OJF-të mjedisore, plan strategjik për përmirësimin e ajrit të qyteteve
Vlerësimi strategjik mjedisor i planeve rregulluese për çdo qytet është një ndër rekomandimet e shoqatave shqiptare që veprojnë në fushën e mjedisit, pas analizimit të situatës së ajrit në vend dhe mundësive të përmirësimit të saj.
OJF-të mjedisore rekomandojnë gjithashtu zgjerimin e rrjetit të monitorimit dhe përmirësimin e pajisjeve monitoruese në përputhje me kërkesat e Agjencisë Evropiane të Mjedisit, por dhe informimin e rregullt publik (jo më pak se çdo 3 muaj), në lidhje me përqendrimet e elementëve të ajrit (O3; SO2; NO2; NO; lëndët e ngurta pezull dhe Pb), dhe pjesëmarrjen e gjerë gjatë krijimit të strategjisë për ajrin.
Shtimi i sipërfaqeve të gjelbra në qytete, ngrirja për një periudhë 10-vjeçare e shfrytëzimit industrial të pyjeve, shtimi i akteve nënligjore për penalizmin e shkaktarëve të djegies së mbetjeve urbane në vend depozitimet e tyre etj. janë ndër masat e rekomanduara nga OJF-të mjedisore për përmirësimin e cilësisë së ajrit urban.
"Cilësia e ajrit në qendrat e mëdha urbane, edhe pse përqendrimet e lëndëve të ngurta pezull kanë qenë në rënie vitet e fundit, vazhdojnë të jenë problematike", - thuhet në deklaratën për mediat të këtyre shoqatave. Sipas deklaratës, "përmbajtja e lëndëve të ngurta pezull (LNP) dhe PM10 (grimcat nën 10 mikron), referuar monitorimit të Institutit të Shëndetit Publik janë mbi normat e lejuara shqiptare dhe mbi atë të BE-së".
"Ndërsa, treguesit e tjerë (SO2, NO2, O3, Pb) rezultojnë brenda normave të lejuara të standardit shqiptar dhe të Bashkimit Evropian për të gjitha stacionet e monitoruara, por me tendencë në rritje, sidomos në qendrat e mëdha urbane", - thuhet më tej në deklaratën e 51 shoqatave mjedisore që veprojnë në vend.