E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabisin makinën në Durrës, e braktisin në Lanë

Një makinë e grabitur mëngjesin e djeshëm në Durrës u gjet në lumin e Lanës, pranë Pallatit me Shigjeta në Tiranë. Pasditen e djeshme policia u informua se një makinë kishte dalë nga rruga në Unazë dhe gjendej në lumin e Lanës, ndaj edhe një grup hetimor u nis drejt vendit të ngjarjes. Kur kanë mbërritur aty, punonjësit e policisë nuk kanë gjetur askënd pranë makinës, çka ka shtuar dyshimet për ndonjë akt kriminal para aksidentit. Pas verifikimeve të kryera, u zbulua se makina e markës Benz me targa DR 2799 D, sipas policisë, ishte denoncuar e vjedhur në qytetin e Durrësit, nga pronari i saj A.SH. Vjedhja e automjetit, sipas denoncimit të marrë nga policia, ka ndodhur në lagjen numër 5 në Durrës. Dyshohet se, pasi kanë grabitur makinën në Durrës, autorët janë nisur në drejtim të Tiranës, ku edhe janë bërë protagonistë të një aksidenti automobilistik. Makina ka dalë nga rruga, duke rënë në lumë, por grabitësit kanë mundur të dalin që aty e të largohen me shpejtësi, për të shpëtuar nga prangat e policisë. Policia ka marrë shenja dhe gjurmë në automjet për të vazhduar hetimet në lidhje me ngjarjen. Deri në orët e vona të mbrëmjes, policia nuk ka gjetur ende ndonjë gjurmë të grabitësve, të cilët janë shpallur në kërkim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›