Rritja e pagave dhe pensioneve, Qeveria zotohet për mbajtjen konstante të taksave

Një javë më parë shefi i FMN-së për Shqipërinë Gerwin Bell, kërkoi nga Ministria e Financave që, pas rritjes së pagave dhe pensioneve, të bëhej edhe një rritje e lehtë e taksave. Por, reagimi i ministrit të Financave ishte i qartë: jo rritje të taksave, por rritje të pagave dhe pensioneve. Të njëjtën gjë ka konfirmuar sot edhe kryeministri Sali Berisha, i cili garantoi se Qeveria do rrisë performancën e saj në mbajtjen e premtimeve para qytetarëve, por kurrsesi rritje të taksave. “Pagat e pensionet do të rriten gjatë këtij viti, por edhe në vazhdim. Është politike e qeverisë dhe një premtim elektoral rrija e pagave e pensioneve”- deklaroi Berisha gjatë mbledhjes tradicionale të grupit parlamentar demokrat. “Ne do të rrisim performancën dhe jo taksat. Ne kemi nevojë për lulëzimin e biznesit dhe jemi dhe vendi me taksat më të ulëta në Europë. FMN ka shprehur shqetësim për rritja rrogash, por çështja është se rritja e rrogave ka të bëjë me investimet në burimet njerëzore . Rritja e pagave e pensioneve është dhe një premtim elektoral dhe ne do ta zbatojmë”- tha kryeministri. Ai rikonfirmoi objektivin e qeverisë për të rritur pagat e pensionet. Duke iu referuar diskutimeve në Bruksel në samitin e PPE-së, për krizën ekonomike në eurozonë, Berisha tha se “kjo krizë ka përmasa shumë të thella dhe është shoqëruar me një papunësi që shkon në 43 për qind në këto vende të prekura thellë”. “Në diskutimet e tyre u bë një analizë e thellë e situatës por edhe një vendosmërie për të bërë çdo ndërhyrje për të ndihmuar tre vendet më të prekura si Greqia, Portugalia dhe Irlanda”- theksoi Berisha ndërsa shtoi se e kundërta ka ndodhur në Shqipëri ku reformat ekonomike ishin reforma suksesi. Kryeministri tha se Shqipëria është ndër vendet e me rritjen më të madhe ekonomike në Europë. Ai tha se reformat ekonomike janë sukses i madh i qeverisë. “Shqipëria e ka administratën publike dy herë më të vogël se rajoni. Ne u angazhuar me privatizime të thellla që sollën sukses. Investimet private janë shumëfishuar në një kohë më të vështirë. Modeli ekonomik i vendit është i suksesshëm. Në pesë muajt e parë të këqij vendi janë regjistruar 20 kompani fasone”- tha kryeministri. Gjithashtu, shefi i ekzekutivit tha se Qeveria do konsolidojë një model ekonomik të suksesshëm.
Ministri i Financave Bode u shpreh pak ditë më parë se do rriten pagat dhe pensionet, por jo taksat
Biznesi: Jo rritje të taksave
Ministri i Financave Ridvan Bode deklaroi pak ditë më parë se nuk do ketë rritje të taksave, ndërsa nga ana tjetër do realizohet rritja e rrogave dhe pensioneve. Por, propozimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar ishte që Ministria e Financave të shqyrtojë propozimin për rritjen e taksave, si mënyrë për të plotësuar rënien e të ardhurave fiskale në buxhetin e shtetit. Ndërkaq, biznesi shprehet se ky propozim i FMN-së mund të sjellë pasoja negative në jetën social ekonomike të qytetarëve. Përmes një deklarate për shtyp, shoqata e biznesit deklaron se “skenari i rritjes së taksave në kushtet e sotme do të thotë, që përveç pasojave të rënda sociale do të shkaktojë uljen e mëtejshme të kërkesës së brendshme dhe fuqisë blerëse edhe kështu mjaft e ulët, duke rrezikuar seriozisht, që ekonomia kombëtare të hyj në një rreth të mbyllur, që vë në dyshim mundësitë dhe shpresat për rritje në të ardhmen”. “Rritja e taksave, në kushtet kur nevoja për tërheqjen e investimeve është e madhe në të gjithë vendet e rajonit do të thotë drejtpërdrejt një ulje të forcës konkurruese të Shqipërisë në garën e ashpër në zhvillim e sipër ndërmjet vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor duke shtuar këtu edhe Greqinë e prekur rëndë nga kriza financiare”, thuhet në deklaratën e përfaqësuesve të biznesit shqiptar.
...