të shkuara. "Altoparlantët e propagandës qeveritare shurdhojnë përditë me lajmet e me analizat e marshimit të suksesshëm të Shqipërisë drejt Evropës, nga Evropa nuk mungojnë zërat që përshëndesin progresin mbresëlënës, ndërkohë që Shqipëria si gjithë Evropa nuk shihet gjëkundi, as në pasqyrën e qeverisjes së deformuar kokë e këmbë prej korrupsionit e gënjeshtrave, as në dyert e korridoret e administratës së shtetit të kthyer në çerdhe shërbëtorësh të pushtetit, as në punën e organeve të drejtësisë, që po lëngojnë prej presionit të jashtëzakonshëm të politikës nga lart e të parasë nga poshtë", theksoi më tej lideri i PS-së. Në të njëjtën kohë, ai iu përgjigj edhe kritikave se protestat e opozitës po pengojnë liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian. Rama tha se opozita është në shesh pikërisht për të protestuar ndaj atyre të cilët nuk kanë plotësuar kriteret, që qytetarët shqiptarë të lëvizin pa kufizim në hapësirën Shengen. "Ky është edhe kompromisi ynë: S'duam të na dorëzoni neve pushtetin në tavolinë, po t'i dorëzoni popullit armën me të cilën e mbajtët pushtetin. Pa e nxjerrë që aty dhe çmontuar njëherë e mirë atë armë vrastare për lirinë e zgjedhjeve, në Shqipëri nuk mund të ketë më liri zgjedhjeje për qytetarin, që paskëtaj ose duhet të nënshtrohet ose duhet të largohet", theksoi Rama. Pak orë para festës së paralajmëruar nga Qeveria në sheshin "Nënë Tereza", kreu i PS-së u shpreh se me qindra qytetarë po detyrohen të marrin pjesë në të. "Me qindra mesazhe na kanë ardhur nga këta qytetarë të dhunuar, të cilët megjithëse kanë njëqind e një arsye për të protestuar, sot e nesër bashkë me ne, për cenimin e dinjitetit në punë dhe rrënimin e ekonomisë së tyre familjare, duhet të hipin në autobus për të marrë pjesë në një koncert të turpshëm festiv, prej regjimesh antidemokratike, që shpikin festa sa herë ka protesta", theksoi Rama. "Turp Sali Berisha që u ringjalle shqiptarëve fantazmën e tribunës festive të 1 Majit dhe kohën e zymtë të tubimeve të lumturisë kolektive, që dikur i organizonte Partia jote e Punës, për të manifestuar fuqinë e diktaturës së proletariatit, ndërsa sot i organizon pushteti yt i korruptuar për t'i bërë një karshillëk primitiv popullit opozitar!", vijoi më tej lideri i opozitës. Në fund të fjalës së tij para pjesëmarrësve në miting, kreu i PS-së bëri thirrje për rezistencë deri në hapjen e kutive të 28 qershorit. "Të rezistojmë në këtë bulevard të dëshmorëve të kombit dhe kudo tjetër nëpër Shqipëri, secili sipas kohës e mundësisë së vet, duke ikur e ardhur, pa u ndalur deri në hapjen e kutive, për të shpëtuar demokracinë e të ardhmen, duke shkëputur fatin e zgjedhjeve nga kthetrat e pushtetit të korrupsionit. Kjo është një betejë e vështirë aspiratash të mëdha dhe ne jemi gati ta çojmë përpara me çdo sakrificë të madhe që do të nevojitet", ishte apeli i Ramës, për mbështetësit e opozitës.
Zogaj: Populli do zgjidhje
Ish-deputeti i PD-së, Preç Zogaj, përshëndeti dje protestën e opozitës, duke theksuar se sot vendi ka nevojë për zgjidhje. Ai tha se vendi ka një Qeveri që nuk ka dalë nga kutitë e votimeve. "Opozita është këtu në krye të popullit opozitar për të kërkuar zgjidhje. Këto zgjedhje nuk mbajnë dhe nuk kanë këllqe për të zgjidhur krizën ekonomike politike dhe morale që ka Shqipëria. Ne kemi një Qeveri që nuk ka dalë nga kutitë e votimeve, por nga koalicionet e tryezave, - tha Zogaj. - është kërkuar zgjidhje politike, për të kërkuar hapjen e kutive, për të kërkuar zgjedhje të parakohshme. Këtë do populli opozitar, këtë duan Shtetet e Bashkuara të Amerikës".
Milo: Protesta, jo vetëm 1 motiv
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, deklaroi dje se protesta e opozitës nuk ka vetëm një motiv. Sipas tij, demokracia ndodhet në rrezik. "Protesta e qytetareve sot dhe nesër nuk ka vetëm një motiv, hapja e kutive ku fshihet krimi elektoral, ajo është shumë më e gjerë, është sinjal alarmi për rrezikun që i kanoset demokracisë", deklaroi Milo. Ai tha gjithashtu se, maxhoranca vijon të mos ketë vullnet për t'i dhënë fund krizës. "Sot bashkohem këtu me qindra mijëra vetë që kanë ardhur për herë të dytë në mënyrë kaq masive për të demonstruar edhe njëherë tjetër vullnetin e patundur për të kërkuar zgjidhje politike. Duam të ndërtojmë përfundimisht një Shqipëri të lirë", shtoi Milo.
Ngjela: Protestë deri në fund
Kryetari i Partisë Ligj me Drejtësi, Spartak Ngjela, u bëri dje thirrje protestuesve që të protestojnë deri në rrëzimin e Qeverisë. Ai deklaroi se personalisht nuk do të lëvizë nga sheshi. "Ju bëj thirrje nga ky shesh që të gjithë të dilni nëpër sheshe deri në momentin që do t'i japim fund kësaj Qeverie, që është në duart e një njeriu", tha Ngjela. Ai shtoi më tej se, prej 8 muajsh po luftohet për një kauzë të drejtë për të shpëtuar demokracinë. Ngjela lëshoi akuza të ashpra ndaj Qeverisë aktuale. "Kjo është një Qeveri e dështuar nga të gjitha aspektet, ka krijuar një model shkatërrimi, ka shkaktuar përmbytje dhe viktima".
Ruçi: Të zgjidhet kriza,ose zgjedhje të parakohshme
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi tha dje se pas protestës së 30 prillit, dy janë alternativat që i mbeten Kryeministrit Berisha, të pranojë zgjidhjen e krizës ose të shpallë zgjedhjet e parakohshme. Sipas kreut të deputetëve socialistë "jam i bindur thellësisht se përpara sovranit gjithkush duhet të ulet në gjunjë në shenjë bindjeje të thellë. Por dua t´ju them bindjen time të thellë, bindjen tonë të thellë, të të gjithë shqiptarëve dhe popujve të botës se askush nuk mund ta mbajë sovranin në gjunjë, se askush, me forcën e pushtetit të përkohshëm, nuk mund ta gjunjëzojë për gjithmonë një popull. Sot, përpara atij burrit që ka hyrë në garë me historinë dhe që ka të garantuar një vend turpi në histori, ka vetëm dy rrugë dhe një udhëkryq: ose të pranojë zgjidhjen e krizës, ose të pranojë zgjedhjet e parakohshme!". Sipas tij, Kryeministri Sali Berisha do të ketë një fund politik. "Se në fund të këtij tuneli të gërmuar prej 20 vjetësh rresht, nga ai që fshihet sot pas buzëqeshjeve hipokrite, që fshihet pas frikës së hajdutit të kapur me sendin e vjedhur në xhep, që fshihet pas xhamave të blinduara të zyrës, do të ketë me domosdo një fund", tha Ruçi. Deputeti i qarkut të Fierit theksoi më tej se vendi ka hyrë në një tunel të errët, por opozita me manifestimin e djeshëm dëshmoi se në fund të tij ka ende dritë. "Sot, kjo masë e pafundme njerëzore, ky ortek i derdhur në Tiranë nga gjithë Shqipëria që nuk duron dot më tiranët e vegjël dhe qesharakë, po jep dëshminë e madhe se është momenti final, kur qytetari ndeshet me forcën e sovranitetit të tij për fatin e demokracisë, sepse fati i qytetarit dhe demokracisë janë marrë peng nga një pushtet i dalë jashtë vullnetit të popullit. Se ky është momenti që askush nuk mund të marrë jetën e një qytetari dhe të mos ndëshkohet, se nuk mund të ndodhë kurrë që të vritet një deputet si miku ynë i paharruar Fatmir Xhindi dhe vrasësi të vazhdojë të ikë në drejtim të paditur", theksoi më tej kreu i deputetëve të PS-së.