Seminar për metodologjinë në hulumtimet biomjekësore
Në Qendrën e Telemjekësisë së Kosovës, ka filluar seminari katërditor për metodologjinë në hulumtimet biomjekësore, i organizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) në partneritet me Universitetin e Bordosë të Francës.
Në këtë rast ambasadori i Francës në Kosovë, Jean Francois Fitou tha se nevojat në shëndetësi janë në fakt nevojat më të mëdha dhe sfidat në shëndetësi i ka cilësuar si sfida me të cilat duhet ballafaquar gjatë tërë jetës.
Duke e vlerësuar si hap të mirë të fillimit të një bashkëpunimi midis IKSHP-së dhe Universitetit të Bordosë, ambasadori Fitou tha se vet jeta është një dyluftim, prandaj në këtë kuptim, ai ka theksuar se duhet angazhim i madh dhe bashkëpunim që të arrihen suksese në shëndetësi.
Ndërsa sekretari i përgjithshëm në MSH-së, Ilir Tolaj tha se shëndetësisë së Kosovës i mungojnë më së shumti dy gjëra: mbështetja e një financimi të qëndrueshëm dhe mungesa e njerëzve jo si numra, por si kuadro profesionale, të cilat do të ishin në gjendje që të shtyjnë para reformat e nevojshme në shëndetësi.
Seminari dhe bashkëpunimi si ky, ka theksuar Tolaj, ndihmon që “njerëzit tanë të marrin ekspertizën adekuate në fushat e rëndësishme si hulumtimet bio-mjekësore”.
Kurse drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani tha se synimi kryesor i këtij bashkëpunimi është zhvillimi i shkathtësive në hulumtimet biomjekësore për 15 doktorë kosovarë.
Seminari, shpjegoi ai, është rezultat i bashkëpunimit në mes të IKSHPK dhe Shkollës së Shëndetit Publik të Bordeaux (ISPED), si një nga ekipet franceze më të mira në fushën e epidemiologjisë dhe shëndetësisë publike, i filluar tre vite më parë, që përfshinë edhe këmbimin institucional, të ekspertëve dhe studentëve.
Ndërkaq dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Gani Bajraktari tha se tema e seminarit është shumë e qëlluar dhe vjen nga një fushë ku Kosova nuk mund të mburret me ndonjë “letërnjoftim” të mirë dhe seminari do të kontribuojë në ngritjen e aftësive të pjesëmarrësve kosovarë bazuar në ekspertizën e ekspertëve francezë në fushën e hulumtimeve biomjekësore.
Edhe drejtori i Institutit të Shëndetësisë Publike, Epidemiologjisë dhe Zhvillimit të Universitetit të Bordosë, Rachid Salmi tha se kjo që po nis sot është një platformë e mirë e bashkëpunimit, apo etapa e parë e një pune për zhvillimin e ekspertëve kosovarë në fushën e hulumtimeve biomjekësore.
Gjatë seminarit disa ditorë, 15 doktorantë e mjekë të përfshirë në hulumtime, bazuar në projektet e tyre hulumtuese, janë përzgjedhur nga IKSHPK dhe Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti i Prishtinës për pjesëmarrje në këtë seminar.
Pjesa e parë e seminarit, prej 14 deri 17 shkurt 2011, do të realizohet nga ekipi i mësimdhënësve dhe hulumtuesve nga Shkolla e Shëndetit Publik e Bordosë në partneritet me mësimdhënës nga IKSHPK, kurse pjesa e dytë e seminarit do të mbahet në maj 2011. (KosovaPress)