E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta zyrtarizon koalicionin për zgjedhjet e 28 qershorit

Lëvizja Socialiste për Integrim zyrtarizoi dje koalicionin parazgjedhor "Aleanca Socialiste për Integrim" të përbërë nga gjashtë parti. Pak ditë para afatit të fundit të regjistrimit të koalicioneve zgjedhore, LSI nënshkroi dhe marrëveshjen përfundimtare me krerët e partive të tjera që u parapri me një marrëveshje individuale. Koalicioni përbëhet nga Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Socialiste e Vërtetë ‘91, Partia e Gjelbër e Shqipërisë, Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve dhe Partia Toleranca e Re, që mbron të drejtat e komunitetit rom dhe atij egjiptian. Pas ceremonisë së nënshkrimit, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh se ky është një koalicion që bazohet mbi vlera shumë të rëndësishme, mbi vlerat e ruajtjes, mbrojtjes, forcimit dhe pavarësisë së institucioneve në këtë vend, dhe është një koalicion që garanton dhe të drejtat e njeriut që deri tani janë respektuar për fat të keq vetëm në letër në këtë vend. "Në fund të fundit nuk ka asgjë të keqe, Berisha nisi aplikimin për qëllime elektorale, por ne do të nënshkruajmë edhe anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, sepse pa këto vlera që ne mbrojmë, nuk mund të bëhet konkrete, e prekshme dhe e afërt Shqipëria si anëtare e Bashkimit Evropian", tha ai. Kreu i PSV91, Petro Koçi, konsideroi se dalja e së majtës me dy koalicioneve do të sjellë fitoren e së majtës.

"Shpreh bindjen në emër të Partisë Socialiste të Vërtetë ‘91, se përfaqësimi në dy koalicione të majta në këtë fushatë elektorale është një zgjedhje e mençur dhe fituese. Dua të garantoj se "Aleanca e re Socialiste për Integrim" do të jetë një aleancë fituese që do të përfaqësojë, jo vetëm në fushatë por dhe pastaj në bashkëqeverisjen e vendit vlera të vërteta programore, por dhe qeverisëse", u shpreh Koçi. Edlir Petanaj, kryetari i Partisë së Gjelbër, tha se kjo parti hyri në këtë koalicion, jo vetëm si një Parti e Gjelbër Shqiptare, por tashmë si një pjesë e pandarë e Partisë së Gjelbër Evropiane. "Ne firmosim sot marrëveshjen në këtë koalicion të qëndrueshëm, pasi jemi të bindur në suksesin që do të ketë ky koalicion në zgjedhjet e 28 qershorit", tha ai.
Sakaq, Ymer Kurti, kryetar i Partisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve, shtoi se kjo aleancë do t‘i japë të drejtat emigrantëve që të trajtohen konform konventave ndërkombëtare. Ligoraq Karamelo, kryetar i Partisë Lëvizja për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, deklaroi se Shqipëria është në një moment shumë të vështirë "prandaj dhe ne jemi të angazhuar seriozisht që të kontribuojmë që ky koalicion të dalë sa më me sukses".

Deri më datën 13 maj pritet që partitë të nënshkruajnë marrëveshjet mes tyre si afati i fundit që lejon Kodi Zgjedhor për t‘u regjistruar.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›