Trafiku, kapen 12 kg marijuanë në autobusin e linjës Tiranë-Athinë
Policia Kufitare ka sekuestruar 12 kg marijuanë, të cilat ishin fshehur në autobusin e linjës Tiranë-Athinë, ndërsa është arrestuar vëllai i menaxherit të firmës së autobusëve. Në prangat e uniformave blu ra 41-vjeçari Kosta Gjini, i cili mendohet se është edhe transportuesi i marijuanës së kapur.
Autobusi ishte pjesë e linjës Tiranë-Athinë, i firmës “Klit Ballkan”. Sipas burimeve nga policia, marijuana ishte fshehur në vendin ku vendosen bagazhet në autobus, ndërsa ajo u bllokua në pikën kufitare të Kakavijës.
I arrestuari është shoqëruar për në qelitë e paraburgimit, ku pritet të dalë përpara gjykatës, pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale të “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Punonjësit e Policisë Kufitare bënë një kontroll ditën e djeshme rreth orës 10 e 30 në autobusin tip “Neoplan”, me targa TR 2836 L, të shoqërisë “Klit Ballkan”.
Autobusi, me drejtues mjeti Ardian Bibën, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, po udhëtonte nga Tirana për në Athinë, por në njërin prej bagazheve të këtij autobusi, forcat policore kanë konstatuar një çantë ku brenda saj kishte disa pako të dyshuara me lëndë narkotike.
Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor, i cili ka konstatuar se në çantë ndodheshin 12 pako në formë cilindrike të mbështjella me letër natriban, me peshë një kilogram secila dhe ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar si marijuanë.
Autobusi së bashku me 34 pasagjerë është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër.
Aty, specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, kanë kryer investigimin dhe marrjen në pyetje të të gjithë pasagjerëve dhe drejtuesit të autobusit.
Pas disa orësh, policia bëri të mundur identifikimin e zotëruesit të çantës dhe lëndës narkotike dhe dokumentimin ligjor të këtij trafiku, duke kryer arrestimin në flagrancë të të dyshuarit.
Në pranga u vu Kosta Gjini, 41 vjeç, lindur dhe banues në lagjen nr. 10 Tiranë, i cili është vëllai i menaxherit të firmës së transportit ndërkombëtar të udhëtarëve, “Klit Ballkan”. Sipas burimeve nga policia, lënda narkotike është marrë në Tiranë dhe kishte destinacion tregun e vendit fqinj. Ndërkohë, pasagjerët dhe shoferi i autobusit, vetëm pasi kanë dhënë deklarimet e nevojshme, janë lënë të lirë për të vazhduar rrugën në drejtim të Athinës po me të njëjtin autobus. Gjithashtu, sipas njoftimit nga policia e Qarkut Gjirokastër, në përpjekje për forcimin e kontrollit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme që mund të zhvillohen nëpërmjet kufirit të gjelbër dhe pikave të kalimit kufitar me shtetin grek, është ngritur një grup kontrolli që patrullon intensivisht zonën e gjelbër, për të shmangur trafikun e drogës.