E Shtunë, 31 Tetor 2026

ODIHR: Tri raporte për zgjedhjet parlamentare

Zyra e OSBE-së për institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut (ODIHR) çeli zyrtarisht misionin e vëzhgimit në Tiranë për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Përfaqësuesit e kësaj organizate iu përgjigjën një ftese të bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë për të monitoruar zgjedhjet. Misioni i drejtuar nga britanikja Audrey Glover përbëhet nga 14 ekspertë ndërkombëtarë dhe 26 vëzhgues afatgjatë që do të shpërndahen në të gjithë vendin. ODIHR ka kërkuar gjithashtu prezencën e 400 vëzhguesve të tjerë të cilësuar afatshkurtër dhe që do të veprojnë në ditën e votimit. Misioni do të vëzhgojë zgjedhjet dhe përputhjen e tyre me rekomandimet e OSBE-së dhe standardet e tjera ndërkombëtare. Vëzhguesit do të monitorojnë aktivitetet e fushatës elektorale, mbulimin mediatik, çështjet legjislative që lidhen me përgatitjen e zgjedhjeve, regjistrimin e zgjedhësve dhe identifikimin e tyre. Objekt tjetër i monitorimit do të jetë edhe puna e administratës zgjedhore dhe strukturave të ekzekutivit. Vëzhguesit e ODIHR dhe prezenca e OSBE-së veprojnë të ndara, secila në mandatin e saj. "Fushata zgjedhore, pajisja me karta, regjistrimi i votuesve, puna e KQZ-së dhe zbatimi i Kodit Zgjedhor do të jenë çështjet kryesore ku do të fokusohemi. Për sa i përket kartave, prej kohësh ODIHR ka kërkuar pajisjen e shtetasve me këtë dokument dhe është në dorën e autoriteteve mbarëvajtja e këtij procesi të rëndësishëm. Siç e thashë, kjo është një fushë me rëndësi dhe do ta ndjekim me shumë kujdes", u shpreh kryesuesja e misionit, Glover. Diplomatja që ka drejtuar edhe grupin e vëzhguesve të zgjedhjeve të fundit presidenciale në SHBA, u shpreh gjithashtu se ODIHR do të hartojë tri raporte për ecurinë zgjedhore, nga të cilët i pari pritet të dalë në fund të këtij muaji. Pas leximit të deklaratës për shtyp, përfaqësuesit e misionit ishin të hapur për t‘u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Glover tha se misioni nuk duhet konceptuar si një polici zgjedhjesh, por ka për detyrë vetëm raportimin e situatës. Në këtë mënyrë, ODIHR kujtoi edhe një herë se nuk ka për detyrë të ndërhyjë në atë çka ndodh në një proces zgjedhor. Vëzhguesit kanë mbërritur në Shqipëri para disa ditësh dhe kryesisht po merren me etapën e parë të ndërtimit të terrenit të përshtatshëm për punën e tyre.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›