Tradita e bartjes së armëve
Frika dhe mosbesimi tek institucionet e dikurshme janë vetëm disa nga arsyet pse kosovarët vazhdojnë të mbajnë armë të paligjshme. Sipas sondazheve të bëra, përllogaritet që numri i këtyre armëve të jetë mbi 300 mijë
Tradita e frikës, mosbesimi tek institucionet e dikurshme, si dhe tradita bashkëkohore, janë disa nga arsyet pse qytetarët e Kosovës mbajnë armë në mënyrë të paligjshme, - thonë autoritetet kosovare. Ato theksojnë se ulja e numrit të mbajtjes së armëve nga qytetarët është sfidë për Kosovën. Këshilltari për siguri i Kryeministrit të Kosovës, Dukagjin Gorani, potencon se armët e vogla dhe sasia e tyre që ekziston në duar të kosovarëve në pronësi private është shumë e madhe, dhe po ashtu paraqet rrezik potencial për jetën e tyre.
Mirëpo, sipas tij, eliminimi i armëve të vogla dhe bindja e qytetarëve për panevojshmërinë e tyre është pjesë e një përpjekjeje shumë më të madhe që duhet të ndërmerret nga shumë struktura shtetërore, në mënyrë që të ndryshohet koncepti kulturor, i cili e ndërlidh individin me armët.
"Meqenëse në Kosovë dhe kudo në vendet demokratike nuk mund të ketë aksione të prera për mbledhjen e armëve, atëherë mbetet të ndikohet vazhdimisht në ndryshimin e bazës kulturore, e cila vazhdimisht bind qytetarin e Kosovës që arma duhet të mbahet në pronësi private", - thotë zoti Gorani.
Eksperti për çështje të sigurisë, Nuredin Ibishi, konsideron se armëve në posedim t'u përcaktohen standardet për mbajtjen e tyre dhe në një mënyrë të legalizohen.
"Një prej mundësive është që ato armë me ligjin e ri që është draftuar t’u jepet mundësia, që ata qytetarë që kanë armë në formë ilegale, por që janë të standardizuara për posedim privat apo personal, t'u mundësohet legalizimi", - mendon eksperti i sigurisë, zoti Ibishi.
Sipas tij, kjo do të ndikojë në zvogëlimin e numrit të atyre që mbajnë armë ilegale dhe në eliminimin e kontrabandës. Megjithatë, zoti Ibishi thekson se tani me krijimin e institucioneve të sigurisë nuk ka nevojë që këto armë të barten nga qytetarët.
Statistikat e përgjithshme flasin se në Kosovë ekziston një numër i madh i armëve ilegale, që kanë mbetur kryesisht nga periudha e luftës 1998-1999. Madje kjo shifër, sipas hulumtimeve të organizatave vendore dhe ndërkombëtare, sillet rreth 300 mijë deri në 400 mijë.
Këshilltari i Sigurisë në qeverinë e Kosovës, zoti Gorani, duke iu referuar këtyre të dhënave, thotë se përllogaritet se çdo e dyta familje në Kosovë në njërën apo tjetrën formë kanë në pronësi private një lloj arme.
"Kjo flet për një koncept kulturor, i cili është me gjasë i krijuar gjatë viteve dhe dekadave, dhe ndërlidhet me frikën dhe mosbesimin ndaj institucioneve të pushtetit të mëhershëm, por me kohën është shndërruar në një lloj të fetishit kulturor", - thekson zoti Gorani.
Zyrtarë të çështjeve të sigurisë dhe përfaqësues të qeverisë, ndër të tjera konsiderojnë se duhet të krijohet një sistem për parandalimin e kontrabandës dhe për evidentimin e atyre personave që posedojnë, apo dëshirojnë të posedojnë revole. Policia e Kosovës që nga viti 1999 deri më tani ka konfiskuar rreth 15 mijë armë ilegale.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, shpjegon se shumica nga këto armë janë konfiskuar gjatë operacioneve të ndryshme policore. "Kemi pasur gjatë viteve edhe amnisti të organizuar nga KFOR-i, të cilat nuk janë treguar shumë të suksesshme. Sidoqoftë përllogaritet që në Kosovë janë rreth 300 mijë armë në duar të qytetarëve", - thotë Elshani, duke bërë apel tek qytetarët për dorëzimin e armëve pa leje.