Diplomati gjerman, Ishinger: Askush s’mund ta ndërpresë perspektivën evropiane të Kosovës

Volfgang Ishinger aprovon qëndrimin e diplomacisë gjermane përsa i takon çështjes së Kosovës, duke deklaruar se askush në rajon s’mund të pengojë zhvillimin dhe demokratizimin e shtetit të ri. Ishinger garanton qeveritarët e Prishtinës se Gjermania do mbështesë Kosovën, ndërsa përsa i takon dialogut me Serbinë ai shprehet se marrëveshja duhet të respektojë parimet thelbësore mes dy shteteve të ndryshme, popujt e të cilave duhet të jetojnë në paqe. “Kosova ka një perspektivë të qartë në rrugëtimin drejt familjes evropiane”- u shpreh Ishinger. Ai u nderua sot nga Universiteti i Prishtinës me titullin “Doktor Honoris Causa”. Diplomati gjerman këmbënguli në qëndrimin e tij se s’mund të ketë asnjë marrëveshje Serbi-Kosovë, në dëm të këtij të fundit. Përsa i takon referencave destabilizuese të Serbisë në mos njohjen e Pavarësisë së Kosovës, Volfgang Ishinger përsëriti dhe njëherë se Brukseli do ta kushtëzojë këtë me integrimin e Serbisë në BE. “Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të na çojnë deri te një marrëveshje, që lejon dy popujt të jetojnë në paqe. Pa njohur Kosovën Serbia s’mund të anëtarësohet në BE. Brukseli s’mund të çelë negociatat e anëtarësimit”- ka deklaruar më tej, Ishinger.
...