Diplomat false për 2 mln lekë, ja si u zbulua rrjeti i mësuesve
Prokuroria kërkon arrest me burg për dy mësuesit dhe sekserin e tyre, duke paraqitur si prova në gjykatë përgjimet e kryera. Denoncimi i një personi çoi policinë në zbulimin e aferës me diplomat
Tiranë Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar dje gjykatës caktimin e masës së sigurisë arrest me burg ndaj dy arsimtarëve dhe sekserit të arrestuar gjatë operacionit “Gjimnazisti”. Kërkesa është bërë ditën e djeshme nga përfaqësuesi i organit të akuzës, ndërsa gjykata pritet të shqyrtojë dhe vendosë sot masën e sigurisë ndaj tre të arrestuarve për falsifikimin e diplomave të shkollës së mesme. Sipas burimeve të rezervuara, mësohet se pika e kontaktit mes drejtorit të një gjimnazi në Krastë të Martaneshit dhe ish-drejtuesit të kësaj shkolle, ka qenë 36-vjeçari Sajmir Levonja, i cili rezulton të ketë rolin e sekserit. Pak kohë më parë, Levonja kishte biseduar me një person, të cilit i ka ofruar diplomë të shkollës së mesme, në rast se ai ishte i interesuar për një gjë të tillë. Menjëherë pas këtij takimi, personi në fjalë ka denoncuar rastin në polici, duke pranuar të bashkëpunojë për zbardhjen e aferës korruptive që niste në Tiranë dhe përfundonte në gjimnazin “Jani Fullani” në Krastë të Martaneshit. Gjatë takimeve mes “karremit” dhe personit tashmë të arrestuar, Sajmir Levonja, ky i fundit ka kërkuar katër fotografi dhe fotokopjen e kartës së identitetit, duke i premtuar dëftesën e pjekurisë. Duke qenë se kallëzuesi duhet të kishte përfunduar shkollën e mesme në vitin 1999, Kadri Gjoni, dikur ish-drejtor në gjimnazin ku do të merrej diploma dhe drejtuesi aktual i kësaj shkolle, Bashkim Leti, kanë mundur të sigurojnë një dëftesë, së cilës i kanë vënë edhe fotografinë e personit të interesuar. Gjatë kësaj kohe, policia ka mundur të interceptojë telefonata mes të dyshuarve, ku arsimtarët i kërkonin 36-vjeçarit një shumë parash paradhënie, e cila u është paguar nga “sekseri” pa marrë ende paratë nga personi i interesuar për dëftesën e shkollës së mesme. Pak ditë më parë, Sajmir Levonja i ka dorëzuar dëftesën të pajisur me numër Amze personit të interesuar, ndërsa ky i fundit në këmbim i ka dhënë shumën e parave prej 200 mijë lekësh të reja. Gjatë bisedës së fundit, ku u dorëzua dëftesa dhe u morën paratë, personi që dorëzoi shumën i kërkon Levonjës t’i numërojë ato, pasi është sevap. Numërimi i parave të gjitha kartëmonedha prerje 5 mijë lekëshe ka zgjatur për disa minuta dhe në fund dy personat kanë uruar njëri-tjetrin për punën e bërë. Menjëherë ka ndërhyrë policia, e cila ka arrestuar Sajmir Levonjën, të cilit i janë gjetur paratë e dhëna nga policia për kryerjen e këtij veprimi të simuluar, ndërsa vetë i arrestuari i kishte dorëzuar më parë një pjesë të parave dy mësuesve, të cilët kishin përgatitur edhe dëftesën e falsifikuar. Ky është rasti i vetëm që policia ka mundur të provojë gjatë këtij hetimi, por dyshohet se të arrestuarit mund të kenë kryer edhe herë të tjera veprime të ngjashme.
Diplomat false, sekuestrohet një listë me emra
Gjatë kontrollit të ushtruar në zyrën e drejtorit të gjimnazit “Jani Fullani” policia ka mundur të sekuestrojë një listë me disa emra, përkrah të cilëve kishte shënime për pajisjen me dëftesë të shkollës së mesme. Sipas policisë, të arrestuarit: Bashkim Leti, 40 vjeç, me detyrë drejtor i shkollës së mesme “Jani Fullani” në Krastë të Martaneshit; Kadri Gjoni, 48 vjeç, ish-drejtor i kësaj shkolle dhe aktualisht mësues në shkollën 9-vjeçare të Yzberishtit; si dhe Sajmir Levonja, 36 vjeç; dyshohet se kanë kryer veprat penale “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, “shpërdorim detyre” dhe “ushtrim ndikimi”. Për të tria këto akuza prokuroria i ka kërkuar gjykatës të caktojë masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj të dyshuarve, të cilët sot pritet të dalin para gjykatës.